Evropa rikthen masat kufizuese për luftim të pandemisë

Qytetarët vizitojnë një treg Krishtlindjesh në Zvicër më 6 dhjetor, 2021.

Liderët evropianë kanë rikthyer kufizimet për të luftuar pandeminë e koronavirusit, teksa varianti Omicron vazhdon të përhapet nëpër kontinent.

Gjermania dhe Portugalia janë në mesin e shteteve që kanë bërë të ditura kufizime pas Festës së Krishtlindjes.

Omicron tashmë është variant dominues në shumë vende të Evropës.

Hans Kluge nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka thënë se vala e re e infektimit do të përballë me vështirësi sistemet shëndetësore.

Sipas tij “një tjetër stuhi” është duke ardhur dhe qeveritë duhet të bëhen gati për rritje të konsiderueshme të infektimeve.

SHIKONI EDHE: Dozat përforcuese, kyçe në luftimin e Omicronit

Gjermania ka bërë të ditur se nga 28 dhjetori do të kufizojë organizimet private në deri 10 persona dhe klubet e natës do të mbyllen.

“Koronavirusi nuk ka pushim për Krishtlindje”, ka thënë kancelari gjerman, Olaf Scholz të martën.

Portugalia do të mbyllë baret dhe klubet e natës nga 26 dhjetori, derisa punën nga shtëpia do të bëjë të obligueshme deri më 9 janar.

Në Finlandë, baret dhe restorantet do të mbyllen në orën 22:00 nga 24 dhjetori.

Në Suedi, baret, kafiteritë dhe restorantet do të mund t’iu shërbejnë vetëm konsumatorëve të ulur dhe njerëzve u është kërkuar të punojnë nga shtëpia.

Prej shpërthimit të pandemisë, Evropa ka regjistruar më shumë se 89 milionë raste të infektimit me koronavirus.

Prej tyre, 1.5 milion persona kanë vdekur.