Macron do ta vizitojë Serbinë në fund të gushtit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë takimit me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq. Paris, 10 nëntor 2022.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të realizojë një vizitë zyrtare në Serbi më 29 dhe 30 gusht, u tha në një njoftim të publikuar në ueb-faqen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Vizita e Macronit në Beograd do të realizohet më pak se pesë muaj pasi ai e priti në Paris homologun e tij serb, Vuçiq.

Kjo do të jetë vizita e dytë e presidentit francez në Serbi në pesë vjetët e fundit, teksa dy shtetet po forcojnë raportet e tyre, veçmas në fushën e ekonomisë.

Gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Verore, që u mbajtën në Paris, Vuçiq muajin e kaluar tha se vizita e Macronit në Serbi pritet të realizohet në fillim të shtatorit. Të dy burrështetasit në deklaratat e tyre publike kanë sugjeruar se një prej temave të takimit do të jetë blerja nga Serbia e avionëve luftarakë francezë, Rafale.

Në shkurt të vitit 2023, Vuçiq u tha gazetarëve se blerja e avionëve Rafale do të jetë blerja më e madhe nga buxheti i ushtrisë serbe, “në një vlerë prej 3 miliardë eurosh”.

Çështjet ushtarake do të jenë pjesë e bisedimeve, ka konfirmuar Macron në një konferencë për media më 18 korrik gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që u mbajt në Mbretërinë e Bashkuar.

I pyetur për statusin e kontratës për shitjen e avionëve francezë te Serbia, Macron tha se ai do ta vizitojë Serbinë në javët apo muajt në vijim “për të finalizuar negociatat që janë subjekt i negociatave teknike, financiare dhe politike mes dy shteteve”.

SHIKONI EDHE: Vuçiq i kërkon Macronit ta mbajë Kosovën lart në agjendën e BE-së

Një tjetër çështje tjetër për të cilën Macron dhe Vuçiq do të bisedojnë do të jetë edhe Kosova. Gjatë një bisede telefonike të realizuar në mesin e qershorit, Vuçiq i tha Macronit se është e rëndësishme që çështja e zgjidhjes të mosmarrëveshjeve me Kosovën të mbetet lartë në agjendën e Bashkimit Evropian, teksa i kërkoi mbështetje udhëheqësit francez për këtë çështje.

Të dyja shtetet i kanë përshkruar raportet mes tyre si “të forta dhe miqësore” dhe vitin e kaluar takimet e nivelit të lartë u intensifikuan. Përveç vizitës së Vuçiqit në Pallatin Elize në prill, presidenti serb u takua me Macronin edhe në forume ndërkombëtare, por edhe gjatë ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike.