Cila është e ardhmja e Universitetit kinez Fudan në Hungari?

Një demonstrues mban një pankartë që përshkruan kryeministrin hungarez, Viktor Orban, si Mao Tse-Dung gjatë një proteste kundër kampusit të planifikuar të universitetit kinez Fudan në Budapest, qershor 2021.

Disa muaj pasi një rrjedhje dokumentesh shpërfaqi planet e Qeverisë hungareze për të ndarë rreth 1.8 miliard dollarë nga fondi i taksapaguesve për të ndërtuar një kampus satelitor për një universitet kinez, më shumë se 10,000 njerëz kanë dalë nëpër rrugët e Budapestit për të protestuar për këtë projekt kundërthënës.

Më 5 qershor të vitit 2021, protestuesit kanë treguar hapur se janë kundër ndërtimit të Universitetit Fudan në kryeqytetin hungarez.

Kjo situatë ka qenë, po ashtu në të mirë të opozitës hungareze, e cila ka shënjestruar vazhdimisht lidhjet e ngrohta të kryeministrit Viktor Orban me Pekinin.

Në prag të protestave, Qeveria e ka distancuar veten nga projekti dhe investimet tjera kineze në këtë shtet, të cilat kanë nxitur akuza për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve shtetërore.

Orban dikur ka thënë se e ardhmja e kampusit do të vendoset nga një referendum, kërkesë kjo edhe e protestuesve.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, duke festuar me mbështetësit e tij pas shpalljes së rezultateve paraprake që tregojnë rizgjedhjen e tij në Budapest, më 3 prill.

Mirëpo, një vit më vonë, Qeveria është duke u zmbrapsur nga ky zotim, pasi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim më 18 maj se mbajtja e një referendumi për kampusin universitar në Budapest, është veprim jokushtetues, pasi prek një marrëveshje ndërkombëtare që është arritur ndërmjet Hungarisë dhe Kinës.

Ky vendim është pjesë e një morie vendimesh të marra nga nacionalisti Orban, pas fitores së 3 prillit, ç'gjë, sipas analistëve, i mundëson atij të konsolidojë pozitën e tij në pushtet dhe të përdorë gjykatën për t'i ulur zërat opozitarë, ashtu që t’ia hapë rrugën projektit kinez.

“Vendimi i gjykatës për referendumin ka qenë vendim politik”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Andras Jambor, aktivist që ka ndihmuar në organizimin e protestave të qershorit të vitit 2021 dhe është zgjedhur për një pozitë në Parlament në kuadër të Lëvizjes së majtë, Shkëndija.

Partia në pushtet, Fidesz, është akuzuar nga aktivistët dhe grupet për të drejta të njeriut për grumbullim të kandidatëve të saj në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim të përparimit të agjendës së tij dhe largimit të pengesave në Hungari, shtet që ka shënuar rënie të nivelit të demokracisë në vjetët e fundit.

SHIKONI EDHE: Hungaria - “portë hyrëse” e Kinës në Evropë

Jambor ka thënë se teksa ky vendim për bllokim të referendumit është një tjetër hap për jetësim të kampusit Fudan, ai duhet të shihet si pjesë e strategjisë së partisë Fidesz për të parandaluar opozitën nga ndonjë sukses eventual.

Zyra e kryeministrit hungarez nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për të komentuar këtë çështje.

Konkretizimi i planit

Prej zgjedhjeve të fundit, Qeveria ka nisur të jetë më e zëshme në mbrojtje të planeve për kampusin kinez.

“Nëse nuk e ndërtojmë Universitetin Fudan, kjo i bie sikurse të këpusim vullnetarisht njërin krah”, ka thënë ministri për Kulturë dhe Inovacion, Janos Csak, në një seancë parlamentare më 18 maj.

“Ne në Hungari duhet të shikojmë si në lindje, ashtu edhe në perëndim, siç bëjnë shtetet e Perëndimit. Ne duhet t'i kuptojmë dy botët – jo për arsye politike – mirëpo sepse kjo dije është e nevojshme edhe për inovacion në Hungari”, është shprehur Csak.

Kjo marrëveshje do ta kthente Fudanin në universitetin e parë kinez në Bashkimin Evropian dhe degën e parë të jashtme të universitetit që ka bazën në Shangai.

Qeveria hungareze beson se ky universitet do të rriste standardin e edukimit në këtë shtet.

Csak ka vazhduar ta përmendë këtë arsyetim në një intervistë më 1 qershor në median pro-qeveritare, Mandinder, ku e ka quajtur Fudanin si “një prej universiteteve më të mira në botë”, dhe ka thënë se Hungaria “duhet të shohë Kinën në nivelin që e sheh civilizimin perëndimor”, prandaj universiteti kinez do të shërbente në mënyrë të mrekullueshme në këtë aspekt.

