Politikanët nga Maqedonia e Veriut janë gjithnjë e më shpesh në TikTok, i cili po bëhet një mjet i fuqishëm për fushata politike. Kjo platformë "shkaktoi" një kthesë të papritur në zgjedhjet presidenciale në Rumani. Analizat dhe hulumtimet tregojnë se TikTok-u po përdoret për ta përhapur ndikimin rus dhe rregullatorët evropianë tashmë kanë nisur hetime për këtë.
Politikanët në mbarë botën, që dikur kritikonin platformën sociale TikTok, tani po i bashkohen asaj në përpjekje për të arritur te përdoruesit e rinj. Këtij trendi global iu bashkuan edhe politikanët nga Maqedonia e Veriut.
Ata, në këtë platformë, pas zgjedhjeve të majit të kaluar, vazhdojnë të shpërndajnë çdo ditë video të shkurtra me mesazhe politike, nga takimet me qytetarët e deri te ngjarjet ku flasin për "punën e kryer".
TikTok, i lansuar në nivel global në vitin 2017, tani është një nga platformat më të popullarizuara në internet, duke e tejkaluar edhe Google në vitin 2021, me miliona ndjekës të tërhequr nga videot e shkurtra me algoritme që punojnë për të personalizuar përmbajtjet për çdo përdorues.
Çfarë është TikToku?
Aplikacioni videove të shkurtra është në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance. Për dallim prej algoritmeve të rrjeteve tjera sociale, algoritmi i TikTok-ut i jep më shumë prioritet përmbajtjes, varësisht prej preferencave të përdoruesve dhe kërkimit të përmbajtjes, sesa numrit të ndjekësve që ka një llogari.
Sipas një analize të agjencisë Pikasa Analytics, që bën monitorimin e përmbajtjes së mediave në Ballkan, postimet e personave “të panjohur” po bëhen më të popullarizuara, sesa ato të figurave me ndikim.
Në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, punëtorëve federalë u është ndaluar instalimi i aplikacionit në pajisje të punës, kurse Australia ka miratuar një projektligj që do t’ua ndalojë fëmijëve nën moshën 16-vjeçare përdorimin e rrjeteve sociale.
Politikanët, fotot e të cilëve i shohim çdo ditë në televizion, portale dhe gazeta, në rrjetet sociale si Facebook, Instagram dhe X, tani po depërtojnë edhe në TikTok.
Kryeministri Hristijan Mickoski, në një nga videot e tij të fundit, paraqitet duke shpërndarë pako të Vitit të Ri, pret delegacione të huaja në Qeveri, por gjithashtu ndan pjesë edhe nga udhëtimet e tij në Bruksel dhe takimet me kolegët në Samitin e dedikuar për Ballkanin Perëndimor.
Për dallim nga videot e tij të thjeshta, në të cilat mbizotërojnë mesazhe të shkurtra politike, nga foltorja e Parlamentit ose nga konferencat për shtyp, ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, i afrohet audiencës së re në një tjetër mënyrë.
Ministri 35-vjeçar i shfaqet publikut të ri duke ecur nëpër rrugët e Brukselit, ndërsa në sfond, përveç tingujve dramatikë muzikorë, dëgjohen edhe mesazhet e tij.
"Vitin e ardhshëm, kombi im do të shënojë 25 vjet që kur u bë kandidat për anëtarësim në BE. Njëzet e pesë vjet të kaluara në reforma dhe sakrifica. Zgjerimi nuk është vetëm një domosdoshmëri strategjike, por edhe një detyrim moral. Kjo do të thotë përmbushje e premtimit evropian", thotë Mucunski në mesazhin e tij pas fjalimit në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
SHIKONI EDHE: Rreziku prej inteligjencës artificiale në përçarjen e botës në kohë zgjedhjeshLideri opozitar, Venko Filipçe, nga ana tjetër, në profilin e tij në TikTok, ofron një vistër kritikash politike për pushtetin, por edhe mori mesazhesh humane. Videoja e tij e fundit është nga vizita në "fshatin e fëmijëve - SOS" për fëmijët jetimë, ku shpërndan dhurata.
