Evropa e mbështet Tajvanin, thotë delegacioni i PE-së

Delegacioni i Parlamentit Evropian pas arritjes në Tajvan.

Një delegacion i Parlamentit Evropian (PE) po viziton Tajvanin në kohën kur tensionet mes ishullit dhe Kinës janë në rritje.

Raportohet se kjo është vizita e parë e ligjvënësve evropianë në Taipei.

Delegacioni u udhëheq nga eurodeputeti francez, Raphael Glucksmann, një kritik i zëshëm i Kinës. Ai është në mesin e pesë ligjvënësve të sanksionuar nga Pekini në muajin mars.

Demokracia e Tajvanit është "një pasuri" që duhet mbrojtur, tha Glucksmann, duke premtuar se do të mbështesë rajonin në mosmarrëveshjet me Pekinin.

Tajvani është një rajon demokratik dhe thotë se është i pavarur, por Kina e sheh si një provincë të shkëputur.

SHIKONI EDHE: Mendoni dy herë para se të bashkëpunoni me Kinën, porosit ministri tajvanez

Në vitet e fundit Pekini ka intensifikuar përpjekjet për ta izoluar atë në skenën ndërkombëtare.

Aeroplanët ushtarakë kinezë disa herë gjatë muajve të fundit kanë hyrë në zonën mbrojtëse ajrore të Tajvanit duke ngritur shqetësimet ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara kanë raporte të ngushta me Tajvanin dhe kanë thënë se do të angazhohen për t’i siguruar mbrojtje.

"Ne erdhëm këtu me një mesazh shumë të thjeshtë, shumë të qartë -- ju nuk jeni vetëm", tha ligjëvënësi evropian derisa delegacioni u takua me Presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen.

“Evropa po qëndron me ju në mbrojtje të lirisë dhe mbrojtjes së sundimit të ligjit dhe dinjitetit njerëzor”, tha ai, duke shtuar se Bashkimi Evropian duhet të rrisë bashkëpunimin me Tajvanin.

Misioni kinez në Bruksel kishte paralajmëruar më herët se një vizitë në Tajvan nga eurodeputetët do të "dëmtonte interesin e Kinës dhe do të minonte zhvillimin e raporteve Kinë-BE".