Mbi 13.000 persona që u larguan nga Nagorno-Karabaku kanë arritur në Armeni, thanë zyrtarët, në një eksod masiv që pasoi një ofensivë të Azerbajxhanit që i dha Bakusë kontrollin e plotë të këtij rajoni malor.
Autoritetet në Nagorno-Karabak, ndërkaq, thanë se të paktën 20 persona janë vrarë dhe pothuajse 300 të tjerë janë plagosur gjatë shpërthimit në një pikë karburanti, teksa qytetarët që po largoheshin nga rajoni për në Armeni po furnizohesh me karburante.
Shpërthimi, ende i pashpjegueshëm, jashtë kryeqytetit rajonal Stepaankert ndodhi më 25 shtator, në mes të një eksodi gjithnjë e më kaotik.
Bakuja është zotuar se do të trajtojë mirë banorët armenë etnikë që po ikin nga enklava. Nagorno-Karabaku ishte nën kontrollin e armenëve etnikë deri para një jave, por Qeveria armene ka paralajmëruar për një “spastrim të mundshëm etnik”.
SHIKONI EDHE: Pse 120.000 njerëz do të zhvendosen nga Nagorno-Karabaku?Mijëra persona janë bllokuar në rrugët malore që çojnë për në Armeni dhe Qeveria armene tha më 26 shtator se mbi 13.000 persona veçse kanë hyrë në shtet.
Trafiku u ndal sërish më 26 shtator përderisa qindra makina dhe kamionë u bllokuan në rrugën kryesore në Korridorin Laçin dhe një numër i madh i personave kanë mbetur në qytetin Goris, që gjendet në kufi me Armeninë.
Sipas të dhënave, në Nagorno-Karabak deri para një jave kanë jetuar rreth 120.000 armenë etnikë.
Ndërkaq, protestat në Jerevan të Armenisë kanë vazhduar lidhur me reagimin e Qeverisë për krizën.
Protestuesit kanë bllokuar rrugët, teksa autoritetet thanë se mbi 50 persona janë arrestuar më 26 shtator.
Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar dy luftëra në tri dekadat e fundit lidhur me kontrollin e rajonit të banuar me shumicë armenë etnikë. Nagorno-Karabaku ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Armenisë.
Fillimisht, ai u mor nën kontroll nga forcat armene etnike pasi përfundoi lufta më 1994. Gjatë luftës më 2020, Azerbajxhani mori pjesë të rajonit dhe territoreve përreth.
Luftimet përfunduan pasi Rusia ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi dhe në atë pjesë u vendosën paqeruajtësit rusë.