Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, uroi besimtarët myslimanë në prag të Festës së Kurban Bajramit.
Ajo nis të shtunën dhe kremtohet katër ditë.
Në fjalën e tij, Tërnava tha se mesazhe të Festës së Kurban Bajramit janë: devotshmëria, barazia, sakrifica, flijimi e solidariteti.
“Festat fetare te ne, në vazhdimësi, kanë kultivuar begatitë shpirtërore para atyre materiale, urtësinë para euforisë, drejtësinë para zullumit, paqen para konfliktit e dhunës dhe solidaritetin e bamirësinë para koprracisë, ndaj, ne lutemi dhe urojmë që edhe ky Bajram të jetë në frymën e tillë”, tha myftiu Tërnava.
Ai tha se kjo festë, sivjet, është e një rëndësie të veçantë, pasi që pas dy vjetësh, besimtarëve myslimanë u është dhënë mundësia të udhëtojnë në Mekë të Arabisë Saudite për ritualin e Haxhit.
Your browser doesn’t support HTML5
Ky ritual, që njihet si shtyllë e Islamit, është zhvilluar me numër të vogël të pjesëmarrësve në dy vjetët e kaluar, për shkak të pandemisë COVID-19.
Festa e Kurban Bajramit pason atë të Fitër Bajramit, e cila shënohet rreth dy muaj më herët.
Dy Bajramet janë festat më të rëndësishme në besimin islam.