Robert Bojaj është njëri nga baballarët e rrallë në Kosovë. Ai çdo natë i lexon libra e i tregon histori të ndryshme vajzës së tij trevjeçare e cila quhet Eva Zoe. Ai dhe bashkëshortja e tij, ndonëse të dytë të punësuar, kujdesen bashkë për vajzën e tyre.
Ai luan me vajzën e tij të gjitha lojërat që ajo pëlqen, vizaton, këndon e së bashku mësojnë tekste këngësh.
Në këtë formë, ai thotë se arrin t’i ofrojë vajzës së tij një edukim të mirë.
“Çdo fëmijë hapat më të rëndësishëm i merr në këtë kohë. Mbase ne nuk mund të bëjmë ndryshime të mëdha kur ata fillojnë të vijojnë mësimin nga klasa e parë e tutje, por deri në atë moshë është obligim i yni dhe mundësi shumë e mirë për ne t’i japim një edukatë fëmijës, duke filluar nga respekti e të tjera. Kemi mjaft kohë deri në atë moshë të merremi intensivisht me edukimin e tyre. Unë besoj që kjo kohë është një bazë për të ardhmen e çdo fëmije”, thotë Bojaj për Radion Evropa e Lirë.
Rreth 90 për qind e baballarëve në Kosovë nuk përfshihen në aktivitet mësimore më fëmijët e tyre të moshës dy deri katër vjeç, gjatë tre ditëve të fundit. Kështu thuhet në një studim të bërë nga UNICEF-i në Kosovë.
Këto aktivitet përfshijnë leximin e librave për fëmijë, tregimin e rrëfimeve për fëmijë, këndimin, loja me fëmijët, vizatime e të tjera.
Fëmijëria e hershme deri në moshën 8 vjeçe
Fëmijëria e hershme, që zgjat deri në moshën 8 vjeçe, nga UNICEF-i konsiderohet një periudhë kruciale për zhvillimin njohës, shoqëror, emocional dhe fizik.
“Zhvillimi optimal në fëmijërinë e hershme kërkon një mjedis stimulues dhe edukues, qasje në libra dhe materiale mësimore, interaksion dhe prindërit (kujdestarët), ushqime të përshtatshme, qasje në arsim të mirëfilltë si dhe siguri e mbrojtje”, thuhet në studimin e UNICEF-it.
Të gjitha këto aspekte të mjedisit, sipas UNICEF-it, kontribuojnë në rezultatet e zhvillimit për fëmijët.
Dafina Prokshi, psikologe, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se një rezultat i tillë studimor i bërë nga UNICEF-i është për keqardhje, por në fakt, shton ajo, kjo ndodh edhe me punën me prindër që ajo bënë.
“Mendoj se kjo mënyrë e të perceptuarit duhet të ndryshojë. Prindërit nuk do të thotë të bëjnë plotësisht detyra të njëjta dhe të përfshihen tërësisht njëjtë, por stili i prindërimit dhe koha kualitative me fëmijët duhet të jetë njëjtë mes dy prindërve”, thotë ajo.
Të dy prindërit, shton Prokshi, duhet të merren me zhvillimin psikologjik të fëmijëve, në mënyrë që të marrin rezultatet që duan.
Sipas psikologes Prokshi, fëmijëria e hershme përfshin vitet më të rëndësishme të zhvillimit psikologjik, shfrytëzimit te potencialit dhe edukimit të duhur.
“Rëndësia e edukimit të hershëm është i pazëvendësueshëm, janë vitet kur vërtet mund të ndodhë magjia me fëmijët”, thotë Prokshi.
SHIKONI EDHE: Kosova me ngecje të lartë në mësimnxënieNë Kosovë viteve të fundit, sipas Prokshit, ka pasur ndryshime pozitive, pasi që prindërit, siç thotë ajo, kanë filluar të vetëdijesohen dhe t’i japin rëndësi edukimit të hershëm dhe zhvillimit psikologjik të fëmijëve.
Peci: Shoqëri patriarkale
Në anën tjetër, sociologu Besnik Peci, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë studimin se baballarët në përqindje të ulët marrin pjesë në edukimin e fëmijëve, e quan mjaft shqetësuese.
Ndërkaq, ajo se çfarë mund të ketë ndikuar në këtë, Peci shpjegon:
“Ky është një argument që shoqëria jonë po vazhdon të jetë një shoqëri patriakale. Është një indikator shqetësues ku ka nevojë për intrevenim. Një tregues tjetër është se gratë në Kosovë prijnë me nivel të lartë të papunësisë në raport me burrat dhe në këtë mënyrë ju ka mbetur përgjegjësia tek edukimi i hershëm i fëmijëve të tyre”, thotë Peci.
Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se shkalla e punësimit te gratë është vetëm 14.4 për qind.
Kosova mbrapa në edukim të hershëm edhe në aspektin institucional
Kosova ka hartuar për herë të parë Ligjin për edukimin parashkollor në vitin 2006, atëherë kur është përgatitur edhe kurrikula e parë për fëmijët e moshës tre deri në gjashtë vjeç.
Ndërkaq, në vitin 2011, Ministria e Arsimit me mbështetje të UNICEF, kishte hartuar standardet e zhvillimit dhe të mësuarit për fëmijërinë e hershme prej zero deri në gjashtë vjeç.
SHIKONI EDHE: Rreth pesë për qind e fëmijëve vijojnë mësimin parashkollorKomisioni Evropian (KE) në vitin 2019 në raportin e vendit për Kosovën, kishte ngritur shqetësim për “numrin shumë të ulët” të fëmijëve deri në pesë vjeç, të regjistruar në institucionet e arsimit parashkollor.
“Numri i fëmijëve të moshës zero deri në pesë vjeç të regjistruar në institucionet e licencuara të arsimit parashkollor mbetet shumë i ulët (4.9 për qind)”, ishte thënë në këtë raport.
Në raportin e “Statistikave të arsimit, 2019/2020”, të Agjencisë Statistikave të Kosovës thuhet se numri i fëmijëve të përfshirë në arsimin parashkollor (zero deri pesë vjeç) në institucionet publike është 4.164.