Ëndrra e parealizuar e një maqedonasi për një jetë më të mirë në Gjermani

Një vullnetar i Kryqit të Kuq duke ecur me një grup migrantësh në qendrën e Administratës Qendrore për Imigracion në Brandenburg, më 28 shtator 2023.

Raimi, (emri i vërtetë i të cilit është ndryshuar), një banor i Shtipit, në shtator të vitit të kaluar kishte shkuar në Gjermani me familjen, ku qëndroi tetë muaj. Gjatë kësaj kohe, familja me shtatë anëtarë, pesë prej të cilëve fëmijë, mori një banesë për strehim.

Ai tregon se shërbimi social atje i paguante 2.644 euro në muaj, e po ashtu edhe faturat e energjisë elektrike, ujit, kontrollet mjekësore dhe ilaçet i kanë pasur falas… Gjithçka që Raimi thotë se mund ta ëndërronte të kishte në Maqedoninë e Veriut, ku ai punonte si pastrues me një pagë ditore më pak se 1.000 denarë.

"Fillimisht, jetuam për dy muaj e gjysmë në një shtëpi për kërkuesit e azilit. Aty kishte çdo lloj ushqimi – vetëm qumështi i zogut mungonte. Në shtëpi kishim të drejtë të qëndronim nga tre deri në gjashtë muaj derisa të na gjenin një transferim. Më pas na transferuan në një apartament të madh në qytetin Kempten. Madje, çdo fëmijë kishte dhomën dhe lodrat e tij", tregon Raimi për Radion Evropa e Lirë (REL).

SHIKONI EDHE:

Qindra mijëra persona largohen nga Maqedonia e Veriut në dekadën e funditMe projekte për vetëpunësim synohet ndalja e migrimit të të rinjve Të rinjtë maqedonas me pasaporta bullgare drejt Evropës

Raimi pohon se nuk kishte kërkuar azil, por kishte shkuar sepse kishte një fëmijë të sëmurë dhe nuk kishte para për ta trajtuar në vendin e tij. Ai pretendon se nuk ishte deportuar, por ishte kthyer vetë.

Ai u kthye në Maqedoninë e Veriut në një kohë kur Qeveria gjermane njoftoi se do t’i dëbonte shtetasit e huaj në përpjekje për të kufizuar migracionin e parregullt dhe numrin e njerëzve që nuk kishin marrë azil ose për ndonjë arsye tjetër nuk kishin të drejtë të qëndronin në Gjermani.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut (MPB), nga fillimi i vitit 2024 deri më 31 gusht, nga shtetet e huaja janë deportuar 1.020 maqedonas. Shumica e tyre, gjithsej 892, janë dëbuar nga Gjermania.

"Pjesa më e madhe e kërkesave për deportimin e qytetarëve maqedonas ndër vite janë nga Gjermania, ndërsa një numër shumë më i vogël - nga vendet e tjera anëtare të BE-së. Ju informojmë se ka një tendencë në rritje në krahasim me vitet e kaluara", thonë nga Ministria e Brendshme për REL-in.

Caqe të lehta për avokatët ballkanas

Sipas të dhënave të Zyrës Federale për Migracion dhe Refugjatë (BAMF), Maqedonia e Veriut është ndër vendet kryesore në listën për numrin e personave që kërkojnë azil në Gjermani, por gjithashtu është në krye edhe për numrin e personave që janë kthyer në vendin e tyre.

Në vitin 2023, Gjermania regjistroi 5.999 kërkesa për azil nga shtetasit e Maqedonisë së Veriut. Kjo është gati dy herë më shumë se Serbia, nga ku kishte 3.526 kërkesa. Më pas vijnë qytetarët e Shqipërisë me 2.233 aplikime për azil, ata nga Bosnjë e Hercegovina me 1.132, Kosova me 700 dhe malazezët me 299 kërkesa për azil.

Po atë vit (2023), nga Gjermania në Maqedoninë e Veriut janë kthyer 1.552 persona.

Raimi thotë se në Gjermani është e vështirë të gjesh punë.

"Nëse do të punosh, duhet të mësosh gjermanisht, pastaj shërbimi social të regjistron si punëkërkues dhe duhet të dihet saktësisht për çfarë pune je i kualifikuar. Por, të them të drejtën, ne nuk jemi mësuar me një mënyrë të tillë jetese – fëmijët nuk duhet të bëjnë zhurmë në apartament, rrobalarësja nuk duhet të punojë pas orës 21:00", tregon Raimi.

Një qytetare maqedonase, e cila deshi të mbetej anonim, punon në një qendër për kërkuesit e azilit në Gjermani dhe thotë se në atë dhe qendrat e tjera, qytetarët romë nga Maqedonia e Veriut janë më të shumtët.

