Shqipëria sërish cak i sulmeve kibernetike

Fotografi ilustruese nga arkivi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të shtunën se vendi që udhëheq ai është goditur nga një tjetër sulm kibernetik.

Shqipëria ka ndërprerë lidhjet diplomatike me Iranin më 7 shtator, duke thënë se hetimet kanë treguar se sulmet kibernetike të muajit korrik janë kryer nga Irani si “agresor shtetëror”.

“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t'i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, ka thënë Rama përmes një postimi në Twitter.

Autoritetet iraniane kanë hedhur poshtë akuzat se janë mbrapa sulmeve të korrikut.

Megjithatë, aleanca ushtarake e NATO-s ka konfirmuar se prapa atij sulmi ka qenë Irani.

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar Ministrinë iraniane të Inteligjencës dhe kreun e këtij institucioni, duke i akuzuar se qëndrojnë pas sulmit kibernetik të muajit korrik ndaj Shqipërisë.

Irani ka dënuar ashpër sanksionet amerikane.

“Mbështetja e shpejtë amerikane për akuzat e rreme të Qeverisë shqiptare… tregojnë se ideatore e këtij skenari nuk është Shqipëria, por Qeveria amerikane”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kenani më 10 shtator.

SHIKONI EDHE: Milo: Çdo kërcënim ndaj Shqipërisë është kërcënim ndaj NATO-s

Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Teheranit janë përkeqësuar ndjeshëm pasi autoritetet shqiptare janë pajtuar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) më 2013.

Zyrtarët iranianë i konsiderojnë pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë.

Pas sulmit kibernetik të muajit korrik, Ambasada amerikane në Shqipëri pati ngritur alarm për një kërcënim të mundshëm, që është thënë se ka pasur cak një samit të organizuar nga opozita e Iranit në mërgim.

Ky samit ishte planifikuar të mbahej në Durrës më 23 dhe 24 korrik.

Samiti ishte paraparë të organizohej nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), të dyja grupe që avokojnë përmbysjen e Qeverisë së Iranit.