I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka bërë të ditur se gjatë takimit me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarin, kanë diskutuar "në thellësi "për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Bashkë me ekipet tona, ne e kaluam ditën e djeshme në një diskutim të thellë për dialogun, gjendjen aktuale dhe rrugën përpara, si dhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor”, shkroi Lajçak në Twitter për takimin e tyre të 22 gushtit në Bruksel.
BE-ja ndërmjetëson prej më shumë se dhjetë vjetësh në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës në fund të majit, BE-ja ka kërkuar vazhdimisht shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.
Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës i ka injoruar kërkesat e saj, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në fund të qershorit, në formë të pezullimit të përkohshëm të punës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Po ashtu, prezenca e Kosovës në organizimet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale është pezulluar.
Në tentim për t’i ulur tensionet në veri, Lajçak dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, arritën marrëveshje për shtensionim të situatës në veri më 10 korrik, në Bratisllavë.
Përveç hapave konkretë që kanë të bëjnë me tërheqjen e policisë nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, BE-ja theksoi edhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të dala nga dialogu.
SHIKONI EDHE: BE-ja do hapa të tjerë pas zvogëlimit të pranisë policore në veriShtensionimi i situatës në veri dhe kthimi në dialog janë kërkesa edhe të shteteve perëndimore ndaj Kosovës.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë një bisede me gazetarët në Prishtinë, më 16 gusht, tha se kërkesat e vendit të tij ndaj Qeverisë së Kosovës nuk kanë të bëjnë me presion.
SHIKONI EDHE: Hovenier: Kërkesat e SHBA-së ndaj Kosovës nuk janë presion