Falja e Xhumasë te Shën Sofia
Myslimanët në Stamboll e falën Xhumanë në Xhaminë e Madhe të Shën Sofisë, dy javë pasi presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, e riktheu monumentin historik në xhami.
Rreth 1,000 njerëz u lejuan të hynin brenda, pasi kaluan postblloqe të sigurisë, ndërsa të tjerët u falën jashtë.
Shën Sofia, apo siç njihet në Turqi Aja Sofia, u shndërrua në xhami pas pushtimit otoman të Kostandinopojës - Stambollit të sotëm - më 1453. Statusi i saj u ndryshua në muze, më 1934, nga themeluesi i republikës moderne turke, Mustafa Kemal Ataturk.
Një gjykatë turke e ktheu statusin e saj në xhami, dy javë më parë, dhe presidenti turk, Erdogan, i cili u fal të premten në Aja Sofia, e nënshkroi dekretin për xhami.
Erdogan ka thënë vitin e kaluar se ka qenë “gabim shumë i madh” shndërrimi i Aja Sofisë në muze.
Edhe pse vendimi është kritikuar nga disa, guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya, tha se “myslimanët janë të lumtur”.
Gjatë faljes së Xhumasë të premten u panë njerëz të moshave të ndryshme.
Ata që u falën brenda ishin kryesisht me maska, për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
Shën Sofia është një nga atraksionet më të njohura turistike të Turqisë; 3.7 milionë njerëz e kanë vizituar në vitin 2019.
Erdogan ka thënë se Shën Sofia do të mbetet e hapur për të gjithë myslimanët, jomyslimanët dhe vizitorët e huaj.