Lufta e fermerëve ukrainas për të mbijetuar
Viktor Tsvyki normalisht eksporton deri në 90 për qind të të korrave të tij nga porti jugor i Ukrainës, Odesa. Edhe pse prodhimi i këtij viti është 20 për qind më i madh se ai i vitit të kaluar, gjë që do të kishte qenë një ndihmë në kohë paqeje, në kohë lufte, kostot e tepruara të prodhimit dhe bllokimi nga Rusia i porteve të Detit të Zi të Ukrainës e kanë bërë transportin e grurit jashtëzakonisht të shtrenjtë.
Rusia u tërhoq muajin e kaluar nga marrëveshja e kohës së luftës, sipas së cilës Ukrainës i lejohej të transportonte drithë në mbarë botën. Ashtu si shumë nga fermerët e Ukrainës, prodhimi i Tsvykut është po ashtu i bllokuar. Duke mos pasur mënyrë për ta shitur, shqetësimi i tij tani është se si të qëndrojë në këmbë financiarisht.
Kur u pyet se si e parashikon të ardhmen e biznesit të tij dhe 77 punëtorëve që varen prej tij për jetesën e tyre, Tsvyk thotë: "Është shumë e dhimbshme për të folur".
Që nga përfundimi i marrëveshjes, Rusia ka vënë në shënjestër portet e Ukrainës dhe veçanërisht hambaret e saj të drithit, si ky i goditur në orët e hershme të mëngjesit të 16 gushtit pranë Odesës. Ukraina është kundërpërgjigjur duke shënjestruar portet e Rusisë, gjë që ka çuar në rritje të çmimeve të grurit dhe misrit në tregjet globale.
Me drithin që ishte burimi kryesor i të ardhurave të fermës, produktet e Tsvykut shkuan deri në Indi dhe në vendet e varfëra në Afrikën e Veriut, thotë ai. Me të vetmet opsione të tjera që janë më të kushtueshme - rrugët hekurudhore dhe lumore nëpër Evropë - që kanë nxitur reagime nga vendet fqinje, drithi i tij ka të ngjarë të vendoset në depo magazinimi, duke i kushtuar atij humbje prej dhjetëra mijëra dollarësh.
Fermerët duke korrur rreth një krateri të krijuar nga një raketë e hedhur nga forcat ruse. Me bllokimin e porteve të tyre, përveç rrezikut nga municionet e pashpërthyera që kanë mbushur fushat e tyre dhe zvogëlimit të fuqisë punëtore pasi njerëzit e aftë për punë drejtohen në front, shumë nga fermerët ukrainas po përpiqen t'u ofrojnë prodhimet e tyre vendeve në zhvillim që janë duke luftuar me urinë.
Ferma e madhe e Tsvykut në Zhurivka, rreth 85 kilometra në lindje të Kievit, prodhon jo vetëm grurë, por edhe djathë të mirë dhie.
Derisa katër nga punonjësit e Tsvyk janë larguar për t'iu bashkuar luftës, ata që kanë mbetur kanë korrur dhe ruajtur grurin e tij dhe po përgatiten për sezonin e ardhshëm.
Me mundësitë aktualisht të kufizuara, shumë fermerë po zgjedhin të mos mbjellin fare kultura bujqësore. Prodhimi i misrit dhe grurit në Ukrainën e varur nga bujqësia është ulur për gati 40 për qind këtë vit nga nivelet e paraluftës, thonë analistët.
Megjithëkëtë, disa fermerë janë orientuar te produktet e tjera, si vaji i lulediellit, për të nxjerrë disa fitime.
Një punëtor duke mbledhur grurin në një hambar.
Viktor Tvysk duke kontrolluar mënyrën e ruajtjes së djathit të dhisë. Ka strategji të tilla si shkëmbimi që Tsvyk ka përdorur për ta mbajtur fermën në këmbë. Por, ai nuk pret të ketë fitim - të mund të qëndrojë është më e mira për të cilën mund të shpresojë.