Lakror me spinaq, fli, mantia, byrek e speca të mbushur. Këto janë ushqimet që gratë e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian nga fshati Plemetin i Komunës së Obiliqit thonë se i përgatisin më së shpeshti në shtëpitë e tyre.
Të enjten, ato i kishin sjellë këto ushqime dhe i shërbenin për pjesëmarrësit e Festivalit Multikulturor, i cili këtë vit fton qytetarët e Kosovës “të festojnë ngjashmëritë” mes komuniteteve.
Festivali po zhvillohet nëpër disa komuna të Kosovës.
Krahas ushqimeve në tryezat e shtruara, ishte ngritur edhe një punëtori e vogël interaktive arti për fëmijët.
Ata kishin vizatuar dhe po ngjyrosnin shtëpi, diej e lule – siç vizatojnë rëndom fëmijët e kësaj moshe. Ndonjë e kishte shënuar edhe emrin, e dikush e kishte vizatuar edhe veten.
Festivali i vogël, i vendosur në një fushë të betontë sportive, prej ku shiheshin tymtarët e termocentralit me thëngjill Kosova B, kishte mbledhur fëmijët e fshatit të mësonin edhe lëvizje të sportit të karatesë.
Në një stendë ishin ekspozuar edhe veshje tradicionale rome e shqiptare.
“Sot kam ekspozuar gjëra shumë tradicionale që i kanë veshur njësoj komunitetet e ndryshme - shqiptar, rom e shkali - për t’i mësuar gratë e komuniteteve se si ekspozohen veshjet në panaire”, tha Dije Hoxha, që po merrte pjesë në këtë festival.
Fortesa Shasivari nga organizata “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve të Kosovës”, që organizoi këtë festival, thotë se qëllimi është të vihet në pah kultura e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, “që nesër-pasnesër ajo të mos shuhet”.
“Festojmë ngjashmëritë tona – kjo do të thotë se pavarësisht që i përkasim një komuniteti tjetër, ne jemi të njëjtë. Edhe ushqimet nuk është se dallojnë shumë prej ushqimeve tona, ose veshjet. Veshjet janë siç i veshim edhe ne nëpër dasma, pak ndoshta dallojnë ngjyrat”, thotë Shasivari.
Ndërkaq, këto punime nga argjila janë krijuar nga fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian me ndihmën e nënave të tyre.
Ato janë zbukurime të bredhit të Vitit të Ri.
Dita e parë e edicionit të pestë të këtij festivali në këtë fshat u mbyll me tingujt e muzikës së kitarës që po e luante një i ri rom.
Festivali Multikulturor do të mbajë aktivitete si ky përgjatë tri ditëve të ardhshme.
Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë 8,824 romë, 15,436 ashkalinj dhe 11,524 egjiptianë.
Në Raportin e Progresit për Kosovën, të publikuar nga Komisioni Evropian në vitin 2021, situata e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në vend është cilësuar si “e vështirë”.