Drejtuesit e rrjeteve sociale para Senatit lidhur me zgjedhjet në SHBA

Logoja e Facebook-ut dhe Twitterit. Foto nga arkivi.

Shefat ekzekutiv të Facebook dhe Twitter janë përballur me senatorët amerikanë në dëgjimin e dytë brenda 3 javësh, lidhur me veprimet e tyre në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Në këtë dëgjim ata u pyetën nga senatorët republikan për aryset pse platformat e tyre kanë pasur plasim të kufizuar të artikullit kundërthënës për djalin e Joe Biden, i publikuar pak ditë para zgjedhjeve në SHBA.

Por, ata poashtu u sfiduan edhe për menaxhimin e postimeve të Presidentit Trump dhe të tjerëve që e kanë kontestuar rezultatin zgjedhor.

I pyetur nga senatorja demokrate, Dianne Feinstein se a kanë mjaftuar vetëm etikimet në postimet e Presidentit Trump në Twitter, duke i lejuar ato të publikohen?!

Drejtuesi i kësaj kompanie, Jack Dorsey tha se ai beson që duke ofruar “kontekstin” dhe ‘duke i lidhur njerëzit në një bisedë më të gjatë” ishte rruga e duhur që duhej të ndiqej.

Këto kompani përballen me ndryshimet eventuale të rregulloreve.

Në veçanti, presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden ka sugjeruar se mbrotja që këto kompani kanë aktualisht, bazuar në ligjin që njihet si Seksioni 230, duhet ”revokuar’ pasi e inkuarajon shpërndarjen e lajmeve të rreme.

Ligji thotë se platformat në përgjithësi nuk janë përgjegjëse për gjërat ilegale ose ofenduese të postuara nga përdoruesit.

Republikanët poashtu ngritën shqetësimin për këtë ligj. Ata thonë se i lejon kompanitë e mediave sociale që të marrin vendime se çka të heqin e çka të publikojnë, pa ofruar transparencë për arsyet, duke u bërë të njëanshëm.

“Kur keni kompani që kanë pushtetin e qeverive, që kanë më shumë pushtet sesa mediat tradicionale, diçka duhet ndërmarrë”, tha senatori republikan Lindsey Graham, kryetar i Komitetit të Gjyqësorit në Senat.

Të dy shefat ekzekutiv mbrojtën angazhimin e kompanive të tyre gjatë zgjedhjeve të fundit. Por, drejtuesi i Twitter, Jack Dorsey, pranoi se ka qenë gabim bllokimi në twitter i raportit të The New York Post për Hunter Biden, djalin e presidentit të zgjedhur amerikan Jeo Biden.

SHIKONI EDHE: Zyrtarët zgjedhorë në SHBA thonë se “nuk ka dëshmi” që zgjedhjet janë kompromentuar

Senatorët republikanë, duke përfshirë edhe kryetarin e këtij komiteti, senatorin Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, kanë refuzuar që të kundërshtojnë pretendimet e pabazuara të presidentit Donald Trump për mashtrim dhe parregullsi në zgjedhje, edhe pse informatat e rreme që e kontestojnë fitoren e Joe Bidenit, janë shpërndarë gjerësisht online.

Senatori Graham, që është aleat i ngushtë i presidentit Trump i ka kërkuar atij publikisht: “Mos e prano humbjen zoti president. Lufto fuqishëm”.

Muajin e kaluar, Zuckerberg dhe Dorsey iu premtuan ligjvënësve amerikanë se do të mbikëqyrnin në mënyrë rigoroze platformat e tyre, që të mos lejonin manipulime nga qeveritë e huaja, apo që ato të përdoreshin për nxitje të dhunës për shkak të rezultatit zgjedhor. Në fakt, ata edhe vepruan kështu edhe me raste të profilit të lartë, duke e zemëruar presidentin Trump dhe mbështetësit e tij.

Twitter dhe Facebook kanë bashkangjitur emërtimin për dezinformatë në disa nga postimet e presidentit Trump, veçmas ato postime ku ai e cilësonte votimin me postë si mashtrim.

SHIKONI EDHE: Twitter fsheh postimin e Trumpit për “zhdukjen e avantazhit” të tij

Të hënën, Twitter vendosi mbishkrimin ‘Burimet zyrtare kanë shpallur rezultatin e zgjedhjeve ndryshe” në një postim të presidentit Trump, ku ai proklamonte se :“Unë i kam fituar zgjedhjet”.

Facebook, dy ditë pas zgjedhjeve, largoi një grup të madh të quajtur “Ndaloni vjedhjen”, të cilin po e shfrytëzonin mbështetësit e presidentit Trump për të organizuar protesta kundër numërimit të votave. Grupi me 350 mijë anëtarë, ngriste zërin për pretendimet e pabazuara të Trump për manipulim të votave, e ku kërkohej që ato të shpalleshin të pavlefshme.

SHIKONI EDHE: Twitter etiketon postimet e Trumpit me paralajmërimin: “Sillni fakte”

Përderisa numërimi i votave vazhdonte, grupe të ngjashme me “Ndaloni vjedhjen” mund të gjendeshin lehtë në Facebook. Që nga e hëna, Facebook-u duket se e ka bërë më të vështirë që ato të gjinden, por ende ishte e mundur që të lokalizohen, duke përfshirë edhe disa grupe prej mijëra anëtarësh.

Trump dhe republikanët i kanë akuzuar mediat sociale për anshmëri, duke pyetur se si është e mundur që këto kompani kanë fuqi që të filtrojnë fjalimet dhe idetë.

Edhe demokratët i kritikojnë ato, por për arsye të tjera.

Rezultati është se të dyja palët janë të interesuara që t’u heqin kompanive një pjesë të masave mbrojtëse që iu është dhënë atyre, si mbrojtje nga përgjegjësia ligjore, për atë se çka postojnë njerëzit në platformat e tyre.

Pavarësisht frikës për sigurinë e zgjedhjeve, ku kompanitë mediale u përgatitën për më të keqen, këto zgjedhje rezultuan të jenë më të sigurtat në historinë e SHBA-së, kanë thënë zyrtarë të të dyja partive, duke mohuar pretendimet e pabazuara për mashtrim nga presidenti Trump.

Facebook insiston se ka marrë mësim nga zgjedhjet e vitit 2016, dhe nuk është më platformë për dezinformata, shtypje të votuesve apo përçarje.

Në vjeshtë, Facebook ka thënë se ka larguar një numër të vogël rrjetesh të llogarive dhe faqeve, të lidhura me Agjencinë ruse të kërkimit në internet, që ka shërbyer si fabrikë e shpërndarjes së lajmeve të rreme, e që në vitin 2016, kishte qëllim të shkaktonte ndasi në politikën amerikane. Twitter ka suspenduar pesë llogari të ngjashme.

Por, kritikët e jashtëm, duke përfshirë edhe disa punëtorë të Facebook-ut, thonë se përpjekjet e kompanisë për të shtrënguar masat mbrojtëse janë të pamjaftueshme, edhe pse kompania ka shpenzuar miliarda për këtë qëllim.

Nuk ka dëshmi se gjigantët e mediave sociale janë të njëanshme kundër lajmeve për konservativët, postimet apo materialet e tyre, apo që e favorizojnë njërën palë në debate.

Përgatiti: Shkumbin Ahmetxhekaj