Estonia planifikon t’ua ndalojë hyrjen në këtë shtet rusëve me viza Shengen, për shkak të luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Urmas Reinsalu, ka thënë më 11 gusht se ndonëse vizat Shengen që janë lëshuar nga shteti i tij do të jenë valide, ato nuk do të pranohen për hyrje në Estoni.
Estonia nuk ka lëshuar viza turistike për rusët pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, me përjashtim të familjarëve të shtetasve estonezë.
Reinsalu ka thënë se vendimi i ri prek rreth 50.000 njerëz që kanë viza të lëshuara nga Estonia.
Sipas tij, Qeveria estoneze do të diskutojë në ditët në vijim edhe mënyra sesi t’ua ndalojë të gjithë shtetasve rusë hyrjen ne Estoni.
Your browser doesn’t support HTML5
Ministri ka thënë se vizat Shengen që ka lëshuar shteti i tij, do të jenë të vlefshme për të vizituar shtetet tjera që janë pjesë e asaj zone.
Estonia dhe Finlanda u kanë bërë thirrje vendeve tjera të BE-së që të mos lëshojnë viza turistike për shtetasit rusë.
Kjo çështje do të diskutohet në nivel të bllokut evropian, sepse legjislacioni aktual nuk lejon diçka të tillë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Ivan Nechayev, i ka quajtur nismat për ndalesa ndaj rusëve si “manifestime të hapura të shovinizmit dhe përpjekje të pamatura për të anuluar gjithçka ruse, gjë që është e pamundur”.
Ndërkohë, kancelari gjerman, Olaf Scholz ka thënë më 11 gusht se ai është kundër ndalesës ndaj shtetasve rusë.
“Kjo është luftë e presidentit rus, Vladimir Putin, kështu që për mua është e rëndë kjo ide” u ka thënë ai gazetarëve në Berlin.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.