Çdo person zyrtar ose përgjegjës që është i përfshirë në organizimin e ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska (RS) është penalisht përgjegjës për mosbindje ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës (BeH).
Kështu thuhet në ndryshimet në Kodin Penal të BeH, i cili u vendos në korrik të vitit të kaluar nga përfaqësuesi i lartë në Bosnje e Hercegovinë.
Për këtë vepër është parashikuar dënimi me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe caktimi i masave të ndalimit të kryerjes së shërbimit.
Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës deri më tani ka vendosur tri herë se festimi i 9 janarit si dita e RS-së, është antikushtetues.
Pavarësisht kësaj, kremtimi i paligjshëm i 9 janarit shënohet tash e shtatë vjet dhe deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësi penale.
SHIKONI EDHE: Perëndimi dënon festën antikushtetuese në Republikën SërpskaProkuroria e Bosnjë e Hercegovinës nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë (REL) nëse do të hapë rast për shkelje të Kodit Penal të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe nëse do të veprojë sipas kërkesës së përfaqësuesit të lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili në dhjetor të vitit të kaluar kërkoi të ndërmerren hapa ligjorë në lidhje me shënimin e 9 Janarit.
Deri më tani, kallëzimin penal për festimin e ditës antikushtetuese të RS-së e ka bërë të ditur Ramiz Sallkiq, përfaqësues i pavarur në Kuvendin Kombëtar të RS-së.
Sallkiq i ka thënë REL-it se ai do të paraqesë një ankesë penale në Prokurorinë e BeH pas festës më 9 janar, në të cilën e ftoi presidenti i entitetit, Milorad Dodik.
Ai ka theksuar se thirrjen e ka përjetuar si “provokim të drejtpërdrejtë” të ish-praktikantit të luftës në Bratunac dhe Palle, të cilat, siç shprehet ai, “janë produkt i vendimeve themelore të 9 janarit të vitit 1992”, duke shtuar se është një datë ofenduese për të gjithë boshnjakët në Republikën Sërpska për shkak të krimeve të luftës dhe gjenocidit në Srebrenicë.
Kush mund të dënohet për festimin e ditës antikushtetuese të RS-së?
Avokati Josip Musellimoviq deklaroi për Radion Evropa e Lirë (REL) se kushdo që i ka shkelur dispozitat e Kodit Penal të Bosnjë e Hercegovinës, të cilat i referohen mosrespektimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës më 9 janar si dita e RS-së, mund të dënohet.
Për të filluar procedurën, thotë Musellimoviq, duhet të bëhet kallëzim penal, por shton se Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës mund të formojë çështje në mënyrë të pavarur.
“E keni edhe një dispozitë ligjore, e cila thotë se prokurori, sapo t’i arrijë fjala se një person ka kryer vepër penale, është i detyruar të ndërhyjë dhe të fillojë procedurën penale, aq më tepër që bëhet fjalë për vepër penale që është shumë e rëndë dhe për të cilën dënimi me burgim arrin deri në pesë vjet”, tha Musellimoviq për REL-in.
Ai theksoi se institucionet “do të duhej të reagonin” në këtë rast, por se, për shkak të situatës në gjyqësor, “do të jetë interesante” të vëzhgohet se si do të përgjigjen institucionet ndaj një mosrespektimi tjetër të vendimit të shkallës më të lartë gjyqësore në vend.
“Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës, si institucioni më i lartë gjyqësor, duhet të respektohet realisht, nëse ai institucion nuk respektohet, atëherë duhet të themi se këtu ka një anarki, një kaos gjyqësor që nuk çon në asgjë të mirë. Duhet të respektohen vendimet e institucioneve më të larta të drejtësisë, pa marrë parasysh nëse nuk i përshtaten dikujt në këtë moment apo nëse mendon se nuk është e drejtë, joligjore e kështu me radhë”, vlerësoi Musellimoviq.
Për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në BeH, aktualisht janë duke u zhvilluar procedura në Prokurorinë e Bosnje e Hercegovinës kundër Milorad Dodikut, president i Republikës Sërpska dhe Millosh Lukiqit, ushtrues detyre i drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së.
Çfarë thotë përfaqësuesja e Lartë?
Zyra e përfaqësuesit të Lartë të Komunitetit Ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk kanë asgjë për të shtuar për kremtimin e ditës antikushtetuese të RS-së në lidhje me letrën e fundit të Schmidt drejtuar institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës.
Në një deklaratë të datës 20 dhjetor, Schmidt paralajmëroi se mosbindja ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës përbën vepër penale sipas Kodit Penal të BeH-së.
