Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), tha se nuk ka vërejtur ndonjë ndryshim në veri, sa i përket dyshimeve se Serbia po rihap zyrat e saj të Ministrisë së Punëve të Brendshme në katër komunat në veri.
“Gjatë patrullimeve tona të rregullta, nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim në terren”, thanë nga EULEX-i në një përgjigje të shkurtër dërguar Radios Evropa e Lirë.
Radio Evropa e Lirë siguroi disa të dhëna të një institucioni të sigurisë në Kosovë ku thuhej se Serbia po tenton të rihapë zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të saj në katër komunat në veri të shtetit, të banuara me shumicë serbe.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta konfirmojë këtë informacion në terren e as nga institucionet serbe.
SHIKONI EDHE: Kosova dyshon se Serbia po riinstalon policinë në veriSipas këtyre të dhënave, në katër komuna të veriut të Kosovës, që nga 11 maji i këtij viti janë vendosur zyrat e MPB-së së Serbisë, të cilat kanë qenë funksionale deri në vitin 2013. Selia kryesore e MPB-së serbe, sipas informacioneve të këtij institucioni të sigurisë së Kosovës, do të jetë në Zveçan, afër shkollës fillore “Vuk Karaxhiq”.
Serbia ka pasur strukturat e saj të sigurisë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq deri në vitin 2013. Por, pas marrëveshjes së arritur në dialogun e Brukselit, ato u integruan në institucionet e Kosovës, kryesisht në Policinë e Kosovës.
Mirëpo, pothuajse të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që qarkullojnë në veri me tabela që i lëshon Serbia.
Serbia e mbështeti këtë veprim dhe në këmbim u dha të gjithëve kontrata me paga të njëjta siç i kishin marrë nga institucionet e Kosovës.
SHIKONI EDHE: Lidhjet e ish-policëve serbë të Kosovës me BeogradinTë dhënat e siguruara nga REL-i tregojnë se të njëjtat zyre do të hapen edhe në Leposaviq dhe Zubin Potok, po ashtu edhe në objektet e përdorura më parë nga MPB-ja e Serbisë.
Gjithashtu, prezenca e MPB-së së Serbisë është planifikuar edhe në Rudarë afër Zveçanit.
As Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, e as Qeveria e Kosovës nuk kanë komentuar për këto pretendime. Përgjigje për REL-in nuk ka kthyer as Agjencia e Informacionit të Serbisë (BIA) dhe Ministria e Brendshme serbe.
Ndryshe, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit dhe autoritetet serbe kanë thënë se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga katër komunat në veri.