Videot e tij, ku përgjigjet në pyetjet "Pse përsëri në politikë, në vend që të jesh në sallën e operacionit?" teksa është duke vozitur, ose duke biseduar me qytetarët me një birrë në dorë, arrijnë nga 80 deri në 100 mijë shikime, ndryshe nga videot ku dërgon kritika të shkurtra për Qeverinë nga foltorja.
Profile në TikTok kanë krijuar edhe ministri i Shëndetësisë nga koalicioni "VLEN", Arben Taravari dhe kolegu i tij, zëvendëskryeministri dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti. Profilet e tyre i ndjekin disa mijëra përdorues.
Me videot e tyre, ata, në përgjithësi u drejtohen shqiptarëve etnikë të Maqedonisë së Veriut, më së shpeshti me mesazhe për festat kombëtare, e me këngë patriotike në sfond.
Disa nga mesazhet politike, arrijnë deri në dhjetë mijë shikime për video, në platformën TikTok, ku, sipas statistikave të ekspertëve të IT-së, janë regjistruar rreth 100 mijë përdorues nga Maqedonia e Veriut.
Videot më të shikuara janë ato ku politikanët bisedojnë drejtpërdrejt me qytetarët në treg, ose në salla sportive, ku ata tregojnë një anë të pazakontë të vetes, jashtë kostumeve nga foltorja e Kuvendit ose e konferencave të shtypit. Toni joformal dhe miqësor i TikTok-ut u mundëson politikanëve të afrohen me votuesit e rinj dhe të ndërtojnë një lidhje më të ngushtë me ta.
Edhe TikTok-un e presin standardet e reja
Kjo platformë kineze për video të shkurtra është një nga aplikacionet me rritjen më të shpejtë, e cila po bëhet burim informacioni për përdoruesit e rinj, kryesisht ata deri në moshën 25-vjeçare.
Kjo platformë nuk është më e preferuara për politikanët nga Maqedonia e Veriut, edhe pse mund të jetë një mjet i fuqishëm për fushatat politike, veçanërisht nëse përdoret për të luftuar dezinformatat, thotë komunikologu Bojan Kordalov.
“Kjo është pjesë e rritjes ndërkombëtare, nuk ndodh vetëm në Maqedoni (e Veriut), por edhe në vendet evropiane dhe në SHBA. Sa do të përdoret TikTok-u si mjet, më tej do të varet nga ajo se si rregullatorët evropianë dhe amerikanë do të vendosin nëse TikTok i plotëson standardet apo jo. Duhet të kujtojmë se edhe Google, Meta, madje edhe X, për vite dhe dekada me radhë ishin në shënjestër të këtyre rregullatorëve derisa i plotësuan standardet për mbrojtjen e qytetarëve dhe të të dhënave. Ju kujtohet, pati lloj-lloj skandale dhe hetime në komisionet e lidhura me to”, thotë Kordalov.
SHIKONI EDHE: Kërkohen kufizime në përdorimin e TikTok-ut pas rastit me anesteziologunMirëpo, TikTok është nën kontroll të shtuar nga organet rregullatorëve perëndimorë për shkak të frikës se të dhënat e përdoruesve nga aplikacioni në pronësi të kompanisë me seli në Pekin (ByteDance) mund të përfundojnë në duart e Qeverisë kineze.
"Analiza serioze dhe hulumtimet tregojnë se ndikimi i huaj po përhapet përmes këtij rrjeti dhe nuk është rastësi që po ndërmerren masa dhe aktivitete të tilla. Ka indikacione dhe disa dëshmi të caktuara për këtë dhe prandaj jo rastësisht në disa shtete evropiane, madje edhe amerikane, është ndaluar përdorimi i aplikacionit TikTok në pajisje elektronike zyrtare", shton Kordalov.
Fjalimi 'Skibidi' në Senatin australian solli miliona shikime
TikTok u mundëson politikanëve të anashkalojnë formalitetet e komunikimit tradicional politik dhe të prezantojnë mesazhet e tyre në një mënyrë më të drejtpërdrejtë.
