Nëse sondazhet dalin të sakta, zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian do të tregojnë rritje të mbështetjes për partitë populiste të krahut të djathtë dhe për ato të ekstremit të djathtë - tashmë pjesë e disa parlamenteve kombëtare.
Këto forca mbështesin një mendim politik që ka tendenca të jetë më konservator dhe më nacionalist. Janë kundër imigrimit, kundër multikulturalizmit e disa edhe kundër zgjerimit të BE-së.
Me fjalët e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, “populistët e krahut të djathtë janë gati të shkatërrojnë atë që kemi ndërtuar për fëmijët tanë; ata ngjallin ndjenja kundër refugjatëve dhe pakicave”.
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen nga data 6 deri më 9 qershor. Deputetët e këtij institucioni zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët - mbi 400 milionë syresh në të 27 vendet anëtare.
SHIKONI EDHE: Pse janë të rëndësishme zgjedhjet për Parlamentin EvropianNjë sondazh i kryer nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë ka gjetur se ky proces do të sjellë forcim të ndjeshëm të së djathtës radikale.
Arsyet variojnë - nga rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës deri te frika se kufijtë e hapur rrezikojnë identitetin kombëtar dhe vlerat tradicionale.
Për pasojë, dy grupet kryesore politike - Partia Popullore Evropiane dhe Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve - do ta ruajnë shumicën, por me rezultate më të dobëta, sipas sondazhit. Ato kanë përjetuar rënie edhe në zgjedhjet e vitit 2019 tashmë - grupi i parë për 2.8 për qind, ndërsa i dyti për 5.9 për qind.
Në përbërjen në largim të Parlamentit Evropian, e djathta ka 128 vende nga 705 gjithsej. Në përbërjen e ardhshme, sipas sondazheve, ajo mund të fitojë pothuajse një të katërtën e tyre.
Vesko Garçeviq, i cili ka shërbyer si ambasador i Malit të Zi në Bruksel, shpjegon për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Parlamenti Evropian ka më pak ndikim se dy institucionet e tjera të BE-së - Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian - por shton se ai nuk mund të anashkalohet për disa çështje të rëndësishme. Për shembull, Komisioni Evropian nuk mund ta marrë detyrën pa u konfirmuar me shumicë votash në Parlamentin Evropian.
“Trendi i rritjes së partive të djathta do të reflektohet në përbërjen e Parlamentit të ri Evropian. Por, çështja është nëse ato parti do të jenë vendimmarrëse, kur të bëhet fjalë për Komisionin e ri, apo do të jenë pakicë e konsiderueshme brenda Parlamentit. Kjo është shumë e rëndësishme dhe jam i sigurt se do ta përcaktojë mënyrën se si Parlamenti dhe institucionet tjera evropiane do të punojnë në vitet në vazhdim”, thotë Garçeviq.
SHIKONI EDHE: Si u rrit sërish e djathta ekstreme në Gjermani?Sondazhi i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë ka gjetur se partitë e së djathtës radikale kanë tendencë të dalin të parat në nëntë vende të Evropës, përfshirë: Francën, Austrinë dhe Italinë, ndërsa të dytat ose të tretat në nëntë vende të tjera, përfshirë: Gjermaninë dhe Spanjën.
Garçeviq thotë se kjo është problematike, sepse ndikimi që kanë këto zgjedhje në debatet kombëtare, implikon edhe vendimet e Komisionit dhe të Këshillit Evropian. Garçeviq përmend në mënyrë të veçantë Ballkanin Perëndimor.
“Këtu jam i shqetësuar sidomos për zgjedhjet në Francë. Ato mund ta ndryshojnë lojën, sepse janë shtetet individuale ato që e formësojnë qasjen e Bashkimit Evropian kur bëhet fjalë për Ballkanin”, thotë ai.
Këtij qëndrimi i bën jehonë edhe Andi Hoxhaj, ligjërues në Kolegjin Universitar të Londrës. Duke folur për Exposenë, ai pret që partitë e ekstremit të djathtë ta zgjasin mbylljen e BE-së ndaj rajonit të Evropës juglindore.
“Shumë prej tyre janë kundër zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor për shkak të, siç thonë, çështjeve kulturore dhe problematikave institucionale. Nëse partitë e ekstremit të djathtë do të kenë fuqi më të madhe seç kanë aktualisht, atëherë politika e zgjerimit do të jetë në pikëpyetje goxha të madhe”, thotë Hoxhaj.