Hungaria vazhdon të jetë aleatja më e ngushtë e Kinës në BE dhe Orban e ka shfrytëzuar këtë lidhje për të manovruar me Brukselin.

SHIKONI EDHE: Orban i qaset me kujdes Kinës para zgjedhjeve

Pavarësisht përkrahjes së madhe nga Pekini dhe Budapesti, planet për universitet duhet të tejkalojnë një varg pengesash.

Jambor ka thënë kampusi universitar Fudan, ende përballet me probleme ekonomike dhe politike.

Çmimi për ndërtim të kampusit është 1.8 miliard dollarë dhe 1.5 milion dollarë do të paguhen përmes kredive kineze.

Shqetësimet për fonde dhe borxhe mund të shndërrohen në çështje problematike, sidomos për faktin që universiteti nuk është projekt i pavarur ndërtimi, mirëpo është i lidhur me një ndërtim të një lagjeje, çka kërkon miratimin edhe në nivel lokal në Budapest.

Ai, po ashtu, paralajmëron se kampusi mund të shënjestrohet nga BE-ja, e cila secilën herë e më shumë ashpërson politikat për investimet kineze brenda bllokut, gjë që mund të rrisë tensionet me Orbanin.

Jambor përmend edhe shqetësimet e fundit për atë nëse Hungaria do të shfrytëzojë paratë e taksapaguesve për këtë projekt të kushtueshëm, teksa bota përballet me parashikime të zymta për ekonominë në vitet në vijim.

“Kam takuar zyrtarë qeveritarë që kanë njohuri për këto investime, dhe ata kanë dhënë shenja se planet për investime nuk janë aspak të qëndrueshme”, ka thënë Jambor.

Projekt shumë i madh për të dështuar?

Pavarësisht këtyre pengesave, analistët besojnë se projekti është shumë i rëndësishëm për marrëdhëniet e Hungarisë me Kinën, andaj edhe mendojnë se do të realizohet.

Charles Dunst, hulumtues në Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se projekti mund të hapë rrugën për më shumë investime kineze brenda Hungarisë “dhe nga kjo gjë do të përfitonte Orbani në aspektin politik, varësisht se si luan”.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, duke biseduar me presidentin kinez, Xi Jinping (i cili nuk duket në foto) gjatë një takimi dypalësh më 2019 në Pekin.

Fuqizimi i lidhjeve me Pekinin, përmes ndërtimit të kampusit, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, mund të kthehet në gjë të vlefshme për Orbanin, teksa forcon lidhjet me Moskën dhe u reziston sanksioneve kundër Rusisë, të vëna nga blloku evropian për shkak të pushtimit rus në Ukrainë.

“Orban mund të forcojë lidhjet me Kinën për të përfituar më shumë nga BE-ja”, ka thënë Dunst.

“Budapesti ka bllokuar propozimin e BE-së për embargo të naftës ruse, derisa Brukseli i ka dhënë Hungarisë atë që ka kërkuar, andaj Orban mund ta shfrytëzojë këtë mundësi për t'i përdorur lidhjet me Kinën, për t'i rritur kërkesat ndaj BE-së”.

Tamas Matura, profesor në Universitetin Corvinues në Budapest, dhe themelues i Qendrës Evropiane dhe Lindore për Studime Aziatike, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se marrë parasysh përkrahjen e madhe nga Orban dhe Xi për projektin e universitetit, asnjëra parti nuk duket se do të heqë dorë nga marrëveshja.

“Bazuar në atë që dimë për marrëveshjen financiare, Pekini nuk ka asgjë për të humbur nëse projekti zbatohet, ndërsa braktisja mund të shihet si turpërim”, ka thënë Matura.

Megjithatë, përpjekjet e brendshme për të anuluar projektin, nuk kanë përfunduar.

Politikanë opozitarë dhe aktivistë kundër projektit, janë duke shqyrtuar rrugë të reja për shprehje të pakënaqësisë, pas vendimit të gjykatës.

SHIKONI EDHE: Orban do të mbajë referendum për universitetin kinez

Krisztina Baranyi, kryetare e distriktit të nëntë të Budapestit, ku gjendet kampusi, ka thënë për median hungareze, ATV, më 1 qershor se përgatitjet janë duke u kryer për organizim të një referendumi lokal.

Ligjvënësi opozitar, Jambor, ka thënë se referendumi lokal mund të jetë vegël e vlefshme politike për t’i rezistuar kampusit dhe se ai dhe politikanë tjerë, janë duke shqyrtuar mjete tjera ligjore për të ndalur nisjen e projektit.

Mirëpo, ai shton se partitë opozitare të Hungarisë janë duke u rigrupuar pas humbjes në muajin prill.

“Kjo nënkupton që opozita nuk është e gatshme të organizojë ndonjë protestë të madhe, të paktën në muajt e ardhshëm”, ka thënë ndër tjerash Jambor.

Përgatiti: Krenare Cubolli