Izraeli: Bie efektiviteti i vaksinës Pfizer

Gratë mbajnë maska mbrojtëse në Ashkelon, Izrael, 25 shkurt 2021.

Izraeli ka njoftuar se efektiviteti i vaksinës Pfizer/BioNtech ka rënë, pavarësisht se ajo mbetet shumë efektive në parandalimin e simptomave të rënda të sëmundjes COVID-19.

Njoftimi vjen pas përhapjes gjithnjë e më të lartë të variantit Delta të koronavirusit dhe heqjen e kufizimeve të distancimit fizik në Izrael.

Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha se efektiviteti i vaksinës në parandalimin e infektimit dhe të sëmundjes me simptoma ka rënë në 64 për qind, por ajo mbetet 93 për qind efektive në parandalimin e hospitalizimeve dhe simptomave të rënda të sëmundjes.

Në deklaratën e saj, Ministria e Shëndetësisë nuk ofroi të dhëna për nivelin e mëparshëm të efektivitetit ose ndonjë të dhënë tjetër, raporton Reuters.

Megjithatë, në muajin maj, zyrtarët izraelitë publikuan një raport në të cilin thuhej se dy doza të vaksinës së Pfizer sigurojnë 95 për qind mbrojtje kundër infeksionit, shtrimit në spital dhe simptomave të rënda të sëmundjes.

SHIKONI EDHE: EMA: Dy doza duket se mbrojnë nga Delta

Një zëdhënës i kompanisë Pfizer nuk ka pranuar që të komentojë të dhënat e shtetit të Izraelit, por ai u bëri jehonë të dhënave nga kërkimet tjera që tregojnë se antitrupat e nxitura nga vaksina janë në gjendje të neutralizojnë të gjitha variantet e koronavirusit, përfshirë atë Delta, megjithëse me një fuqi më të ulët.

Izraeli ka qenë kampion në fushatën e imunizimit të popullsisë 9.3 milionëshe.

Rreth 60 për qind e banorëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës së Pfizer.

Në janar, Izraeli regjistronte deri në 10.000 raste në ditë, ndërsa muajin e kaluar në këtë shtet u regjistruan në ditë raste njëshifrore.

Përmirësimi i situatës epidemiologjike bëri që Izraeli të heqë pothuajse të gjitha masat kufizuese.

SHIKONI EDHE: Çfarë duhet të dini për variantin Delta?

Në të njëjtën kohë, në Izrael sikurse në pothujase gjitha vendet e botës, varianti Delta i koronavirusit filloi të mbizotërojë rastet e reja të të infektuarve.

Numri i rasteve të reja në Izrael gradualisht po rritet si dhe i personave me simptoma të rënda.

Për shembull, të dielën u regjistruan 343 të infektuar, ndërsa numri i të sëmurëve rëndë u rrit në 35 nga 21.

Eksperti i Institutit të Shkencës, Weizmann, në Izrael, Eran Segal, tha se nuk ka ndonjë mundësi që vendi të përballet me rritje të shtrimeve në spital.

Ai tha se është mirë që jeta të vazhdojë në normalitet dhe pa kufizime, por duke shtuar shkallën e vaksinimit.

Varianti Delta i koronavirusit, për të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se është më ngjitës, ka shkaktuar shqetësim në shumë vende të botës.

Ekspertët e shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara theksojnë se fushatat e imunizimit janë çelësi për të mposhtur pandeminë e COVID-19, veçanërisht pasi mutacionet, siç është varianti Delta, po vazhdojnë të shfaqen.

Your browser doesn’t support HTML5

Delta mund të shtypet, por si?

Sipas ekspertëve, të trija vaksinat e autorizuara në Shtetet e Bashkuara - Pfizer, Moderna dhe Johnson & Johnson - kanë rezultuar të efektshme në mbrojtjen nga varianti Delta.

Megjithatë, disa studime tregojnë se niveli i mbrojtjes është pak më i ulët sesa kundër varianteve të para të koronavirusit.

Varianti Delta është mbizotërues në Britani të Madhe, mirëpo kryeministri Boris Johnson tha më 5 korrik se vendi i tij, nga data 19 korrik, do të heqë shumicën e kufizimeve.

Përgatiti: Kestrin Kumnova