Autoritetet amerikane po tentojnë të zbulojnë motivin për atentatin ndaj Trumpit

Donald Trump duke u larguar nga skena nga agjentët e Shërbimit Sekret. 13 korrik 2024.

Byroja Federale amerikane e Hetimit (FBI) ka identifikuar Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, nga Bethel Park i Pensilvanisë si subjektin e përfshirë në atentatin kundër ish-presidentit amerikan, Doanld Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, gjatë një konference për media nga Shtëpia e Bardhë, pasi u takua me zyrtarët e agjencive të sigurisë, tha se ende nuk dihet motivi i sulmuesit, i cili u vra në vendngjarje nga agjentët e Shërbimit Sekret.

“FBI-ja po udhëheq hetimin. Ende nuk kemi informacion lidhur me motivin e sulmuesit. E dimë se kush është. I bëj thirrje të gjithëve që të mos hamendësojnë për motivet e tij apo për lidhjet e tij. Lëreni FBI-në të bëjë punën”, tha Biden.

SHIKONI EDHE: Çfarë dihet për personin që tentoi ta vriste Trumpin?

Kandidati i pritur republikan për president të SHBA-së, Trump, është jashtë rrezikut për jetë pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën teksa ai fliste në një tubim në Pensivlani më 13 korrik.

Shërbimi Sekret amerikan tha se një person, që ishte në audiencë, është vrarë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.

Agjentët e kanë vrarë sulmuesin në vendngjarje, bëri të ditur Shërbimi Sekret amerikan.

Trump tha se u qëllua me një plumb që i shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë.

"E kuptova menjëherë se diçka nuk po shkonte kur dëgjova krisma, të shtëna, dhe menjëherë ndjeva se plumbi po çante nëpër lëkurë", shkroi Trump në llogarinë e tij në Truth Social.

Trumpin e largojnë nga skena pas të shtënave në tubim

Me të dëgjuar të shtënat, agjentët e Shërbimit Sekret e tërhoqën ish-presidentin amerikan nga skena dhe e larguan me një automjet që e priste.

Sipas të dhënave, sulmuesi i dyshuar ishte i regjistruar si votues republikan në Pensilvani. Por, sipas raporteve federale financiare të fushatave zgjedhore, ai po ashtu kishte dhënë 15 dollarë donacion për një komitet politik progresiv më 20 janar 2021, në ditën kur presidenti Joe Biden bëri betimin.

Leslie Vinjamuri, drejtoreshë e Programit të SHBA-së dhe Amerikave në Chatham House në Londër, i tha Radios Evropa e Lirë se ishte shumë herët të dihet nëse e kaluara e Crooks ka ndikuar në këtë incident.

"Kam parë raportimin se ai është një republikan i regjistruar, i cili, kur ishte 17 vjeç, i dhuroi Act Blue [një grupi politik që bënë thirrje për votimin e demokratëve], duke sugjeruar se ai ishte në një moment edhe demokrat”, tha Vinjamuri.

"Ai ishte i ri. Nuk kemi ende informacion për motivin... Ne e dimë se shumë akte dhune janë të lidhura me çështjet e shëndetit mendor, me armët që janë në duart e njerëzve që nuk duhet t'i kenë ato. Dhe kështu ngurroj që të japë një vendim bazuar në informacionet vërtetë të kufizuara që kemi tani”, tha ajo.

Trump u kërkon amerikanëve të bashkohen

Trump, përmes një postimi në Truth Social, tha të dielën se mezi pret të flasë në Uiskonsin,ku javën e ardhshme do të mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane.

“Në këtë moment, është më e rëndësishme se kurrë që të jemi të bashkuar dhe të tregojmë karakterin e vërtetë si amerikanë, duke qëndruar të fortë dhe të vendosur”, shkroi ai.

Më vonë gjatë të dielës, Trump njoftoi se do të niset për në Milvuaki, Viskonsin, për të marrë pjesë në Kuvendin e republikanëve.

“Për shkak të ngjarjes së tmerrshme që ndodhi dje, unë vendosa të shtyja udhëtimin për në Uiskonsin dhe Kuvendin Kombëtar të republikanëve për dy ditë. Por, kam vendosur se nuk mund të lejoj një ‘sulmues’ apo vrasës potencial të më detyroj të ndryshoj itinerarin tim apo diçka tjetër. Prandaj, siç ishte paraparë edhe më herët, do të nisem sot për në Milvuaki”, shkroi Trump në rrjetin Truth Social.

Ky është postimi i dytë që ai ka bërë që kur u qëllua në vesh një ditë më parë në Pensilvani.

Shërbimi Sekret amerikan tha se po heton se si sulmuesi, i armatosur me një pushkë të stilit automatik mundi që të afrohej mjaftueshëm sa për të shtënë dhe për të plagosur Trumpin.

Sulmuesi, që u vra nga agjentët, qëlloi disa plumba drejt skenës “nga një pozicion i lartë jashtë vendit ku u mbajt tubimi”, tha Shërbimi Sekret.

SHIKONI EDHE: Historiku i vrasjeve dhe atentateve në SHBA

Trump, që u pa i gjakosur teksa u largua nga skena, mori mjekim në Pensilvani, para se të nisej në klubin e tij të golfit në Nju Xhersi.

Liderët nga e mbarë bota kanë dënuar fuqishëm tentim-vrasjen ndaj Trumpit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi të shtunën, pas të shtënave se është mirënjohës që merr vesh se Trump është mirë.

"Lutem për të dhe familjen e tij dhe për të gjithë ata që ishin në tubim, ndërsa presim informacione të mëtejshme", tha presidenti Biden.

"Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Ne nuk mund të jemi kështu. Ne nuk mund ta pranojmë këtë", shtoi ai.

Shtëpia e Bardhë tha se Biden, që po garon kundër Trumpit në zgjedhjet presidencial, ka folur me të disa orë pas të shtënave.

Të shtënat në Pensilvani ndodhën vetëm dy ditë pare se të nisë Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane, ku Trump, 78 vjeç, pritet të sigurojë nominimin e partisë për të garuar në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.