Artan Mehmetaj është mbajtës i një familjeje 9-anëtarëshe, nuk ka punë të rregullt, por përfiton nga ndihmat që i ofron shteti.
Ky 35-vjeçar nga Prishtina merr 120 euro në muaj asistencë sociale dhe nga 10 euro për secilin nga shtatë fëmijët që ka - në total 190 euro. Për t’i siguruar këto mjete, atij i duhet të plotësojë një kusht: të mos ketë të punësuar asnjë anëtar të familjes. Ai angazhohet vetë kohë pas kohe, duke bërë punë të ndryshme krahu, por pa u regjistruar diku si punëtor.
“Unë kam dëshirë të kem një punë me kontratë, por me një pagë më të lartë, jo 300 euro, nuk kam llogari, sepse dal nga asistenca sociale. Kështu po punoj nganjëherë, plus asistenca, e po bëhet diçka”, thotë Mehmetaj.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Teksa flet për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se ka muaj që fiton më shumë se 300 euro nga puna që bën, por se ka edhe periudha që nuk arrin as gjysmën e kësaj shume.
Si punëtor i paregjistruar, ai nuk paguan tatime për shtetin e as kontribute për pensionin e tij.
Si ai, që refuzon punën e rregullt për të përfituar asistencën sociale, duket se ka një numër të madh të qytetarëve në Kosovë.
SHIKONI EDHE: Buxheti ngufatet nga skemat socialeFidan Hallaqi, i cili zotëron dy kompani në Prishtinë - një në sektorin e transportit dhe një në atë të hotelerisë - thotë se përballet shpesh me punëkërkues që nuk duan kontratë të rregullt.
Hallaqi thotë se paga mesatare që ofron, është 460 euro në muaj.
Ai tregon se në çdo konkurs që hap, 30 deri në 50 për qind e punëkërkuesve që ftohen për intervistë, janë përfitues të asistencës sociale.
“Ne u ofrojmë atyre afat shtesë për të vendosur nëse duan të shkëputen nga përfitimet e skemës sociale dhe të punësohen. Por, nuk e kemi pasur as edhe një rast të tillë që ka vendosur të largohet nga skema sociale për punësim me kontratë të rregullt”, thotë Hallaqi për Radion Evropa e Lirë.
Ky fakt, shton ai, pamundëson punësimin e tyre, pasi, siç thotë, nuk mund t’i ekzekutojë pagat dhe detyrimet tjera me transaksione joformale.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se papunësia në Kosovë, vitin e kaluar, është sjellë mes 20.5 për qind dhe 25.8 për qind.
SHIKONI EDHE: Shkalla e papunësisë, sipas dëshirësSipas kësaj agjencie, 40.8 për qind e të punësuarve kanë kontratë të përhershme për punën e tyre kryesore, ndërsa 59.2 për qind kanë kontratë të përkohshme.
Detyrimet e kontratës
Kontrata e punës nënkupton që punëdhënësi është i detyruar ta paraqesë të punësuarin në Administratën Tatimore të Kosovës dhe në institucionet tjera që menaxhojnë dhe administrojnë skemat e obligueshme pensionale dhe skemat tjera.
Të gjithë të punësuarit me kontratë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale: pesë për qind paguhen nga punëdhënësi, kurse pesë për qind ndahen nga paga e të punësuarit.
Tatimi mbi të ardhurat personale sillet nga katër deri në 10 për qind, varësisht nga shuma e pagës. Kjo vlerë hiqet nga paga e punëtorit.
Se sa është numri i punëtorëve pa kontrata në Kosovë, nuk dihet. Kosova nuk ka ndonjë mekanizëm që mat nivelin e ekonomisë joligjore, ku bëjnë pjesë edhe punëtorët e paregjistruar dhe ata që shmangin tatimet.
- Gjysma e sektorit privat në Kosovë pa kontrata
- Më shumë inspektorë për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit të punës
Por, në raporte të ndryshme ndërkombëtare vazhdimisht theksohet se ekonomia joligjore në vend përbën më shumë se 30 për qind të bruto prodhimit të brendshëm.
Për të zvogëluar numrin e punëtorëve të paregjistruar, Qeveria e Kosovës ka dalë në muajin korrik me skemën “Qeveria për familjet”.
Në bazë të kësaj skeme, çdo person nga mosha 18 deri në 65 vjeç, që nuk ka asnjë të punësuar në familje, mund të aplikojë për punë, ndërsa bizneset që i punësojnë ata, subvencionohen nga Qeveria.
SHIKONI EDHE: Edhe papunësi, edhe krizë për punëtorëQeveria subvencionon pagë deri në 300 euro, edhe pse ajo mund të jetë më e lartë.
Paga mesatare bruto në Kosovë është rreth 480 euro.
REL ka pyetur në Ministrinë e Financave të Kosovës se a ka dhe sa është numri i këtyre aplikuesve për punë, por nuk ka marrë përgjigje.
Reformimi i skemave sociale
Qeveria e Kosovës ka nxjerrë më herët një koncept-dokument për reformimin e skemave sociale, ku ka vlerësuar se kriteri që përfituesit e tyre të mos kenë asnjë familjar të punësuar, “ka efekt negativ”.
“Shumë përfitues të skemave sociale nuk mund ta përballojnë koston e jetesës nëse nuk punojnë, prandaj ata janë të detyruar të punojnë në ekonominë joformale”, thuhet në këtë dokument.
Në bazë të tij mësohet se janë duke u diskutuar disa alternativa, për të përfituar edhe familjet që kanë të punësuar, por që nuk arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet e shportës së konsumit.
Në një deklaratë të shkurtër për REL-in, nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës thonë se “ndihma sociale mendohet të jetë si formë shtesë për të plotësuar nevojat ushqimore të familjes”.
Megjithatë, nuk është e qartë se kur do të mund të realizohet në praktikë reformimi i sistemit të ndihmës sociale.
Projekti për këtë qëllim duket se ka mbetur peng i një kredie, në vlerë prej 47 milionë eurosh, që Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar me Bankën Botërore, në tetor të vitit të kaluar.
Kjo kredi, dy herë radhazi, nuk ka arritur të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Sipas deputetëve të opozitës, kredia për paga ose asistencë sociale “është kundër logjikës fiskale”.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë në një deklarim të mëhershëm se projekti për reformimin e ndihmës sociale do të krijojë mekanizma që i ndihmojnë familjet në nevojë të dalin nga varfëria, duke u siguruar atyre ndërlidhje me tregun e punës.
Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe, sipas tyre, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.
Përfituesit nga skemat sociale
Kosova me 1.7 milion banorë ka 15 skema sociale e pensionale, nga të cilat përfitojnë mbi 400 mijë qytetarë.
Përveç qytetarëve të papunë dhe me vështirësi ekonomike, nga skemat sociale përfitojnë edhe familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës, pensionistë të moshës etj.
Numri i familjeve përfituese të asistencës sociale në muajin gusht ka qenë rreth 25 mijë, me rreth 100 mijë anëtarë, tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Shuma e rregullt që marrin këto familje sillet nga 60 deri në 180 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.
Për këtë kategori, nga buxheti i shtetit shpenzohen mesatarisht 32 milionë euro në vit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë kritikuar shpesh skemat sociale të Kosovës, duke thënë se ato mund ta fusin vendin në krizë fiskale.
Kosova e ka Ligjin për skemat e ndihmës sociale qysh në vitin 2007.