Britania, Franca dhe Gjermania – tri shtetet nënshkruese të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore – kanë shprehur shqetësim të thellë mbi raportin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që thotë se Teherani ka rritur prodhimin e metalit të uraniumit dhe ka rritur në përgjithësi pasurimin e uraniumit, që paraqet shkelje të marrëveshjes.
“Ne, qeveritë e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar me shqetësim të thellë kemi parë raportimin e fundit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore që konfirmon se Irani për herë të parë ka prodhuar metal të uraniumit deri në 20 për qind të pastër dhe ka rritur ndjeshëm kapacitetet e prodhimit të uraniumit të pasuruar deri në 60 për qind”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ministrave të Jashtëm të të tri shteteve.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore tha më 16 gusht se Irani ka prodhuar për herë të parë 200 gramë të metalit të uraniumit të pasuruar deri në 20 për qind, ndërkaq më 17 gusht, në një raport tjetër tha se Irani po e pasuron uraniumin deri në 60 për qind pastërti, duke përdorur centrifugat në uzinën bërthamore Natanz.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja e shqetësuar me prodhimin e metalit të uraniumit në IranSipas marrëveshjes së vitit 2015, Teherani është zotuar se nuk do të prodhojë metal të uraniumit, material që mund të përdoret për të prodhuar bombë bërthamore.
Por, më herët gjatë këtij viti, Irani ndërmori një sërë hapash që shkelën marrëveshjen e vitit 2015, pasi ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione. Irani më pas tha se po bënte hulumtime për metalin e uraniumit për të krijuar një reaktor të ri.
Presidenti amerikan, Joe Biden tha se dëshiron që të kthehet në marrëveshje, por bisedimet në Vjenë, të ndërmjetësuara nga evropianët, për të kthyer Uashingtonin dhe Teheranin në marrëveshje, kanë ngecur.
Irani më 18 gusht ka konfirmuar raportin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore për pasurimin e uraniumit deri në 60 për qind pastërti, duke thënë se veprimet janë përgjigje ndaj sanksioneve amerikane.
Për prodhimin e armëve bërthamore kërkohet që uraniumi të pasurohet deri në 90 për qind dhe po ashtu kërkohen edhe një sërë hapash të tjerë teknikë që të mund të prodhohet një bombë bërthamore.
“Irani duhet të ndalë këto aktivitete që janë në kundërshtim me marrëveshjen”, thanë Britania, Franca dhe Gjermania.