Në një klasë të vogël me pak banka, pesë vajza dhe dy djem të kthyer nga Siria në Kosovë në prill të këtij, mësuan shkronjat e para shqipe.
Ndonëse gjatës kohës sa ishin në zonat e luftës, nuk ishin takuar me njëri-tjetrin, mësimi i bëri bashkë në Kosovë këta shtatë fëmijë.
Mosha e tyre është prej nëntë deri në 14 vjeç dhe pasi që janë të moshave të ndryshme, ata nuk mund të dërgohen në klasat përkatëse, kështu që ka tre muaj që ata kanë mësuar në një klasë të ndarë nga nxënësit e tjerë.
Në klasë ata qëndrojnë çdo ditë, nga tri orë e gjysmë.
Prej shtatë nxënësve sa ishin në klasën që ka vizituar Radio Evropa e Lirë, vetëm njëri kishte qenë në shkollë, para se familja e tij të shkonte në Siri dhe ta merrnin me vete.
SHIKONI EDHE: Fëmijët e kthyer nga Siria heqin simbolet fetare në shkollaKthimi në bankat e shkollës, për ta ishte si një ëndërr, tregon arsimtari, emri i të cilit është i njohur për redaksinë, por nuk mund të publikohet, me qëllim që të mos bëhet publik identiteti i fëmijëve dhe shkollës.
“Në fillim, mos të them me futjen në shkollë, por vetëm në oborr të shkollës, iu është dukur si ëndërr, nuk po e them prej vetes, por atë që ma kanë thënë fëmijët. E kam parë te ata, atë dëshirën shumë të madhe për të pasur shoqëri, për t’i dhënë mësuesi dashuri”, tregon arsimtari.
Ai ka treguar se që nga fillimi, fëmijët kanë shprehur dëshirë që të mësojnë sa më shumë.
Arsimtari që ua mësoi Alfabetin e gjuhës shqipe këtyre fëmijëve, tregon për Radion Evropa e Lirë, se ata kanë ditur vetëm të komunikojnë, por jo edhe të shkruajnë e të lexojnë shqip.
“Të flasin gjuhën shqipe nuk kanë pasur problem, kanë pasur problem në të shkruar dhe të lexuar, pasi që nuk kanë pasur njohuri rreth shkronjave, rreth alfabetit, rreth mësimit në gjuhën shqipe, por vetëm duke i dëgjuar prindërit duke folur shqip në vendet ku kanë qenë. Kanë mësuar vetëm të komunikojnë, por përndryshe nuk kanë pasur njohuri rreth mësimit. Kemi filluar me konkretisht, prej zeros me ta, me mësimin e shkronjave”, tregon arsimtari, i cili ka zhvilluar mësimet intensive me këta fëmijë.
*Video: Trajtimi psikologjik i të kthyerve nga Siria
Your browser doesn’t support HTML5
Ai tregon se kjo është java e fundit që këta nxënës mbajnë mësim në këtë klasë, pasi ndërkohë do të shikojnë së bashku me Ministrinë e Arsimit, se a janë këta fëmijë vërtetë të gatshëm për të vazhduar në klasën që i përkasin.
Por, ekziston rreziku që këta fëmijë të paragjykohen dhe të mos pranohen në shoqëri, thotë Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”.
Sipas tij, inkuadrimi i tyre fillon me eliminimin e çfarëdo paragjykimi nga komuniteti i shkollës.
“Paragjykimet krijohen nëse këta fëmijë etiketohet si të kthyer apo të rrezikshëm – kjo duhet të eliminohet dhe rikthimi i tyre në banka shkollore duhet të jetë sa më i natyrshëm, pikësëpari, duke ofruar rahati dhe siguri për vet fëmijët e kthyer dhe rrethin e tyre në klasë dhe shkollë”, thotë Qehaja.
Qehaja thotë se fëmijët e familjeve të kthyera nga Siria paraqesin shqetësim që kërkon zgjidhje dhe përkrahje institucionale.
“MASHT duhet të strukturojë inkuadrimin e tyre në sistem gjithmonë duke garantuar përfshirje të barabartë në shkollimin – çfarëdo lloj segregimi i tyre, padrejtësisht do të ndikojë në përkeqësim të adaptimit të fëmijëve nga kthimi”, thotë Qehaja.
Nga Siria në Kosovë, në prill të këtij viti, u kthyen 110 persona, prej tyre katër luftëtarë të huaj, 32 gra dhe 74 fëmijë.
Prej këtyre fëmijëve, dhjetë i përkasin nivelit të kopshteve, pesë nivelit parashkollor, 25 të nivelit fillor dhe 34 nivelit të mesëm dhe të lartë të arsimimit.