‘Magjia’ e Dokufest-it thyen paragjykimet e krijuara nga mediat

Prizreni gjatë Dokufestit në gusht 2022.

Hana Pishçeviq, regjisore nga Beogradi, për herë të parë ka ardhur në qytetin e Prizrenit për të marrë pjesë në “magjinë e quajtur Dokufest”.

Dokufest është festival ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe atij të shkurtër, që çdo vit tërheq një numër të madh vizitorësh nga vendet e rajonit dhe botës. Këtë vit, nga data 4 deri më 13 gusht po mbahet edicioni i 21-të i festivalit, ku do të shfaqen 250 filma.

Për Hana Pishçeviqin, përmbajtja e pasur, që ofrohet në këtë festival, ishte befasuese. Ajo, gjithashtu, thotë se kur të largohet nga Prizreni do të marrë me vete vetëm përshtypje të mira, sepse siç thotë ajo, nikoqirët e kanë pritur me ngrohtësi e buzëqeshje, gjë që kontribuon në atmosferën e gëzueshme që mbretëron në mbarë Prizrenin.

“Është një energji vërtet e mirë. Këtë do t’ua them miqve të mi në Beograd dhe do t’iu sugjeroj që të vijnë këtu patjetër. Të mendojnë me kokën e vet e jo t’u besojnë televizioneve”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Regjisorja nga Beogradi, Hana Pishçeviq.

"Imazhi i shtrembëruar për Kosovën"

Nebojsha Reshanoviq nga Beogradi asnjëherë më parë nuk ka qenë në Kosovë dhe e pranon se për këtë shtet kishte një “imazh të shtrembëruar”. Ai me origjinë është nga Glina e Kroacisë, por është rritur në Serbi.

Në Dokufest ai po merr pjesë me filmin “Nën dardhë, dardha” (Ispod krushke, krushka).

“Ajo që dija për Kosovën, në një farë mënyre, ishte ajo që paraqitej në shumicën e mediave. Sigurisht se nuk e besoja se do të jetë kështu. Kisha pritje të gabuara që u kthyen në një befasi shumë pozitive”, thotë Reshanoviq.

Nebojsha Reshanoviq për herë të parë po viziton Kosovën.

Ai thotë se po i pëlqen që Prizreni është “një qytet i gjallë dhe njerëzit janë mikpritës”. Ai shton se nuk do të mungojë as në edicionin e radhës “edhe nëse do të më duhet të vijë me biçikletë”.

Më shumë serbë nga Kosova në Dokufest

Në të kaluarën, ngjarjet kulturore në Kosovë më shumë ndiqen nga serbët nga Serbia, por jo nga serbët që jetojnë në shtet. Kështu ishte edhe me rastin e Dokufest-it, deri sivjet.

Një nga kinematë e hapura në Prizren.

Drejtoresha ekzekutive e festivalit, Linda Llulla, thotë se 200 persona janë ftuar zyrtarisht, por ka parë se kanë ardhur dyfish më shumë.

Ajo, po ashtu, shprehet e lumtur që këtë vit ka më shumë serbë nga Kosova.

“Shumica e tyre janë nga rajoni, pra nga ish-Jugosllavia. Më vjen mirë që po vijnë të rinjtë. Po e vërej që ka edhe serbë nga Kosova, gjë që deri më tani, kryesisht, nuk ka qenë kështu”, thotë Llulla.

Prizreni i mbushur me njerëz gjatë Dokufest-it.


Një nga vizitorët e Dokufest-it nga radhët e komunitetit serb në Kosovë është Petar Gjorgjeviq nga Graçanica, komunë afër Prishtinës. Ai po qëndron në Prizren si pjesë e një projekti të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Ai thotë se Prizreni është një prej qyteteve të tij të preferuara të Kosovës. Mirëpo, shton se disa prej bashkatdhetarëve tij e “shmangin” Dokufest-in.

“Në komunitetin serb ka një lloj frike, e cila ndoshta është e arsyeshme ose ndoshta edhe e paarsyeshme. Shumica e njerëzve janë të mbyllur në disa geto dhe shumë rrallë vizitojnë qytete të tjera. Kjo është veçanërisht e vërtetë në mesin e të rinjve, 95 për qind e të cilëve nuk kanë qenë asnjëherë në Prishtinë”, thekson Gjorgjeviq.

Petar Gjorgjeviq nga Graçanica.

