Me ndryshimin e fundit të rrezikshëm të politikës bërthamore të Rusisë, presidenti Vladimir Putin sugjeroi më 25 shtator se Kremlini mund t’i përdorë armët bërthamore kundër cilitdo shtet që e sulmon Rusinë, nëse ai shtet mbështetet nga një fuqi bërthamore.
Nëse Rusia do ta ndërmerrte një sulm masiv bërthamor ndaj Ukrainës apo Evropës Perëndimore, kontinenti nuk është se do të mund të bënte shumë për ta ndalur atë.
Pavel Podvig, hulumtues i lartë në Institutin e Kombeve të Bashkuara për Hulumtime të Çarmatimit (UNIDIR), konsiderohet gjerësisht të jetë eksperti kryesor perëndimor në botë për armët bërthamore të Rusisë. Ai tha se nuk ka indikacione se një katastrofë e tillë është afër që të bëhet realitet, por përshkruan rrethanat e zymta të një sulmi potencial bërthamor ndaj Evropës.
“Nëse do të kishte një lloj lëshimi masiv – apo lëshim të disa raketave [ruse] – do të ishte pothuajse e pamundur të garantohej që të gjitha do të rrëzoheshin”, u shpreh ai.
Llogaritjet e brendshme të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) raportohet se parashikojnë që në rast të një sulmi të plotë nga Rusia, blloku ushtarak ka “më pak se 5 për qind” të mbrojtjeve të nevojshme ajrore.
Rusia besohet se ka rreth 1.700 koka bërthamore brenda më shumë se 500 raketave që mund të lëshohen brenda minutave nga bazat, lëshuesit mobilë, nëndetëset dhe aeroplanët luftarakë. Shtetet e Bashkuara me gjasë do të ishin objektivi kryesor, por shumë prej këtyre raketave dihet se janë të menduara për përdorim kundër Evropës.
Por, nëse breshëritë e raketave janë pothuajse të pandalshme, çfarë duhet të bëjnë civilët në rast të një sulmi bërthamor?
Disa kryeqytete evropiane kanë vendstrehime bërthamore të kohës së Luftës së Ftohtë, të cilat po rinovohen heshtazi. Kievi së fundi rihapi një bunker bërthamor dhe e bëri sërish të përdorshëm.
Në Pragë, disa bunkerë të Luftës së Ftohtë kanë përjetuar një rritje të interesimit nga banorët, që prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 2022. Bunkerët “janë ende funksionalë, që nga rënia e komunizmit, dhe mund të aktivizohen sipas nevojës”, konfirmoi Jan Mikes, shef i departamentit për menaxhim krizash në qarkun Praga 2, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
Një zëdhënëse e Shërbimit të Zjarrfikësve të Republikës Çeke tha për REL-in se, nga viti 2023, institucioni ka nisur të përditësojë “kërkesat për sistemin e vendstrehimit dhe për vetë vendstrehimet”, pa dhënë më shumë hollësi.
Në Luginën e Ahrit, afër Bonit, në Gjermani, drejtoresha e një vendstrehimi kundër bombave bërthamore, i cili tani funksionon si muze, raportoi për një shtim të vizitorëve së voni.
“Interesimi është rritur, veçanërisht nga të rinjtë, për shkak të luftës në Ukrainë”, tha Heike Hollunder në një prononcim për REL-in. “A mund të përdoret bunkeri sërish? A ka bunker bërthamor për Qeverinë në Berlin? Këto janë pyetjet kryesore që bëhen”.
Por, këto masa drastike sigurie janë ndoshta të kota. Podvid thotë se një sulm bërthamor rus do të linte shumë pak kohë për të ikur drejt një vendstrehimi të fortë. Nga lëshimi deri te goditja e një objektivi në Evropën Qendrore, sipas llogaritjeve të Podvigut, “do të kalonin rreth 10 minuta”.
Shtetet e Bashkuara kanë një rrjet satelitësh, të aftë për të vërejtur menjëherë tymin e lëshimit të një rakete, por ai sistem me gjasë do të ishte i padobishëm për vendet që ndodhen afër Rusisë.
“Shtetet e Bashkuara i kanë të gjitha llojet e sistemeve paralajmëruese – satelitët e gjëra të tilla. Por, unë dyshoj se ky informacion mund të ndahet aq shpejt apo fare me aleatët e SHBA-së në shtetet evropiane”, ka thënë Podvig.
Simulimet e asaj që mund të bëjnë armët moderne bërthamore nëpër qytete ofrojnë një pasqyrë të frikshme. Një raketë e vetme ruse Topol-M do të shpërthente në një top zjarri me gjerësi prej një kilometri, i cili do të digjte çdo gjë të gjallë që do të prekte. Brenda një rrezeje prej 7 kilometrash, civilë të panumërt do të vdisnin nga djegiet e rënda dhe do të shtypeshin nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga vala e goditjes. Pastaj do të vinte rrezatimi, i cili do të prekte vendin e shpërthimit dhe do të helmonte ujin dhe ajrin.
Historiani ushtarak britanik, Basil Liddel Hart, ishte dëshmitar i një loje lufte më 1955, në të cilën NATO-ja ushtroi skenarin e një lufte të plotë bërthamore me Bashkimin Sovjetik. NATO-ja fitoi ballafaqimin, por pasi ra pluhuri hipotetik, pothuajse çdo gjë e çmuar e botës perëndimore u kthye në rrënoja. Hart më vonë do ta përshkruante përvojën si “tejet neveritëse”.
Fitorja, shkroi ai, “e kishte humbur kuptimin”.
Udhëheqësi sovjetik, Nikita Khrushchev, raportohet të ketë thënë se pas luftës së plotë, “të gjallët do t’ua kishin lakmi të vdekurve”.
Podvig nga UNIDIR është i kujdesshëm me zbulimin e llogaritjeve të veta.
“Unë, thjesht, përpiqem të mos mendoj për të, sepse i di disa skenarë katastrofikë që janë tejet të këqij”, tha ai.
Sikurse në kulmin e Luftës së Ftohtë, të vetmit parandalues seriozë sot janë shkatërrimi i ditur që sigurojnë rezervat prej qindra raketash bërthamore të Perëndimit, bashkë me një politikë kontroverse të lëshimit me paralajmërim.
Kjo politikë u mundëson Shteteve të Bashkuara të ndërmarrin sulme hakmarrëse, nëse vërehen raketa që vjen, para rënies në tokën amerikane. Ajo do të parandalonte shkatërrimin e armëve bërthamore të Amerikës, por lë hapur mundësinë e një gabimi që mund t’i japë fund civilizimit.
Me gjithë rritjen e vazhdueshme të tensioneve ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, Podvig tha se një apokalips bërthamor mbetet vetëm një mundësi e largët.
“Unë besoj se para se të vinte puna deri aty, deri te mundësia e vërtetë, ne do të shohim goxha hapa të tjerë përshkallëzues”, u shpreh ai.
Përveç retorikës specifike, Podvig ka parashikuar se “ne do të shihnim disa lëvizje armësh dhe gjëra të tilla”.
Ai tha se është i sigurt se mbetet “shumë e pagjasë që kjo do të ndodhte krejt papritur”.