Pavarësisht që është e ndaluar, familjarët e personave të prekur me sëmundjen COVID-19, vazhdojnë t'i shoqërojnë ata në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Kjo thuhet se po ndodh për shkak të mungesës së stafit mjekësor.
Një nga familjaret që po qëndron brenda QKUK-së është edhe Blerta, e cila e ka babanë të shtrirë në Klinikën Infektive. Ajo thotë se është e detyruar që të blejë barnat me të cilat prindi i saj po trajtohet.
“Me infuzione, me barna, me të gjitha (duhet t’i blej vetë). Kujdes ka, doktorët vijnë shpesh në vizitë, por një familjar duhet patjetër të qëndrojë me të”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.
Në QKUK është edhe Blerimi, i cili po ashtu po përkujdeset për babanë e tij. Sipas tij, në ndërrimin e pasdites dhe natës, janë dy infermiere që kujdesen për të sëmurët, në dhjetë dhoma ku pacientët me koronavirus janë të shtrirë në Klinikën Infektive.
“Babën e kam me COVID-19 dhe angazhimi i stafit është maksimal, por nuk ka staf të mjaftueshëm. Janë dy motra në një ndërrim për dhjetë dhoma. Paradite ndoshta ka më shumë staf, por pasdite jo. Andaj, ne detyrohemi si familjar të kujdesemi. Përndryshe, ne si familje kemi vendosur që unë të kujdesem, pasi që tashmë e kam kaluar sëmundjen COVID-19”, tha ai.
Your browser doesn’t support HTML5
Familjarët e të sëmurëve me COVID-19 konsiderohen se janë raste kontakti me të infektuarit dhe sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ata do të duhej të vetizoloheshin.
Megjithatë, po ndodh e kundërta. Gjatë gjithë pandemisë në klinika të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ku pacientët me koronavirus janë trajtuar, ata janë shoqëruar nga familjarët.
Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha nuk deshi ta komentojë nëse iu lejohet ose jo familjarëve t’i shoqërojnë të sëmurët.
“Unë nuk kam çfarë të them, ju lutem drejtohuni në zyrën për informim”, tha ajo.
Ndërkaq, në zyrën për informim të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, zëdhënësi Shpend Fazliu tha se nuk i lejohet të flasë për sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
“Jo, nuk mund të flas asgjë për sëmundjen e COVID-19”, tha ai.
SHIKONI EDHE: Qindra euro për mjekim nga COVID-19Por, infektologu Sali Ahmeti, i tha Radios Evropa e Lirë, se familjarët e pacientëve të shtrirë në Klinikën Infektive, nuk janë të lejuar të vizitojnë pacientët. Kjo nuk ka qenë e lejuar edhe para pandemisë, marrë parasysh se aty trajtohen sëmundje ngjitëse.
“Klinika Infektive edhe jashtë sëmundjes së COVID-19 nuk e ka të lejuar vizitën e familjarëve. Ndodh që ndonjë familjar t’i thyejë këto rregulla. Kjo për shkak se klinika jonë ka qasje në shumë anë, por që në mënyrë protokollare e kanë të ndaluar”, tha Ahmeti.
Ndërkaq sa i përket furnizimit me barna, Ahmeti shtoi se po ju mungon ilaçi ‘Remdesivir’, e që ky ilaç tashmë është treguar i suksesshëm në shumë vende për trajtimin e COVID-19, dhe është ilaç anti-viral.
“Sa i përket barnave jemi mirë të furnizuar me terapi mbështetëse, kemi edhe oksigjen, por që po na mungon ‘Remdesivir’, një anti-viral që është treguar me efekte të mira për sëmundjen e COVID-19. Është duke u bërë përpjekje që ta sigurojnë, por ende se kemi në klinikë”, tha Ahmeti.
SHIKONI EDHE: SHBA e miraton remdesivirin për trajtimin e sëmundjes COVID-19Edhe Zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, kanë deklaruar se qasja dhe prania e personave që nuk i takojnë stafit shëndetësor, te personat e infektuar në klinikat ku ata po trajtohen për koronavirus, janë të palejuara.
Isme Humolli, zyrtare për emergjenca e OBSH-së në Kosovë, i ka thënë kohë më parë Radios Evropa e Lirë se COVID-19, ka shkallë të lartë të infektueshmërisë, ka pasqyrë të rëndë klinike, si dhe shkallë të lartë të vdekshmërisë. Sipas saj, prania brenda klinikave të QKUK-së e familjarëve të personave të infektuar me koronavirus, të cilët i shoqërojnë ata, është krejtësisht veprim i gabuar.
Kapacitetet spitalore drejt fundit
Sidoqoftë, që nga fillimi i pandemisë në Kosovë janë regjistruar 25,388 të infektuar me koronavirus, prej të cilëve 773 pacientë kanë vdekur ndërsa 16,362 janë shëruar.
Aktualisht kapacitete e Klinikës Infektive janë të mbushura me pacientë. Aty janë 120 shtretër, dhe të shtrirë janë 110 pacientë.
Infektologu Sali Ahmeti, thotë se çdo ditë po shtohet numri i personave që po kanë nevojë për hospitalizim si pasojë e COVID-19. Sipas tij, ata që kanë nevojë për oksigjeno-terapi, e që sipas tij janë të furnizuar me oksigjen. Sipas Ahmetit, të hospitalizuar janë kryesisht moshat e shtyra.