Rinisin evakuimet nga Kabuli pas sulmeve vdekjeprurëse

Aeroporti i Kabulit. Gusht, 2021.

Fluturimet që evakuojnë afganë dhe të huaj nga Kabuli, rifilluan një ditë pasi dy sulme vetëvrasëse vranë dhjetëra njerëz që prisnin për t’u larguar, jashtë hyrjes së aeroportit.

Banorët e kryeqytetit thanë se aeroplanët mund të shiheshin duke u ngritur nga aeroporti qysh herët në mëngjes, ndërsa turma njerëzish janë të mbledhura në zonën e Portës Abbey.

Shpërthimet që ndodhën të enjten në këtë zonë, lanë të vrarë mbi 90 vetë, në mesin e tyre 13 ushtarë amerikanë.

Përgjegjësinë për sulmet e mori një degë rajonale e grupit militant Shteti Islamik.

SHIKONI EDHE: Rritet numri i viktimave nga sulmi në Kabul

Presidenti amerikan, Joe Biden, u zotua se do të hakmerret dhe se do t’i bëjë terroristët “të paguajnë”.

Ai tha se komandantët amerikanë janë urdhëruar të zhvillojnë plane operacionale për të goditur pasuritë, udhëheqjen dhe objektet e grupit Shteti Islamik Khorasan.

Talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit më 15 gusht.

Që atëherë, SHBA-ja dhe forcat aleate kanë evakuuar mbi 100,000 njerëz.

Turmat duan të largohen, sepse shumë kanë frikë nga hakmarrja e talibanëve për shkak të punës së tyre me trupat ndërkombëtare gjatë dy dekadave të fundit.

Disa po ashtu druajnë se regjimi taliban mund të vendosë një interpretim të ashpër të ligjit islamik, që shtyp sidomos gratë.

Afati për përfundimin e evakuimeve është data 31 gusht.