Eksodi masiv nga Nagorno-Karabaku
Refugjatët duke ecur përgjatë rrugës që çon nga Nagorno-Karabaku në Kornidzor të Armenisë më 26 shtator, teksa eksodi masiv po vazhdon pas ofensivës azerbajxhanase, që i dha Bakusë kontrollin e plotë të këtij rajoni malor.
Refugjatët duke u ngrohur pranë një zjarri të ndezur në rrugën që çon drejt kufirit me Armeninë, derisa presin që të hapet rruga për në Armeni më 25 shtator. Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar dy luftëra në tri dekadat e fundit lidhur me kontrollin e rajonit, i cili u bë i banuar me shumicë etnike, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Azerbajxhanit, pas kolapsimit të Bashkimit Sovjetik.
Imazhet satelitore shfaqin kolonat e gjata në Korridorin Laçin më 26 shtator, rruga e vetme që lidh Nagorno-Karabakun me Armeninë. Rajoni fillimisht u mor nën kontroll nga forcat e armenëve etnikë, që kishin mbështetjen e ushtrisë armene, gjatë luftimeve separatiste që përfunduan më 1994. Gjatë luftës më 2020, megjithatë Azerbajxhani rimori pjesë të mëdha të Nagorno-Karabakut, por edhe të territoreve përreth që ishin nën kontrollin e forcave armene.
Refugjatët armenë duke rregulluar makinën në rrugën që çon nga Nagorno-Karabaku për në Armeni. Lufta e vitit 2020 përfundoi pasi Rusia ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi dhe në rajon u vendosën paqeruajtësit rusë. Këta paqeruajtës bënë pak për të ndaluar përparimin e forcave azerbajxhanase që nisën operacionin “kundër terrorizmit” në Nagorno-Karabak.
Një kamion duke bartur një veturë dhe refugjatët arrijnë në Armeni. Para ofensivës, Azerbajxhani për muaj të tërë kishte bllokuar qasjen në Nagorno-Karabak, duke pretenduar se kishte shqetësime se atje po dërgoheshin dërgesa me armë. Bllokada la 120.000 banorët e rajonit pa furnizime esenciale.
Një refugjate udhëton me një veturë drejt Armenisë. Shumë refugjatë janë bllokuar në rrugë dhe disa nuk kanë ushqim dhe ujë të mjaftueshëm. Azerbajxhani rihapi rrugën më 24 shtator, katër ditë pas marrëveshjes së armëpushimit që i dha fund operacionit të rrufeshëm ushtarak.
Refugjatët armenë në një kamion të ndalur në një pikë kontrolli në Laçin, që kontrollohet nga paqeruajtësit rusë dhe rojet kufitare azerbajxhanase, teksa janë nisur drejt Armenisë. Bakuja është zotuar se do të trajtojë në mënyrë të barabartë armenët etnikë, por Jerevani ka paralajmëruar për një “spastrim” të mundshëm “etnik”.
Refugjatët armenë duke u përqafuar pas arritjes në Kornidzor të Armenisë.
Refugjatët në Goris, në jug të Armenisë, para se të nisen drejt Jerevanit. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka thënë presidentit azerbajxhanas, Ilham Aliyev, më 26 shtator se ai duhet të mbrojë civilët në Nagorno-Karabak.
Refugjatët armenë të mbledhur në një qendër për regjistrim të Kryqit të Kuq në Goris. Blinken po ashtu i tha Aliyevit se duhet të ketë qasje të papenguar humanitare në Nagorno-Karabak.
Një person i plagosur gjatë një shpërthimi në një pikë karburantesh në Stepankert, Nagorno-Karabak. Ai ndihmohet nga një person tjetër për të hipur në një autoambulancë pasi ka arritur në qendrën për djegie në Jerevan. Avokati për të drejtat e njeriut në rajonin e shkëputur, Gegham Stepanian, i tha Radios Evropa e Lirë se 68 persona kanë vdekur nga shpërthimi, i cili ndodhi në kohën kur banorët që po tentonin të iknin për në Armeni po prisnin në radhë të furnizonin makinat e tyre me karburante. Ende nuk është përcaktuar shkaku i shpërthimit.
Një grua e moshuar, e lënduar në kokë, pret para një qendre për refugjatë në Goris më 27 shtator. Familja e saj u përfshi në një aksident trafiku në kohën kur po iknin nga Nagorno-Karabaku. Në total, 192 trupa azerbajxhanase u vranë dhe 511 të tjerë u plagosën gjatë ofensivës së javës së kaluar, njoftoi Ministria e Shëndetësisë së Azerbajxhanit më 27 shtator.