"Ndërsa prisnin azilin, Qeveria gjermane u jepte para për të mbijetuar muajin. Kohët e fundit, në vend të parave, më shpesh marrin kupona nga dyqanet e mëdha për ushqime dhe rroba, me qëllim që të shpenzojnë paratë në mënyrën e dedikuar. Ka njerëz që vijnë, qëndrojnë sa të mundin, shohin se nuk mund të marrin shumë para dhe vetë deklarojnë se duan të kthehen në shtëpi. Por, ka edhe njerëz që deportohen sepse janë problematikë, vjedhin, përleshen ose sulmojnë të tjerët", thotë ajo.

SHIKONI EDHE: Të rinjtë të painteresuar të përfshihen në tregun punës

Deniz Selmani, menaxher programi në organizatën "Romalitico", thotë se romët shpesh largohen drejt Gjermanisë, sepse nuk mund të gjejnë punë në vend për një kohë të gjatë, madje edhe ata që janë të regjistruar si të papunë në Agjencinë e Punësimit. Nga ana tjetër, ndihma minimale e garantuar nuk është e mjaftueshme për t’i ushqyer familjet, të cilat shpesh janë të mëdha.

"Njerëzit tanë, kur mbërrijnë në Gjermani, janë viktima të lehta të avokatëve gjermanë dhe kryesisht ballkanas, të cilët u premtojnë se do t'ua rregullojnë qëndrimin në Gjermani, por nuk është aq e lehtë. Brenda tre muajve të qëndrimit nuk kanë problem, por problemi lind kur autoritetet atje i zbulojnë, kryesisht për shkak të punës në të zezë", thotë Selmani.

Pasi kthehen në shtëpi, "Romalitico" dhe organizata të tjera qytetare mbështesin të kthyerit, duke u ofruar përkrahje që fëmijët të kthehen në shkollë dhe përpiqen të përmirësojnë kushtet e jetesës së tyre "që të mos largohen përsëri dhe të rrezikojnë".

SHIKONI EDHE: Maqedonia e V. me strategji për ndaljen e migrimit të të rinjve

Kontrolle të shtuara për migracionin

Në qershor, një polic 29-vjeçar gjerman humbi jetën pasi u godit me thikë në qytetin Manheim gjatë një sulmi në një demonstratë të grupeve të ekstremit të djathtë. Në gusht, një burrë i armatosur vrau tre persona dhe plagosi disa të tjerë gjatë një sulmi me thikë në një festival në qytetin perëndimor Solingen.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, njoftoi se vendi i tij do të ashpërsonte rregullat për deportim pas një serie sulmesh që shkaktuan thirrje për një qëndrim më të fortë ndaj politikës aktuale të migracionit.

Ndërsa tensionet rriten në Bashkimin Evropian (BE) lidhur me çështjen e migracionit të parregullt, më 16 shtator në Gjermani hyri në fuqi vendimi qeveritar për vendosjen e kontrolleve kufitare.

SHIKONI EDHE: Plani i Gjermanisë për luftimin e emigracionit

Kontrollet e përforcuara në të nëntë kufijtë tokësorë të Gjermanisë, janë një përpjekje e Berlinit për të kufizuar migracionin, duke penguar njerëzit, veçanërisht ata që kërkojnë azil dhe që tashmë kanë kaluar në vende të tjera të BE-së, të hyjnë në Gjermani.

Sipas Deutsche Welle, duke cituar të dhëna nga Ministria e Brendshme e Gjermanisë, 82 për qind e personave të deportuar këtë vit janë larguar me avionë, ndërsa një e treta e të gjitha deportimeve janë realizuar në bazë të të ashtuquajturës Rregullore e Dublinit.

Të dhënat nga Ministria e Brendshme gjermane zbulojnë gjithashtu se deri më 30 qershor, 226.882 persona në Gjermani kanë qenë të detyruar të largohen nga vendi, pasi nuk kanë të drejtë për azil. Prej tyre, rreth 182.000 kanë pasur qëndrim të toleruar – që do të thotë se ata nuk mund të deportohen për arsye të caktuara, si për shembull mungesa e dokumenteve të identifikimit ose për shkak të sëmundjes.

Ka pasur edhe rreth 14.000 deportime të pasuksesshme. Arsyet për këtë përfshijnë fluturimet e anuluara, mungesën ose sëmundjen e personit që do të deportohej, si dhe arsye të tjera organizative.

"Unë nuk do të shkoja përsëri, kjo ishte hera ime e parë dhe e fundit", thotë Raimi.

Përgatiti: Enis Shaqiri