Erdogan u bën thirrje Suedisë dhe Finlandës të përmbushin premtimet e marrëveshjes së NATO-s

Presidenti i Turqisë, Recep Tajip Erdogan deklaroi se Finlanda dhe Suedia duhet së pari të mbajnë premtimet e bëra ndaj Ankarasë, në të kundërt ratifikimi për anëtarësimin e tyre nuk do t’i dërgohet parlamentit turk.

Vetëm dy ditë pasi ra dakord për të hequr veton ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, udhëheqësi i Turqisë paralajmëroi të enjten se Ankaraja mund të bllokojë ende procesin nëse të dy vendet nuk arrijnë të përmbushin plotësisht pritshmëritë e tij.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i ka kërkuar Suedisë dhe Finlandës të respektojnë marrëveshjen që nënshkruan me Ankaranë në mënyrë që të fitojnë mbështetjen e saj për anëtarësimin e tyre në NATO, duke thënë se marrëveshja duhet të zbatohet plotësisht, përndryshe ratifikimi i kërkesave të anëtarësimit nuk do t'i dërgohet parlamenti turk.

"Ne kemi theksuar fuqishëm mesazhin se presim solidaritet të vërtetë nga aleatët tanë, jo vetëm me fjalë por edhe me veprime," u tha Erdogan gazetarëve në samitin e NATO-s, në të cilin vendet nordike u ftuan zyrtarisht për t'u bashkuar me bllokun ushtarak të udhëhequr nga SHBA-ja.

Ai përmendi zotimin e Stokholmit për ekstradimin e 73 "terroristëve" si pjesë e premtimeve të bëra ndaj Ankarasë dhe e përshkroi nënshkrimin e marrëveshjes trepalëshe si njohje të ndjeshmërisë së qeverisë së tij rreth "terrorizmit" dhe një "fitore diplomatike" për Turqinë.

SHIKONI EDHE: Një marrëveshje me Turqinë i hap derën zgjerimit të NATO-s

Gjatë konferencës për shtyp në Madrid pas përfundimit të Samitit të NATO-s, Erdogan u shpreh se dy vendet nordike duhet të përfundojnë ndryshimet legjislative në lidhje me terroristët sa më shpejt të jetë e mundur.

“Gjëja kryesore është që premtimet të realizohen. Në periudhën e ardhshme, ne do të monitorojmë zbatimin e elementeve në memorandum dhe do të ndërmarrim hapat tanë në përputhje me rrethanat.

Dy ditë më parë, të tre vendet nënshkruan një memorandum të përbashkët për të zgjeruar mbështetjen e tyre të plotë kundër kërcënimeve ndaj sigurisë, gjatë Samitit të NATO-s.

Marrëveshja u nënshkrua pas një takimi kokë më kokë mes presidentit turk Erdogan, atij finlandez Sauli Niinisto, kryeministres së Suedisë Magdalena Andersson dhe sekretarit të përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg.

Finlanda dhe Suedia deklaruan synimin e tyre për t’u bashkuar me aleancën ushtarake në muajin maj, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.