Rama: Kosova ka të drejtë për targat

Your browser doesn’t support HTML5

Rama: Manovrat ushtarake të Serbisë nuk mbrojnë serbët e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një vizite në Kosovë, e ka dënuar sjelljen e Serbisë karshi vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet lidhur me targat për automjetet.

Rama pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti tha se qëndrimi i Shqipërisë është i qartë karshi problemit në dy vendkalime kufitare Kosovë-Serbi.

“Sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës. Ato manovrat nuk mbrojnë qytetarët serbë në veriun e Kosovës, siç pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar”, tha Rama.

Këtë koment ai e ka bërë pas raportimeve se ditëve të fundit aeroplanë ushtarakë të Serbisë kanë fluturuar afër pikëkalimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Mediat në Serbi kanë raportuar për lëvizje të ushtarëve dhe mjeteve tjera ushtarake në drejtim të kufirit me Kosovën.

Kryeministri Rama po ashtu ka dënuar incidentet e djegieve të qendrave të regjistrimit të veturave në veri të Kosovës.

Edi Rama ka thënë se qytetarët serbë në Kosovë nuk kanë nevojë të mbrohen pasi jetojnë të sigurt.

“Qytetarët serbë në Kosovë jetojnë të pakërcënuar nga askush. Madje iu paguhen edhe faturat e energjisë elektrike nga qeveria e këtij shteti këtu si askujt askund, jo vetëm në Ballkan, por edhe në botë”, u shpreh Rama.

Rama po ashtu ka thënë se problematika e tanishme mund të zgjidhet “vetëm me dialog”.

“E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë. Serbia nuk ka asnjë drejtë t’i kthejë targat në një përditshmëri konfliktuale ku mizën po e bën buall a thua se Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë”, tha Rama.

Ai i bëri thirrje edhe Kosovës që të mos krijojë probleme me miqtë ndërkombëtarë përmes mbajtjes së njësive speciale të Policisë së Kosovës në kufi.

“Duhet bërë kujdes që çuarja e njësive speciale në atë zonë, nga nevoja për t’u siguruar se nuk cenohet siguria dhe rendi publik, në momentin e shtrirjes së problemit, mos të kthehet në një problem mes vet Kosovës dhe miqve e partnerëve ndërkombëtarë”, tha Rama.

Rrugët drejt vendkalimeve kufitare në Jarinje dhe Bërnjak janë bllokuar nga serbë lokalë me kamionë e mjete të tjera të rënda në shenjë proteste ndaj vendimit për reciprocitet lidhur me targat e automjeteve.

Protestat filluan kur Prishtina vendosi që të gjitha automjetet me targa serbe, që hyjnë në Kosovë, duhet t’i heqin targat dhe të vendosin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Prishtina ka thënë se një gjë e tillë praktikohet për vite me radhë nga Beogradi.