Viktima dhe të plagosur pranë aeroportit të Kabulit

Your browser doesn’t support HTML5

Viktima dhe të plagosur nga shpërthimi në Afganistan

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se sot ishte një "ditë e vështirë" në Kabul dhe se terroristët nuk do të mund ta pengojnë misionin e evakuimit të amerikanëve nga Afganistani.

"Për ata që kryen këtë sulm, si dhe për këdo tjetër që e dëshiron Amerikën të dëmtuar: Ne nuk do të falim. Ne nuk do të harrojmë. Ne do t'ju ndjekim dhe do t'ju detyrojmë të paguani", tha Biden gjatë një paraqitjeje nga Shtëpia e Bardhë në mbrëmjen e 26 gushtit.

Disa njerëz janë vrarë dhe shumë tjerë janë plagosur nga dy sulme vetëvrasëse me bombë që kanë tronditur aeroportin e Kabulit të enjten (26 gusht).

Incidenti ka shtuar kaosin në aeroport disa ditë para datës 31 gusht kur duhet të përfundojë tërheqja e plotë trupave të huaja nga Afganistani.

Kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së, gjenerali, Kenneth McKenzie, tha se 12 ushtarakë amerikanë ishin në mesin e atyre që u vranë. Zyrtarët shëndetësorë në Kabul u cituan të thoshin se 60 civilë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi ekstremist Shtetit Islamik (IS), që në Afganistan vepron si ISIS-K.

"Ne nuk do të pengohemi nga terroristët. Ne nuk do të ndalojmë misionin. Ne do të vazhdojmë evakuimin", tha Biden.

Ai lë të kuptohet se sulmuesit mund të kenë ardhur nga burgjet që u hapën nga talibanët gjatë marrjes së kontrollit të Afganistanit.

Lokacioni ku ndodhën shpërthimet në Kabul.

Mijëra njerëz ishin mbledhur para aeroportit në përpjekje për të ikur nga Afganistani pavarësisht paralajmërimeve për një kërcënim "shumë të besueshëm" të një sulmi terrorist.

Një zëdhënës taliban ka thënë se të paktën 13 persona janë vrarë dhe 52 të tjerë janë plagosur në sulmin në aeroportin e Kabulit. Zyrtari tha se në mesin e viktimave kishte gra dhe fëmijë dhe se një numër i rojeve talibane ishin plagosur. Ky informacion nuk është konfirmuar.

Të plagosurit nga shpërthimi arrijnë në një spital në Kabul, Afganistan, 26 gusht 2021.

Më herët, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore i paralajmëruan qytetarët e tyre që të largohen menjëherë nga zonat përreth aeroportit të Kabulit, për shkak të kërcënimeve për një sulm terrorist.

Evakuimet nga Afganistani po vazhdojnë, tha gjenerali McKenzie, duke shtuar se rreth 1.000 qytetarë amerikanë vlerësohet të jenë ende në Afganistan.

Vendet po nxitojnë t’i evakuojnë njerëzit deri në afatin e 31 gushtit.

SHIKONI EDHE: Çfarë ndodh me evakuimet pasi SHBA-ja të largohet nga Afganistani?

Kryeministri britanik, Boris Johnson, gjithashtu u zotua të vazhdojë përpjekjet për evakuim pas sulmit terrorist "barbar".

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Franca do të vazhdojë të evakuojë shtetasit francezë "sapo që kushtet do të përmbushen" në aeroport.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka caktuar 31 gushtin si afat për përfundimin e evakuimit të njerëzve dhe të tërheqjes së trupave amerikane, që ruajnë aeroportin.

Biden ka përmendur kërcënimet terroriste nga dega rajonale e grupit militant Shteti Islamik si arsye për mbajtjen e këtij afati.

Dega e Shtetit Islamik në Afganistan dhe Pakistan ka qenë përgjegjëse për disa nga sulmet më vdekjeprurëse në këto vende, viteve të fundit.

Video:

Your browser doesn’t support HTML5

Plagët e qytetit afgan prej pushtimit nga talibanët

Derisa trupat perëndimore po punojnë brenda aeroportit për evakuimin e qytetarëve, luftëtarët talibanë po ruajnë perimetrin e jashtëm.

Qëkur talibanët kanë hyrë në Kabul më 15 gusht, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë evakuuar më shumë se 88,000 njerëz.

Ushtria amerikane ka thënë se aeroplanët po ngrihen çdo 39 minuta nga aeroporti i Kabulit.

SHIKONI EDHE: Talibanët po kufizojnë mediat, thonë Reporterët pa Kufij

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha në një konferencë për media në Uashington se nuk ka afat në përpjekjet për të ndihmuar njerëzit që duan të largohen nga Afganistani - si amerikanët, ashtu edhe të tjerët - dhe se kjo do të vazhdojë “për aq kohë sa duhet”.

Talibanët kanë thënë se trupat e huaja duhet të jenë jashtë Afganistanit deri në fund të këtij muaji dhe kanë përjashtuar çdo zgjatje të afatit.

Ata u kanë bërë thirrje afganëve që të qëndrojnë, ndërsa kanë thënë se ata që kanë leje për t'u larguar, do të lejohen ta bëjnë këtë sapo të rifillojnë fluturimet komerciale.

SHIKONI EDHE: Talibanët u kthyen – çka tash?

Talibanët kanë sunduar Afganistanin edhe në periudhën 1996-2001, me një interpretim brutal të ligjit islamik.

Talibanët tani premtojnë një sundim më të butë, por shumë kanë frikë nga kufizimet e ashpra që mund t’i imponojnë, si dhe nga ndëshkimi për shkak të punës me ushtritë e huaja dhe misionet perëndimore.

Shqetësime të veçanta ka për gratë, të cilave, gjatë sundimit të mëparshëm taliban, u është ndaluar shkollimi dhe punësimi.