Administrata amerikane është duke analizuar tri shtete të Azisë Qendrore për të dërguar përkohësisht mijëra afganë, që kanë punuar me forcat amerikane dhe përballen me kërcënim nga talibanët, pas tërheqjes së trupave amerikane pas 20 vjetëve prezencë, kanë thënë disa burime të afërta me këto zhvillime, për agjencinë e lajmeve Reuters.
Sipas burimeve, Uashingtoni është duke zhvilluar bisedime me Kazakistanin, Taxhikistanin dhe Uzbekistanin për të pranuar qytetarët e rrezikuar afganë.
Your browser doesn’t support HTML5
Vendimi për të bartur këta afganë rrezikon rritjen e krizës në Afganistan, ndërkohë që luftimet mes forcave afgane, të përkrahura nga Shtetet e Bashkuara, dhe talibanëve, janë përkeqësuar në javët e fundit, meqë militantët kanë fituar kontrollin e disa zonave të mëdha të territorit.
Mijëra përkthyes afganë mund të jenë të kërcënuar nga talibanët, pasi kanë punuar për dy dekada me ushtrinë amerikane.
SHIKONI EDHE: Frika e punonjësve afganë: “Talibanët do të na vrasin”Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditura planet për t’iu siguruar jetesë mijëra afganëve jashtë Afganistanit, në mënyrë që aplikacionet e tyre për viza amerikane të kryhen me siguri.
As zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki nuk ka dhënë shumë informacione për këtë çështje ditë më parë.
“Një nga arsyet se pse nuk do të jap detaje se në cilin shtet të tretë mund të shkojnë ata, se sa janë në numër, është për shkaqe sigurie, mirëpo sigurisht që planet tona janë që të dërgojmë këta individë jashtë Afganistanit, para se të largohet plotësisht ushtria jonë”, ka thënë Psaki.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se ata që u kanë ndihmuar Shteteve të Bashkuara, nuk do të mbeten prapa.
Një ligjvënës i lartë republikan ka thënë se plani për të evakuuar afganët e rrezikuar, bashkë me familjet e tyre, përfshin rreth 50.000 persona.
“Jemi duke identifikuar një grup të aplikantëve për viza speciale të imigrimit, të cilët kanë shërbyer si përkthyes, apo janë pjesë e kategorive të rrezikuara, që kanë punuar me ne. Ata do të dërgohen në një lokacion jashtë Afganistanit para se të tërhiqen të gjithë trupat tanë në shtator, në mënyrë që të kompletohet procesi i vizës”, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës Biden, në kushte anonimiteti.
Your browser doesn’t support HTML5
Uashingtoni është pajtuar për të tërhequr trupat, pas një marrëveshjeje të negociuar vitin e kaluar nën udhëheqësinë e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Biden ka refuzuar këshillën e liderëve ushtarakë që të mos nisë tërheqja e trupave para se të arrihet një marrëveshje në mes të kryengritësve dhe Qeverisë së presidentit afgan Ashraf Ghani, e cila përkrahet nga Shtetet e Bashkuara.
Biden i ka thënë Ghanit javë më parë që afganët duhet të vendosin për të ardhmen e tyre.
Ghani, në anën tjetër, ka thënë se është puna e tij që të “menaxhoj pasojat” e tërheqjes amerikane.
SHIKONI EDHE: Biden, liderëve afganë: Duhet të vendosni për fatin e shtetit tuajViza për gratë afgane
Grupet për të drejta të njeriut i kanë kërkuar Departamentit amerikan të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë që të ndajë 2.000 viza për gratë që kanë krijuar politika në këtë shtet.
Gratë kanë shënuar përparim përgjatë pushtimit amerikan për dy dekada dhe mbështetësit e tyre duhet të jenë pjesë e listës po ashtu, kanë thënë grupet për të drejta të njeriut.
“Jetët janë në rrezik”, ka thënë Teresa Casale, drejtore e Listës Mina, e cila mbron të drejtat e grave nëpër qeveri, në gjithë botën.
“Lideret gra janë duke u shënjestruar vazhdimisht dhe janë duke u vrarë nga forcat talibane. Ato pranojnë kërcënime për jetët e tyre dhe sigurinë çdo ditë”.
Zyrtarë policorë afganë, punëtorë mediash, gjyqtarë dhe punëtorë shëndetësorë, janë vrarë në Afganistan, ndërkohë që forcat e huaja ushtarake largohen nga ky shtet.
SHIKONI EDHE: Talibanët duan t’iu japin të drejta grave… por me kushtet e tyreOrganizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Right Watch ka thënë në muajin prill se gratë që dalin në televizion dhe radio, përballen me kërcënime në veçanti.
Nën rregullin taliban, grave u është ndaluar edukimi dhe puna, u është kërkuar të mbulojnë tërësisht trupat e tyre dhe nuk kanë mundur të dalin nga shtëpia pa ndonjë familjar burrë.
“Shkeljet morale” janë ndëshkuar me gjuajtje me gurë në publik.