Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se në veri të Kosovës nuk mund të përsëriten tensionet e 31 korrikut, kur disa serbë lokalë ngritën barrikada, për të penguar Qeverinë e Kosovës në zbatimin e vendimeve të saj për targa dhe dokumente udhëtimi.
Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, takuan mëngjesin e së enjtes përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës.
“Kjo është arsyja përse jemi sot këtu, që njerëzit të mos kenë frikë, të mos kenë frikë për jetën e tyre, për një jetë normale... Ne po bëjmë gjithçka për t’u siguruar që të mos ketë barrikada”, tha Lajçak pas takimit të zhvilluar në Mitrovicën e Veriut.
Ai nuk deshi të flasë për zgjidhje dhe propozime të mundshme, duke thënë se “misioni po vazhdon” dhe se paqja duhet të ruhet.
SHIKONI EDHE: Kamionët e kujt janë përdorur për barrikada në veri të Kosovës?Lajçak, po ashtu, nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova që të shtyjë edhe një herë zbatimin e vendimit - për tre muaj të tjerë, siç u spekulua në disa media në Kosovë.
“Ka aq shumë spekulime rreth këtij procesi, nuk dua të futem në to”, tha ai.
Diplomati evropian nuk komentoi as deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se nga 1 shtatori do të nisë zbatimi i vendimeve për targa dhe dokumente udhëtimi, por tha se "po punohet që të mos ketë barrikada".
“Unë jam optimist, duhet të jem optimist. Ne duam që 1 shtatori të jetë një ditë normale dhe e zakonshme”, tha Lajçak.
Escobar tha shkurtimisht se “misioni vazhdon në Beograd” dhe se ai shpreson të bëjë një deklaratë në Beograd - sot më vonë ose nesër.
As Lista Serbe - subjekti më i madh serb në Kosovë, përfaqësues të të cilit morën pjesë në takim - nuk u prononcua për media.
Escobar dhe Lajçak nisën vizitën në Kosovë më 23 gusht. Ata takuan fillimisht presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e më pas kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës.
Qëllim i vizitës së tyre u tha të jetë evitimi i përsëritjes së tensioneve në veri të Kosovës.
Disa serbë atje u rebeluan më 31 korrik, pasi Qeveria e Kosovës mori vendim për riregjistrimin e makinave të tyre - nga targat që i lëshon Serbia me targa të Kosovës - si dhe për lëshimin e dokumenteve të Kosovës për të gjithë serbët që hyjnë në Kosovë.
Pas tensionimit të situatës dhe sugjerimit të bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës e shtyu zbatimin e vendimeve të saj për 1 shtator.
Escobar tha të mërkurën - pas takimit me udhëheqësit institucionalë dhe të partive opozitare në Prishtinë - se pret që Kosova dhe Serbia të kenë një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së targave dhe të dokumenteve serbe.
Ai tha se është siguruar se askush nuk dëshiron përshkallëzim të situatës apo dhunë më 1 shtator. Lajçak e tha të njëjtën gjë.
Your browser doesn’t support HTML5
Përfaqësuesit e serbëve nga katër komunat e veriut të Kosovës - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - miratuan të mërkurën një deklaratë, përmes së cilës, paralajmëruan braktisjen e mundshme të institucioneve të Kosovës, nëse nuk gjendet zgjidhje për targat dhe dokumentet për hyrje/dalje.
Ata thanë se ia kanë lënë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që “ta zgjidhë çështjen me kompromis”.
SHIKONI EDHE: Shea: NATO-ja garanton sigurinë në Kosovë, jo BeogradiGjithashtu të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një konferencë për media se targat KS - neutrale ndaj statusit të Kosovës - nuk mund të kthehen, ashtu siç kërkon Beogradi.
Ai përsëriti se automjetet me këto targa do të duhet të riregjistrohen në RKS - Republika e Kosovës.
Sa u përket dokumenteve për hyrje/dalje, Kurti tha se alternativa më e mirë do të ishte heqja e plotë e tyre, si për qytetarët e Kosovës kur hyjnë në Serbi, ashtu edhe për qytetarët serbë kur hyjnë në Kosovë.
Escobar dhe Lajçak do të udhëtojnë sot për në Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për targa dhe dokumente, Kurti dhe Vuçiq u takuan më 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por pa arritur ndonjë rezultat konkret.
Të tjera në këtë temë:
- Kurti për REL: Situata në veri mund të përshkallëzohej në konflikt të armatosur
- Çfarë mendojnë në Beograd dhe Mitrovicë të Veriut për situatën në veri?