"Dokufest-i tejkalon armiqësitë dhe antagonizmat rajonalë"

Branko Çeçen, ish-drejtor i Qendrës për Gazetari Hulumtuese të Serbisë, po qëndron në Prizren me gruan e tij për të mbështetur vajzën e tyre, e cila po merr pjesë në edicionin e sivjetmë të Dokufest-it me filmin e saj.

Për dallim nga të anketuarit e tjerë serbë, Çeçen vjen shpesh në Kosovë dhe shton se në këtë shtet ka shumë miq.

“Dokufest-i vërtet është një ngjarje mahnitëse që mbledh një numër të madh njerëzish që janë nga fusha të ndryshme, duke filluar nga filmi dokumentar, edukimi mediatik e deri te gratë në gazetari. Më vjen keq që nuk mund të klonohem e të ndjek të gjitha ngjarjet. Gjëja më e rëndësishme që unë marr nga kjo ngjarje është numri i madh i njerëzve që takoj dhe që dua të vazhdoj kontaktet me ta”, thotë Çeçen.

Branko Çeçen thotë se e viziton shpesh Kosovën.

Ai, po ashtu, rikujton se disa persona nga Serbia viteve të kaluara kanë fituar çmimet e para në këtë festival.

“Më duket se Dokufest-i çdo herë i tejkalon armiqësitë dhe antagonizmat rajonalë. Kjo është jashtëzakonisht e mirë për ne që nuk duam gjëra të tilla dhe duam pikërisht atë që përfaqëson ky festival. Është një lloj pushimi mendor dhe psikologjik. Më vjen keq që këtë nuk e dinë në Beograd, sepse në Serbi ka një terr informativ”, shprehet ai.

Për herë të 21-të, Prizreni është nikoqir i Dokufest-it.

Sërxhan Kovaçeviq është regjisor dhe kinematograf nga Zagrebi. Filmi i tij “Fabrika e punëtorëve” (Tvornice radnicima), fitues i shumë çmimeve, zgjoi interesim në mesin e publikut dhe u prit mirë. Ky film flet për punëtorët që në vitin 2005 morën fabrikën ITAS në Ivanac, një qytet afër Varazhdinit në veri të Kroacisë. Ata u bënë shembulli i vetëm i suksesshëm i vetëmenaxhimit të një kompanie nga punëtorët në Evropën post-socialiste.

“Në Prizren ndihem shumë rehat. Shihet se ka qenë dhe është një hapësirë e përbashkët [për të gjitha komunitetet kombëtare që jetojnë këtu]. Ndërkaq, sa i përket Kosovës, në Kroaci flitet shumë pak, përveç nëse bëhet fjalë për ndonjë ngjarje dramatike”, thotë Kovaçeviq.

Sërxhan Kovaçeviq, regjisor nga Zagrebi i Kroacisë.

Ai shton se Dokufest-i, sikurse edhe festivalet e tjera të filmit në rajon, është një mundësi e mirë për filmbërësit që të takohen dhe të shkëmbejnë përvojat e tyre.

“Po takohem me kolegë, veçmas me ata nga Bosnjë e Hercegovina, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Kjo është një gjë e mrekullueshme. Është mirë të shohësh dhe të takosh miq të vjetër e të mirë. Këtu planifikohen dhe zhvillohen bashkëpunime, që është një vlerë e madhe e këtij dhe festivaleve të tjera”, thotë ai.

Dy filma për çmimin kryesor të Akademisë Evropiane të Filmit

Dy gra bisedojnë, teksa në prapavijë shihet motoja e Dokufest-it të sivjetmë "Si të mbijetojmë".

Nga mbi 3.000 filma nga e gjithë bota që aplikuan në këtë edicion të Dokufest-it, ekipi artistik përzgjodhi mbi 250 prej tyre. Këto filma po shfaqen në dhjetë kinema, shumica prej të cilave janë të hapura.

Tema e këtij edicioni është “Si të mbijetojmë”. Filmat që po marrin pjesë trajtojnë temën e mbijetesës fizike në Ukrainë dhe temën se si të mbijetohet teksa po shkatërrohen pyjet dhe teksa bota po përballet me ngrohje globale...

Me ndarjen e çmimeve të shtunën, më 13 gusht, do të përmbyllet ai që organizatorët shpresojnë të jetë edicioni më i suksesshëm i Dokufest-it deri më tani.

Çmimet do të ndahen për tetë kategori. Dy filma, një i metrazhit të shkurtër dhe një i metrazhit të gjatë, do të nominohen për çmimin kryesor të Akademisë Evropiane të Filmit.