Nxënësit ukrainas: Mes bankash e bombardimesh
Nxënësit e shkollës nr. 21 në Çernihiv tani kanë një përvojë të zakonshme të përbashkët:
Çdo nxënës njeh tingujt e një sirene të sulmeve ajrore dhe mund t'i dallojë tingujt e armëve kundërajrore dhe të raketave të lundrimit.
"Ajo që ndodhi është një tragjedi. Unë kam qarë tashmë për gjithçka që kam humbur. Më mungon shkolla, shokët dhe mësuesit e mi. Por, do të ketë një shkollë të re, mësues të rinj dhe shoqëri. Gjëja më e rëndësishme është që jeta të vazhdojë", tha Khrystyna Ignatova, 16 vjeçe, derisa shikon klasën e saj të mëparshme që u bombardua nga forcat ruse më 3 mars.
"Ndihem i ofenduar kur jam në shkollën time. Më vjen keq që rusët shkatërruan shkollën time", tha Ivan Hubenko, 11 vjeç teksa po ecte nëpër oborrin e shkatërruar ku dikur luanin ai dhe shokët e tij.
"Kur shkolla ime u bombardua, unë u tmerrova. Ne jetojmë aty pranë. Dritaret tona u thyen dhe nëna ime mund të kishte vdekur sepse dera pothuajse e shtypi atë për muri. Llambadari ra gati mbi mua", tha Karina Muzyka, 10 vjeçe, e cila me shoqet e saj çdo ditë viziton shkollën e shkatërruar.
"Jam shumë e pikëlluar. Nuk mund të besoj se kjo i ka ndodhur shkollës sime", tha Anna Skiban, 12 vjeçe.
"Kur jam në klasën time, mendoj rreth asaj se sa shumë dua që lufta të përfundojë", tha 13- vjeçari Oleksandr Morhunov, i ulur në një karrige në klasën e tij të vjetër.
"Unë doja të diplomohesha këtu. Në këtë shkollë ndihesha sikur në shtëpinë time", tha Anastasia Avramenko, 13 vjeçe.
"Në fillim kisha frikë të vija në shkollë pasi u bombardua. Për një kohë të gjatë e shikoja nga larg. Në ato momente m'u duk sikur asgjë nuk kishte ndodhur kurrë", tha Sofia Zhyr, 14 vjeçe, shoku i klasës të së cilës u vra gjatë granatimeve.
Sofia Klyshnia, 12 vjeçe, qëndron mes rrënojave të klasës së saj të mëparshme, në të njëjtin vend ku dikur ishte banka e saj. “Është e frikshme të qëndroj në pjesën e shkatërruar të klasës ku kam mësuar më parë”, tha ajo.
"Kur jam në shkollë, mendoj për personin që vdiq në rrënoja. Më vjen shumë keq për të", tha Mykhaylo Kravchenko, 12 vjeç, ndërsa shikon një gropë në tokë ku dikur ishte kabineti i informatikës.
Aktualisht nuk ka asnjë plan apo buxhet për rindërtimin e shkollës nr. 21 në Çernihiv. Kur nisi viti shkollor më 1 shtator, këta nxënës u shpërndanë nëpër klasa në shkolla tjera.
Sipas zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, të paktën 379 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i luftës.
Ende nuk dihet për vendndodhjen e 223 fëmijëve.