Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se shteti i tij ka “dyert e hapura” për të trajnuar pilotët luftarakë ukrainas, edhe pse ai përjashtoi mundësinë që t’i dërgojë Kievit avionë luftarakë.
Macron këto deklarata i bëri më 15 maj, një ditë pasi lideri ukrainas, Volodymyr Zelensky, vizitoi Parisin, në vizitën e dytë në Francë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.
“Ne kemi hapur derën për trajnimin e pilotëve së bashku me disa shtete të tjera evropiane që janë të gatshme të bëjnë të njëjtën gjë. Mendoj se vendimet janë duke u marrë së bashku me amerikanët”, tha ai gjatë një interviste për transmetuesin TF1.
“Trajnimet mund të fillojnë menjëherë”, shtoi Macron pa dhënë më shumë detaje.
SHIKONI EDHE: Pa sukses në fushëbetejë, ndihmat për Ukrainën mund të vihen në rrezikPas disa muajsh ngecje, Ukraina është përgatitur që të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia dhe po merr ndihmë ushtarake nga aleatët për kundërofensivën e re.
Zelensky për muaj të tërë ka bërë thirrje për avionëve luftarakë modernë, sikurse janë avionët amerikanë F-16, por anëtarët e NATO-s deri më tani kanë refuzuar që të dërgojnë avionë luftarakë në Kiev.
Macron po ashtu tha se Franca do të trajnojë disa batalione për përdorimin e tankeve të lehta dhe makinave të blinduara.
Gjatë vizitës së Zelenskyt në Paris, Macron ka premtuar se do të rrisë ndihmën ushtarake për Ukrainën.