"Ende mund të punojmë së bashku"

Tregu i komunitetit në urën kryesore mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut.

Nadire Hasani dhe Lilana Drazheviq janë disa nga gratë që ekspozuan produktet e tyre në “Tregun e komunitetit” në urën kryesore mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut.

Kjo urë shpesh ishte vendi i përleshjeve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, kështu që në vend që t’i bashkonte njerëzit, u bë simbol i ndarjes etnike në Kosovë.

Qyteti i Mitrovicës u nda pas luftës në Kosovë në vitet 1998/1999. Sot janë dy komuna të ndara, Mitrovica e Jugut me shumicë shqiptare dhe Mitrovica e Veriut ku shumica e banorëve janë serbë.

Mirëpo, këtë të premte të 26 prillit, në urën mbi Ibër mund të shihej një pamje paksa ndryshe: çanta shumëngjyrëshe të grave, të punuara me dorë, bizhuteri, lule, zbukurime të ndryshme dhe kryesisht shitëse gra nga komunitete të ndryshme etnike.

Tregu shumetnik në urën kryesore mbi Ibër.

“Nëse politika nuk mund të na afrojë, puna, arti, dashuria, mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe shumë gjëra pozitive duhet të na afrojnë së bashku”, tha për Radion Evropa e Lirë Lilana Drazheviq, e cila vjen nga Mitrovica e Veriut.

Nadire Hasani, e cila jeton në Mitrovicën e Jugut, shprehu besimin se bashkësitë etnike mund të afrohen me njëra-tjetrën përmes kontaktit të drejtpërdrejtë:

"Ky është padyshim një hap drejt bashkimit të komuniteteve".

Nadire Hasani nga Mitrovica e Jugut.

Për këtë arsye, ajo me kënaqësi pranoi të jetë pjesë e manifestimit “Tregu i komunitetit”, i cili u organizua si pjesë e projektit të organizatës joqeveritare Community Building Mitrovica (CBM) dhe i mbështetur nga USAID-i.

Community Building Mitrovica punon në fushën e paqes dhe zhvillimit të komuniteteve në rajonin e Mitrovicës, me qëllim të lehtësimit të kontaktit dhe dialogut ndërmjet qytetarëve.

"Tregu i komunitetit”, i cili u organizua si pjesë e projektit të organizatës joqeveritare Community Building Mitrovica (CBM) dhe u mbështet nga USAID-i.

Lilana shtoi se gratë janë “lidhja më e fortë në shoqëri”, dhe se janë ato që mund të kontribuojnë drejt pajtimit:

"Fëmijët do ta dinë se ky [pajtimi] është i mundur, gratë do t’i tregojnë fqinjëve: 'Po, takova një serbe, takova një shqiptare, një boshnjake, një rome'... ishim bashkë në panair, kaluam mirë, treguam se mund të punojmë akoma bashkë', që është një nga qëllimet e mira të këtij panairi dhe që duhet bërë sa më shpesh”.

Lilana Drazheviq në tregun shumetnik.

Kohët e fundit, tensionet ndëretnike kanë qenë të shpeshta në veri të Kosovës, ndërsa krizat kanë ndjekur njëra-tjetrën në dy vjetët e fundit.

Nemanja Nestoroviq nga organizata Community Building Mitrovica tha se manifestimet e tilla janë një mundësi për pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme etnike që të takohen dhe të bashkëpunojnë.

“Të kenë mundësi t’i ekspozojnë mallrat e tyre, të krijojnë disa kontakte në një qytet si Mitrovica, i cili është i ndarë dhe nuk ka një platformë që do t'i lidhë së bashku”, tha Nestoroviq për Radion Evropa e Lirë.

Pamje nga Tregu i komuniteteve që u organizua të premten.

Nestoroviq shtoi se sot gratë janë “më të gatshme” për bisedë, bashkëpunim dhe pajtim:

“Gratë janë më praktike se meshkujt dhe nëpërmjet një zhvillimi ekonomik, duke ofruar mundësi në nivel ekonomik, kjo është një hallkë e mirë që i lidh komunitetet në Kosovë”.

Snezana Petroviq duke shitur lule.

Damira Bahadir nga Mitrovica e Veriut, e cila vjen nga komuniteti boshnjak, ka ekspozuar lodra prej druri në këtë treg.

Ajo beson se ngjarjet multi-etnike janë të rëndësishme për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

“Ky është një vend i vërtetë dhe i këndshëm për të gjithë për të njohur punën e të gjithëve, për të komunikuar në vende si ky”, u shpreh Damira.

Damira Bahadir nga Mitrovica e Veriut.

Snezhana Petroviq është një luleshitëse në tregun shumetnik që erdhi nga Leshko – një fshat në komunën e Leposaviqit të banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Nëse të gjithë do të mundoheshin pak më shumë si ne, sot gjithçka do të ishte ashtu siç duhet”, thotë kjo bashkëbiseduese për REL-in.

Për rëndësinë e punës dhe prezantimit të përbashkët për Radion Evropa e Lirë foli edhe Sadete Sulejmani nga organizata Së Bashku, e cila bashkon gratë me aftësi të kufizuara.

“Nëse jemi bashkë, kemi të ardhme. Nëse nuk jemi bashkë, asgjë e mirë nuk do të ndodhë”, u shpreh Sadetja.

Sadete Sulejmani dhe Merita Voca nga organizata Së Bashku.

Përveç shitësve, në treg edhe blerësit ishin nga komunitete të ndryshme etnike.

Një tjetër pamje nga tregu në urën mbi lumin Ibër.

Në mesin e tyre ishin Sanije Sula dhe Neda.

“Vetëm të ketë paqe dhe asgjë tjetër”, tha Neda nga Mitrovica e Veriut, me të cilën pajtohet edhe bashkëqytetarja e saj Sanija.

Pranë vendit ku mbahej Tregu i komuniteteve, u pa edhe Policia e Kosovës me një veturë.