Këtë e tregoi dhe e dëshmoi lideri i opozitës australiane, Peter Datton, i cili përmes 'sfidave' arriti të bashkohet në TikTok, dhe në këtë mënyrë shënoi një ndryshim të madh në qasjen e tij ndaj fushatës politike.
Ai më herët e kishte kritikuar platformën për arsye sigurie, por tani e pranon dhe madje merr pjesë në "sfida të sigurta" për të tërhequr në mënyrë autentike publikun.
Një shembull për këtë është edhe fjalimi viral "skibidi" i senatores Fatima Pejman, i cili tregoi se sa efektiv mund të jetë TikTok-u si mjet për të përçuar mesazhe politike.
SHIKONI EDHE: BE-ja nis hetim ndaj TikTok-ut pas dyshimeve për ndërhyrje në zgjedhjet rumuneFjalimi 'Skibidi' u bë viral në vitin 2023 pasi një përdorues i YouTube filloi të publikonte video të destinuara për të ashtuquajturën “gjenerata Alfa”, që i referohet të rinjve të lindur pas vitit 2010.
Pejman e mbajti këtë fjalim në Senatin Australian, duke përdorur vetëm zhargonin e TikTok-ut. Ajo pati një jehonë të madhe tek demografia më e re dhe deri tani ka më shumë se tetë milionë shikime.
Si rezultat, profili i saj tani ka më shumë se 160.000 ndjekës dhe vazhdon të marrë shikime të konsiderueshme në të gjitha postimet. Pejman është me origjinë nga Afganistani, ndërsa senatore në Australi u bë në vitin 2022, si pjesë e Partisë Punëtore. Para do kohësh, ajo u tërhoq nga partia dhe vazhdoi mandatin e saj si e pavarur, pas së cilës në tetor 2024 themeloi partinë e saj “Zëri Australian”.
Ndikimi rus përmes TikTok-ut
Skandali i fundit që tronditi publikun evropian dhe nxiti rregullatorët në Bashkimin Evropian të hetojnë më seriozisht parimin e punës së kësaj platforme sociale kineze, ishin zgjedhjet presidenciale në Rumani.
Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për një hetim të plotë mbi lëvizjet e Moskës për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare rumune.
Kjo ndodhi pasi dokumentet e deklasifikuara më 4 dhjetor treguan se vendi ishte shënjestër e një "veprimi agresiv hibrid rus" gjatë fushatave zgjedhore të nëntorit, duke përfshirë fitoren e papritur të kandidatit prorus të ekstremit të djathtë, që në raundin e parë të zgjedhjeve në Rumani.
Kalin Georgesku, një politikan pak i njohur i ekstremit të djathtë në Rumani, e shfrytëzoi TikTok-un për të përhapur mesazhet e tij antievropiane dhe anti-NATO dhe për të fituar në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani.
Pa mbështetje nga partia, fushata e Georgeskut mbështetej kryesisht në platformën e mediave sociale TikTok, ku profili i tij kishte 1.6 milion pëlqime dhe ku ai publikonte video ku merrte pjesë në kisha, merrej me xhudo, kalëronte ose vraponte në pista dhe fliste në podkaste.
SHIKONI EDHE: Si e ndihmoi TikTok-u kandidatin e ekstremit të djathtë në RumaniSipas dokumenteve të deklasifikuara, rreth 25.000 profile në TikTok, të përdorura gjoja për të rritur popullaritetin e Georgeskut, "u bënë shumë aktive dy javë para datës së zgjedhjeve".
Një metodë tjetër që u përdorur për promovimin e kandidatit të pavarur përfshinte krijimin e profileve që përfaqësonin në mënyrë të rreme institucionet e shtetit rumun. U zbuluan dhjetëra profile që përdornin në mënyrë të rreme logon e shërbimit të inteligjencës dhe titullin Brigada Anti-terroriste (BAT), secila duke treguar mijëra ndjekës dhe mbi 100.000 pëlqime.