“U takon autoriteteve të zbatimit të ligjit, Zyrës së Prokurorit të BeH-së dhe policisë që të ndërmarrin hapat e ardhshëm të duhur të përcaktuar me ligj, veçanërisht në rastet që kanë të bëjnë me zyrtarët publikë dhe nëpunësit civilë dhe pjesëmarrjen e tyre në përgatitjen ose organizimin e festës së 9 janarit”, tha Schmidt në atë kohë.
Më 4 janar, misioni i OSBE-së në Bosnjë e Hercegovinë bëri thirrje për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe shtoi se festimi i ditës antikushtetuese të RS-së "jo vetëm që shkel Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës, por gjithashtu edhe Kushtetutën e entitetit të Republikës Sërpska të BeH-së”.
SHIKONI EDHE:
Dodiku zotohet se do t’ia ndalojë Schmidtit hyrjen në Republikën SërpskaGjykata në Bosnje konfirmon aktakuzën ndaj DodikutPresidenti i RS-së, Milorad Dodik, u tha gazetarëve më 3 janar se do të reagojë në Republikën Sërpska me një sërë masash "nëse dikush guxon" të fillojë ndonjë mosmarrëveshje për shkak të festimit të 9 janarit.
Pse Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e shpalli 9 janarin antikushtetues?
Autoritetet e RS-së po festojnë 9 janarin, datën kur në vitin 1992, në Sarajevë, Kuvendi i atëhershëm i Popullit Serb në Bosnje e Hercegovinë miratoi Deklaratën e Republikës së Popullit Serb të Bosnjës dhe Hercegovinës, si entitet i pavarur në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Qëllimi ishte që ajo pjesë e Bosnjë e Hercegovinës t'i aneksohej Jugosllavisë, e cila në atë kohë po shpërbëhej.
Në krye të republikës së vetëshpallur ishin Radovan Karaxhiq, Biljana Plavshiq dhe Momçilo Krajishnik, të cilët u dënuan në Tribunalin e Hagës për krime lufte.
Përfaqësuesit e boshnjakëve dhe kroatëve nuk morën pjesë në miratimin e deklaratës.
Këto dy kombe e shohin 9 janarin si fillimin e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, fillimin e spastrimit etnik, fillimin e krimeve të luftës dhe gjenocidin kundër popullatës joserbe në territorin e RS-së.
Më 28 shkurt 1992, Gjykata Kushtetuese e Republikës së atëhershme të Bosnjë e Hercegovinës nxori një vendim, me të cilin anuloi deklaratën dhe kushtetutën e Republikës Serbe të Bosnjë e Hercegovinës. Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës, 23 vjet më vonë, në nëntor 2015, mori një vendim sipas të cilit neni i Ligjit për festat e RS-së, i cili flet për ditën e RS-së, është antikushtetues.
Gjykata Kushtetuese përveç që në shpjegimin e saj iu referua ngjarjeve të vitit 1992, konstatoi se atëherë kremtohej edhe lavdia e pagëzimit të Republika Sërpska – Kryedhjaku Shën Stefan, kështu që u perceptua edhe si festë fetare.
Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës nuk e kundërshtoi të drejtën për ditën e Republikës Sërpska, por vendosi se "Dita e RS-së" nuk mund të jetë 9 janari.
Si përgjigje ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, më 25 shtator 2016 në RS u mbajt një referendum për 9 janarin, ndonëse Gjykata Kushtetuese e BeH-së e kishte pezulluar vendimin për shpalljen e referendumit shtatë ditë më parë. Pavarësisht kësaj, referendumi u mbajt, pas të cilit Kuvendi i RS-së miratoi Ligjin për ditën e RS-së në tetor të po atij viti, i cili e ripërcaktoi 9 janarin si festë.
Nëntë delegatë boshnjakë dhe kroatë në Këshillin e Popujve të RS-së, si një nga dy dhomat e Asamblesë Kombëtare të RS, paraqitën një ankesë të re në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.
Në mars të vitit 2019, gjykata mori një vendim, sipas të cilit, neni i atij ligji – që, "bazuar në vullnetin e konfirmuar të qytetarëve të Republikës Sërpska, 9 janari është caktuar si Dita e Republikës" - është antikushtetues dhe kundër Konventës Ndërkombëtare për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor.
Gjithashtu, u konstatua se është kundër Protokollit të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.
Më parë, Komisioni i Venecias gjithashtu vlerësoi në opinionin e tij se dita e RS-së në atë datë është "diskriminuese, sepse nuk është në përputhje me vlerat universale të dialogut, tolerancës dhe mirëkuptimit".