Rreth 29 mijë qytetarë të Kosovës, vetëm gjatë vitit të kaluar kanë emigruar në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe më gjerë, thuhet në të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Numri më i madh i tyre ka emigruar në mënyrë legale, por nuk kanë munguar as emigrimet ilegale.
Në vlerësimin “Popullsia e Kosovës 2018”, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se përkundër shtimit natyror pozitiv të popullsisë me 18,562 banorë, për shkak të emigrimeve, numri i përgjithshëm i popullatës në Kosovë për vitin 2018 ka shënuar rënie.
Popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar–31 dhjetor 2018 u zvogëlua për 2,840 banorë apo me 0.16 për qind. Numri i popullsisë në Kosovë për vitin 2018, vlerësohet të ishte 1,795,666 banorë rezidentë.
Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë pohojnë se rritja e numrit të qytetarëve që po braktisin Kosovën vjen si pasojë e zhgënjimit të tyre me gjendjen politike dhe lidershipin vendor.
SHIKONI EDHE: Për 5 vjet, më shumë se 170 mijë qytetarë lëshuan KosovënTaulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë për Radion Evropa e Lirë se situata aktuale lidhur me emigrimin është shqetësuese. Për këtë arsye, nënvizon ai, duhet të ketë reflektim nga pushteti vendor e qendror në Kosovë. Rreziku më i madh në këtë situatë, sipas tij, është se nga Kosova po largohen edhe njerëzit intelektual, të cilët kanë edhe vende pune.
“Ky depresion social që po ekziston në Kosovë si rezultat i keqqeverisjes të këtij koalicioni qeverisës, kjo mbytje e shpresës që po i bëhet gjeneratës së re, të cilët po shohin se nuk është një shoqëri që ekziston konkurrenca dhe fiton më e miri, mirëpo në institucionet kyçe po delegohen njerëz të cilët duhet të kenë aprovimin paraprak të partive politike, po e vret shpresën e rinisë, të gjeneratës, të cilët do duhej të kishin mbi supet e tyre të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës”, thekson Kryeziu.
Në raportin e ASK-së, thuhet se emigrimi legal ishte për shkak të: bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërngulje të përhershme (kryesisht në shtete fqinje), studime afatgjata me punësim etj.
Dëshirën për të emigruar drejt vendeve të Bashkimit Evropian, qoftë për shkollim, punësim apo edhe shpërngulje të përkohshme, e shprehin edhe disa të rinj.
Leonora Krasniqi, ka të përfunduara dy fakultete, at të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe atë të Psikologjisë. Ajo tregon se disa herë ka aplikuar në konkurse të ndryshme në sektorin publik për një vend pune në profesionin e saj, por nuk ka arritur ta sigurojë atë. Kështu që nëse i jepet mundësia, ajo thotë se do të shkonte në ndonjë vend perëndimor për t’u punësuar.
“Deri më tani kam aplikuar në shumë vende të punës dhe nuk më është dhënë ndonjë mundësi që profesionin tim ta ushtroj në Kosovë. Dhe kjo është arsyeja që unë në të ardhmen të mendoj të largohem nga Kosova dhe të shkoj diku tjetër e të ushtroj profesionin tim”, thotë Krasniqi.
Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndaj të cilit Bashkimi Evropian (BE) aplikon regjimin e vizave. Shtetasit e Kosovës për të udhëtuar në këto vende duhet të aplikojnë për viza në misionet diplomatike të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituara në Kosovë dhe në vendet e rajonit.
SHIKONI EDHE: Për katër vjet, rreth 350 mijë aplikime për vizaZyrtarë të Bashkimit të Sindikatës se Pavarur të Kosovës , kanë përmendur se gjendja ekonomike dhe shkalla e lartë e papunësisë janë arsyet kryesore që po detyrojnë të rinjtë të braktisin Kosovën.
Shkalla e papunësisë në vend sipas shifrave zyrtare, është 26.9 për qind.