Nuk është sekret që ne duam t'i mbrojmë interesat e Kosovës përmes Procesit të Berlinit dhe duam të arrijmë lirinë e lëvizjes dhe mënyra më e mirë është përmes përdorimit të letërnjoftimeve, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Sarajevë pas takimit me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto.
“Shpresoj që Bosnjë e Hercegovina të nënshkruajë një marrëveshje të tillë, sipas modelit të Serbisë. Në tetor në Tiranë ne duhet të kemi një qëndrim të përbashkët për të gjitha çështjet që na shqetësojnë, dhe çështjet që janë ngritur dhe që na shqetësojnë të gjithëve së bashku”, tha Rama.
Entiteti i Republikës Sërpska në Asamblenë Kombëtare të Bosnjë dhe Hercegovinës më 27 qershor, bllokoi miratimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor. Kjo rrjedhimisht bllokoi vendosjen e regjimit pa viza ndërmjet BeH-së dhe Kosovës, ndonëse për këtë u ra dakord në nëntor të vitit 2022, me nënshkrimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit.
SHIKONI EDHE: "Mund vetëm t'i ëndërroj të afërmit": Bllokimi i lëvizjes së lirë mes Kosovës e BosnjësKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të premten vazhdoi turneun e tij në kryeqytetet e shteteve të Ballkanit Perëndimor, turne ky që, sipas Ramës, synon të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit.
Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë më 16 tetor, në të cilin, sipas kryeministrit shqiptar do të bëhet bilanci i arritjeve të këtij procesi.
Ndalesa e parë e Ramës të premten ishte në Bosnjë e Hercegovinë, ku kryeministri shqiptar u takua me kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto.
Kryeministri Rama tha, po ashtu, se Shqipëria dëshiron të forcojë bashkëpunimin me Bosnjë e Hercegovinën dhe se po punojnë që të hapin Ambasadën e Shqipërisë në Bosnje.
Krishto, ndërkaq, tha se me Ramën kanë diskutuar për “raportet e mira dhe miqësore” ndërmjet dy shteteve.
“Ne nuk kemi çështje të hapura. Ne vumë në theks bashkëpunimin rajonal dhe se vazhdojmë të jemi të përkushtuar në Procesin e Berlinit”, tha Krishto.
SHIKONI EDHE: Rama: Ballkani i Hapur dha rezultate, tani me mendje e zemër në Procesin e BerlinitPas kësaj vizite, Rama do të vazhdojë udhëtimin për në Mal të Zi, ku do të zhvillojë takim, drekë pune dhe konferencë e përbashkët për media me kryeministrin malazez, Dritan Abazoviq. Ai do të takohet edhe me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Turneu i Ramës përfundon me vizitën në Serbi, ku do të takohet me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq. Në agjendën e kryeministrit shqiptar është paralajmëruar se bashkë me Vuçiqin, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
Një ditë më parë, Edi Rama vizitoi Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Në vizitën e parë në Shkup, ai tha se nisma e Ballkanit të Hapur ka dhënë rezultate “fantastike”. Por, sipas tij shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të “zhyten me mendje dhe zemër në Procesin e Berlinit”.
SHIKONI EDHE: Pse përfundoi Ballkani i Hapur dhe çfarë prodhoi?“Shpresojmë që tani t’i japim një shtysë të re duke pasur parasysh se tani nuk është një proces si deri më sot, por shpresoj ta kthejmë në një proces të tillë me planin e ri të financimeve të Bashkimit Evropian”, tha Rama gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Pas ndalesës në Shkup, Rama vazhdoi vizitën në Prishtinë, ku u prit në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja, pas takimit, tha se me Ramën diskutuan "proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në samitin e NATO-s dhe samitin e Procesit të Berlinit".
"U bisedua për domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë proces [të Berlinit], e sidomos asaj që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, si dhe për mundësinë e rritjes së projekteve dhe fondeve përfituese për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit", tha Presidenca e Kosovës përmes një njoftimi për media.
SHIKONI EDHE: Shqipëria dhe Kosova nënshkruajnë 13 marrëveshje, Rama dhe Kurti nuk takohenRama, para vizitës në Kosovë bëri me dije se Prishtinës zyrtare i janë dërguar 13 marrëveshje të nënshkruara që do të duhej të nënshkruheshin gjatë mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë më 14 qershor, por që u anulua nga Rama për shkak të tensioneve në veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se edhe nga ana e saj janë nënshkruar të gjitha këto marrëveshje të enjten.
Lëvizja e Ramës erdhi pasi Kurti kishte thënë se takimin me të do ta zhvillojë vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive “për të nënshkruar marrëveshjet “që janë të dakorduara dhe që janë në sirtarë”.
“Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga kryeministri Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin të enjten pasdite”, shkroi Rama në Twitter.
Megjithatë, edhe pse Rama ishte në pritje të një takimi të mundshëm me homologun e tij nga Kosova, një takim mes dy kryeministrash nuk ndodhi për shkak të refuzimit të Kurtit për ta takuar atë.
Procesi i Berlinit u vendos në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Procesi i Berlinit përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe krijimin e një tregu të përbashkët rajonal.
Procesi përfshin, gjithashtu, institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon.