Deri ku kanë mbërritur rastet gjyqësore të grave të vrara?

"Tuneli i fundit", ekspozita për të përkujtuar vajzat dhe gratë e vrara nga dhuna me bazë gjinore që u hap të enjten më 1 dhjetor, në kuadër të fushatës së Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore".

Gjykime që me vite nuk përfundojnë, rigjykime e dënime të ulëta! Këto janë të përbashkëtat e dhjetëra rasteve gjyqësore për vrasje të grave në Kosovë, thotë Arrita Rezniqi, hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Nga viti 2010, në Kosovë janë raportuar 50 gra të vrara nga familjarë të tyre.

Vrasja e fundit ka ndodhur më 30 nëntor, kur një grua shtatzënë është qëlluar për vdekje në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë. I dyshuar kryesor për vrasjen është bashkëshorti i saj, i cili më pas vrau veten.

“Shteti ka dështuar”, thotë Rezniqi, e cila si pjesë e IKD-së ka monitoruar dhjetëra seanca gjyqësore për rastet e grave të vrara.

Në shumicën e herëve, thotë ajo, gratë viktima e kanë pasur të raportuar dhunën ndaj tyre në polici.

Megjithatë, rastet e vrasjeve kanë ndodhur prapëseprapë dhe institucionet përkatëse nuk kanë arritur të vendosin drejtësi për shumë prej tyre, thotë Rezniqi.

Me ligjet në Kosovë, për veprën penale të vrasjes, një person mund të dënohet nga së paku dhjetë vjet burgim deri me burgim të përjetshëm.

*Video: Protesta në Prishtinë: “Shteti po i lë gratë pa siguri”

Rezniqi thotë se ndëshkimet shpesh janë “të buta” dhe kjo, sipas saj, bën që qëllimi i tyre të mos arrihet dhe rastet e vrasjeve të përsëriten.

“Ka pasur raste kur [i pandehuri] ka pasur burgim të përjetshëm, e që procedurat gjyqësore kanë bërë që rasti të kthehet në rigjykim dhe të ulet dënimi. Procedura të panevojshme dhe joprofesionale në raport me viktimat”, thotë Rezniqi për Radion Evropa e Lirë.

Ajo shton se gjykatat, jo rrallëherë, “i riviktimizojnë familjarët e viktimave”, duke i zvarritur procedurat gjyqësore kundër të akuzuarve apo duke i kthyer rastet në rigjykim.

Sikur të kishte dënime të ashpra, siç janë të përcaktuara me legjislacion, dhe rastet të trajtoheshin pa vonesa dhe me procedura të shpejta, ndikimi do të ishte i pashmangshëm në parandalimin e vrasjeve të grave, thotë Rezniqi.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë është kritikuar shpesh për mosefikasitet, si nga organizatat vendore, ashtu edhe ato ndërkombëtare. Së voni është duke u debatuar për procesin e vetting-ut, i cili do të rivlerësonte figurat e prokurorëve dhe gjyqtarëve, me qëllim rritjen e tyre profesionale.

SHIKONI EDHE: Drejtësia që dështoi

Radio Evropa e Lirë ka marrë informacione se deri ku kanë mbërritur procedurat gjyqësore për disa raste të grave të vrara në Kosovë, viteve të fundit:

  • Diana Kastrati, e vrarë në vitin 2011

I dyshuar për vrasje është ish-bashkëshorti i saj, i cili ndodhet në arrati.

Sipas IKD-së, i dyshuari A.J. gjendet në Spanjë, vend me të cilin Kosova nuk ka marrëveshje ekstradimi.

Për rastin vazhdon një proces i gjatë gjyqësor, pasi Gjykata Kushtetuese vërtetoi se Gjykata Komunale në Prishtinë ishte përgjegjëse për moslëshimin e urdhrit mbrojtës, të cilin e ndjera e kishte kërkuar përpara se të vritej.

Prindërit e Diana Kastratit paditën Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Gjykatën Themelore dhe Republikën e Kosovës dhe kërkuan kompensim për vrasjen.

  • Antigona Morina, e vdekur në vitin 2011

Morina vdiq nga hemorragjia e vazhdueshme, tri ditë pasi u martua, derisa bashkëshorti, sipas konstatimeve të drejtësisë, nuk i ofroi ndihmë mjekësore.

Gjykata Themelore në Gjakovë në dhjetor të vitit të kaluar konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se i pandehuri H.Z. u dënua me dy vjet burgim për veprën penale: shkelje e detyrimeve familjare.

Organizatat që merren me të drejtat e grave, e fusin Morinën në listën e grave të vrara në Kosovë.

  • Zejnepe Berisha, e vrarë në vitin 2015

I dënuar për vrasje është bashkëshorti i saj N.B.

Sipas IKD-së, Gjykata Themelore në Prizren e dënoi atë me 12 vjet e gjashtë muaj burgim në prill të vitit 2017.

N.B. akuzohej se, për arsye xhelozie, e vrau bashkëshorten e tij duke e therur 21 herë me thikë.

Pas kalimit të rastit në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit e rriti dënimin e tij në 17 vjet burgim.

"Tuneli i fundit" me emra pa fund

  • Donjeta Pajazitaj, e vrarë në vitin 2015

I dënuar për vrasje ishte kushëriri i saj N.P.

Sipas aktakuzës, N.P. “në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta” vrau Pajazitajn, duke shtënë me armë zjarri dy herë në kokë.

Gjykata Themelore në Pejë, fillimisht, e liroi të pandehurin nga aktakuza.

Pas dërgimit të rastit në rigjykim, ai u dënua me burgim të përjetshëm.

Por, pas shqyrtimit të ankesës nga pala mbrojtëse, Gjykata e Apelit mori vendim që ta ulë dënimin në 35 vjet burgim.

Rasti vazhdoi në Gjykatën Supreme.

Kolegji penal i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur më 6 prill 2023, e liroi N.P., nga aktakuza për vrasje.

Pas kësaj, ai është liruar nga burgu.

Your browser doesn’t support HTML5

Feride Rushiti: Shteti po dështon t'i mbrojë gratë nga dhuna

  • Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, të vrara në vitin 2018

I dënuar për vrasjen e tyre është bashkëshorti, përkatësisht babai P.N.

Ai, fillimisht, u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa më pas dënimi iu zvogëlua në 30 vjet burgim.

Sipas një deklarate të Gjykatës Themelore në Gjakovë, dërguar Radios Evropa e Lirë, dënimi iu ul pas ankesave të palës mbrojtëse, në dhjetor të vitit 2020. Në dënimin prej 30 vjetësh i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej gushtit të vitit 2018.

SHIKONI EDHE: Faktet kryesore që duhet t’i dini rreth femicidit
  • Armenda Aliu, e vrarë në vitin 2019

I dënuar për vrasje është bashkëshorti i saj B.V.

Gjykata Themelore në Prizren konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se atij, fillimisht, i është shqiptuar dënim i përjetshëm.

Por, pas ankesës së palës mbrojtëse, Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2022, i shqiptoi dënimin prej 25 vjetësh burgim.

  • Sabile Mavrovqani, e vrarë në vitin 2020

I dënuar për vrasje është bashkëshorti i saj N.M.

Pas dënimit fillestar me burgim të përjetshëm, rasti u kthye në rigjykim. Pas këtij procesi, ai u dënua me 25 vjet burgim.

  • Sebahate Morina Sopi, e vrarë në vitin 2021

I dyshuar për vrasje është bashkëshorti L.S., i cili më pas u vetëvra.

  • Marigona Osmani, e vrarë në vitin 2021

Të dënuar për vrasje janë: partneri i saj D.K. dhe shoku i tij A.S.

D.K është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa A.S. me 15 vjet burgim.

SHIKONI EDHE: Revoltë e domosdoshme për ndaljen e vrasjes së grave  
  • Lirie Qerimaj, e vrarë në vitin 2022

Fajtor për vrasje është bashkëshorti i saj S.Q.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se, në maj të vitit 2022, ngriti aktakuzë kundër tij në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe se ai u shpall fajtor për vrasje. Detaje të tjera nuk u dhanë.

IKD-ja raportoi në muajin shtator të vitit 2022 se S.Q. u dënua me 24 vjet burgim.

  • Sadije Godeni, e vrarë në vitin 2022

I vetëdorëzuar për vrasje është bashkëshorti i saj I.G.

Më 30 maj të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit I.G për veprën penale “vrasje e rëndë”.

I.G. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 25 vjetësh.

  • Hamide Magashi, e vrarë në vitin 2022

I dyshuar për vrasje është bashkëshorti i saj S.H. Më 2 dhjetor, dy ditë pas krimit, autoritetet njoftuan se ai ka vrarë veten.