Komisioni Evropian më 16 dhjetor hapi një procedurë formale kundër TikTok-ut për dyshimin e shkeljes së Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA) në lidhje me detyrimin për të vlerësuar drejtë dhe për të zbutur rreziqet sistemore që lidhen me integritetin zgjedhor, veçanërisht në kontekstin e zgjedhjeve të fundit presidenciale rumune të 24 nëntorit. Kjo situatë çoi në anulimin e zgjedhjeve presidenciale.
"Ne duhet t'i mbrojmë demokracitë tona nga çdo lloj ndërhyrjeje e huaj. Duhet të jetë krejtësisht e qartë se në BE, të gjitha platformat online, përfshirë TikTok, duhet të përgjigjen", deklaroi komisionarja evropiane për Politikën e Jashtme, Ursula von der Leyen më 16 dhjetor.
Rusia mohoi të ketë ndërhyrë në zgjedhjet në Rumani.
SHBA-ja druante edhe për zgjedhjet presidenciale
Një muaj më parë, TikTok ndaloi dhjetëra profile të lidhura me mediat shtetërore ruse, duke përfshirë Russia Today dhe TV Novosti, duke iu referuar përkujdesjes për arsye sigurie para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor.
Kjo lëvizje pasoi vendimin e gjigantit teknologjik Meta, i cili zotëron rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, të cilat lëshuan një ndalesë të ngjashme, duke pohuar se media të mbështetura nga Kremlini po merrnin pjesë në operacione me ndikim mashtrues.
Në një njoftim të publikuar në nëntor, TikTok-u përmendi operacionet e ndikimit si arsye për heqjen e profileve.
Hulumtuesit amerikanë përcaktuan se Rusia po përdorte gjithnjë e më shumë TikTok-un gjatë periudhës parazgjedhore amerikane për të përhapur mesazhet e Kremlinit si në anglisht ashtu edhe në spanjisht, me ç’rast profilet e lidhura me Rusinë postonin shumë më shpesh në këtë platformë sesa dy vjet më parë.
Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, deklaroi se është për vazhdimin e funksionimit të TikTok-ut në vend, të paktën për një kohë, duke pohuar se ka marrë miliarda shikime në platformën e mediave sociale gjatë fushatës presidenciale. Gjatë fushatës parazgjedhore, profilin e vet në këtë rrjet e kishte edhe kundërkandidatja e Trumpit, demokratja Kamala Harris.
SHIKONI EDHE: Trump i kërkon Supremes të pauzojë ligjin për TikTok-unAta vazhduan të përdorin TikTok-un pavarësisht ndalesave të propozuara nga Shtetet e Bashkuara. Këto ndalime aktualisht po kontestohen në gjykatë, por pritet të fillojnë në janar të këtij viti.
Edhe pse shumica e përdoruesve kalojnë kohë në TikTok për t'u argëtuar, shumë njerëz, veçanërisht gjenerata e re, gjithashtu marrin informacione nga atje. Sipas Qendrës Kërkimore amerikane Peë, në Shtetet e Bashkuara rreth gjysma e përdoruesve të TikTok nën moshën 30 vjeç thonë se e përdorin atë për të ndjekur politikën dhe lajmet.
Maqedonia e Veriut, si një nga vendet në rajon që synon integrimin evropian, shpesh është subjekt analizash, kur bëhet fjalë për ndikimin rus.
Vëllimi, frekuenca dhe intensiteti i narrativëve të shënuara flasin se Maqedonia e Veriut dhe Ballkani janë në krye të agjendës së Kremlinit, tregon studimi i fundit i nismës qytetare "Most", ku janë analizuar propaganda, ndikimi, dhe narrativat dezinformuese ruse, të lidhura me luftën në Ukrainë, por, që janë të pranishme në hapësirën online në Maqedoninë e Veriut.
Mediat dhe botet ruse në rrjetet sociale shpesh përhapin lajme të rreme dhe narrativëve që synojnë të minojnë besimin në institucione, të forcojnë ndarjen në shoqëri dhe të largojnë vëmendjen nga problemet reale.