SHIKONI EDHE: Orbani thotë se një “sëmundje” po i shkatërron demokracitë perëndimoreHoxhaj thotë se kjo politikë do ta lërë edhe një rrezik pas - atë të influencës edhe më të madhe nga Rusia dhe Kina. Si vende më të cenueshme, ai përmend Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Dhe për këtë bën përgjegjëse vetë BE-në.
“... sepse BE-ja ka lënë një vakum në Ballkanin Perëndimor, duke qenë se politika e zgjerimit, në 15 vjetët e fundit, është përdorur vetëm për influencë në Ballkan, por pa pasur një qasje afatgjate se kur këto vende do të integrohen, apo si do të integrohen. Ky vakum pastaj ka bërë që fuqitë e mëdha, si Kina dhe Rusia, të ndërhyjnë me investime të jashtëzakonshme në infrastruktura specifike, si: ekonomia, transporti e kështu me radhë”, thotë Hoxhaj.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila këtë vit do të kandidojë për rizgjedhje, ka thënë në fjalimin për gjendjen e BE-së shtatorin e kaluar, se blloku duhet t’i përgjigjet “thirrjes së historisë” dhe të pranojë një numër të madh vendesh, përfshirë nga Ballkani Perëndimor.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Unionin tonë”, ka thënë ajo.
BE-ja ka shprehur mbështetje për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor qysh në vitin 2003, në një samit në Selanik të Greqisë. Por, që nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e këtij rajoni është anëtarësuar në BE në vitin 2013.
Të tjerat janë në faza të ndryshme të integrimit, ndërsa Kosova është më së largu - ajo vetëm ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022.
Me rritjen e së djathtës ekstreme, Garçeviq, tani profesor i Praktikës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit, thotë se Kosovës do t’i vështirësohet tutje edhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
“Për shkak të ideologjisë dhe jo interesave në rajon, partitë e ekstremit të djathtë do të dalin në anën e Serbisë dhe do ta mbështesin atë kundrejt Kosovës. Kjo, pastaj, do ta zgjasë edhe më shumë procesin e negociatave mes tyre. E, nëse ndryshon edhe administrata amerikane, ajo po ashtu mund të anojë më shumë nga Serbia. Në një skenar të tillë, mund të imagjinoj edhe rikthimin e idesë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë në vitet e ardhshme”, thotë Garçeviq.
Your browser doesn’t support HTML5
Në zgjedhje, pas atyre për Parlamentin Evropian, do të jetë edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së - përgjegjës edhe për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi. Në pesë vjetët e kaluar, këtë pozitë e ka mbajtur Josep Borrell, diplomat nga Spanja - vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Analistët tërheqin vërejtjen se disa udhëheqës nacionalistë në Ballkan mund të përpiqen edhe ta shfrytëzojnë vakumin politik, që rezulton nga këto procese zgjedhore, për ta komplikuar situatën në terren. Në mënyrë të veçantë përmendet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidenti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik - që të dy me pikëpamje shpesh pro-ruse.
Shqetësim në vete, sipas tyre, përbën edhe Maqedonia e Veriut, ku, këtë muaj, partia nacionaliste VMRO-DPMNE është kthyer në pushtet, duke i fituar zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.
“Së pari Ballkani, pastaj Brukseli”, ka thënë presidentja e re e këtij vendi, Gordana Silanovska-Davkova.
Analistët nuk presin që nga rritja e së djathtës, të ketë ndonjë ndryshim politik sa i përket Rusisë dhe Ukrainës - dy vendeve në luftë - apo mbrojtjes së lirisë në Evropë.
SHIKONI EDHE: Presidenca maqedonase e justifikon përdorimin e emrit "Maqedoni"Për t’i ndalur hovin kësaj rryme, ata thonë se, mes tjerash, duhet përmirësuar kushtet sociale dhe ekonomike - gjë që pastaj do ta frenojë edhe tërheqjen nga populizmi.
Zgjedhjet në Evropë këtë vit do të jenë të parat prej se është finalizuar dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2020.
Ato do të jenë të parat edhe pas disa krizave të rëndësishme, të cilat kanë ndikuar rrënjësisht politikën në BE dhe në vendet e saj anëtare, të tilla si: pandemia COVID-19, pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia dhe lufta në Gazë.
Pjesëmarrja, si rëndom, pritet të jetë më e ulët se në zgjedhjet parlamentare kombëtare.
Por, me fjalët e kryeministres italiane, Giorgia Meloni - partia e së cilës ka rrënjë neo-fashiste - “koha e patriotëve ka ardhur”.