Festime dhe plaçkitje: Skena nga Siria pas rënies së Assadit

Njerëzit qëndrojnë mbi një statujë të rrëzuar të presidentit të dikurshëm të Sirisë, Hafez al-Assad, në Damask më 8 dhjetor 2024.

Rënia e regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad, shkaktoi festime mbarëkombëtare, ndërsa skena gëzimi dhe kaosi u shfaqën në mbarë Sirinë.

Në orët e para të 8 dhjetorit, në rrjetet sociale u publikuan video që tregonin grupe njerëzish duke u mbledhur në Sheshin Umajad në Damask, një vend i rëndësishëm në kryeqytetin sirian. Mijëra të tjerë iu bashkuan atyre gjatë ditës, me disa njerëz që ngjiteshin mbi një tank.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale, që janë verifikuar nga Radio Evropa e Lirë, shfaqën njerëz duke dalë nga ndërtesa e Bankës Qendrore në Damask duke mbajtur çanta dhe kuti.

Raste të plaçkitjeve u raportuan në kryeqytetin sirian dhe në qytete të tjera të shtetit, sipas disa dëshmitarëve okularë.

Te portat e pallatit presidencial në Damask, video-incizimet treguan qytetarë duke festuar, duke brohorit e duke gjuajtur në ajër me armë zjarri.

Qytetarët u panë duke hyrë lirshëm në pallat gjatë gjithë ditës, pasi Assadi ishte arratisur nga shteti. Media shtetërore ruse raportoi më vonë më 8 dhjetor se ai dhe familja e tij kishin mbërritur në Moskë dhe kishin marrë azil.

Sirianët hyjnë në pallatin presidencial në Damask

Video të incizuar nga brenda pallatit shfaqën turma njerëzish duke lëvizur lirshëm, si dhe njerëz duke marrë oriendi dhe sende me vlerë e duke lënë pas dhoma të shkatërruara.

Video të verifikuara, që i ka siguruar Radio Evropa e Lirë shfaqën gjithashtu departamentin e emigracionit dhe pasaportave në ndërtesën e Ministrisë së Brendshme në Damask, të përfshirë nga flakët.

Your browser doesn’t support HTML5

Ministria e Brendshme në Damask

Statujat e babait të ndjerë të Assadit, Hafez al-Assad, i cili krijoi sistemin autoritar që trashëgoi djali i tij, u rrëzuan në mbarë vendin, pas një ofensive të shpejtë nga rebelët.

Në ishullin Arvad, pranë brigjeve të Tartusit dhe rreth 10 kilometra larg një baze detare ruse, turmat që po festonin rrëzuan një statujë të babait të Assadit, i cili vdiq në vitin 2000. Njerëzit, që po festonin, u panë duke u ngjitur mbi këtë monument.

Në Latakia, një qytet bregdetar që ishte një bastion i familjes Assad, një tjetër statujë e Hafez al-Assadit u rrëzua, u lidh për një kamion dhe u tërhoq rrugëve të qytetit, teksa njerëzit festonin.

Imazhet gjithashtu treguan pasojat e sulmit ndaj Ambasadës Iraniane në Damask, e cila dukej se ishte braktisur më herët më 8 dhjetor. Mediat iraniane raportuan se diplomatët veçse ishin evakuuar nga ndërtesa.

Pasojat e sulmit ndaj Ambasadës Iraniane në Damask