Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka thënë se 49 persona kanë vdekur dhe 20 të tjerë janë plagosur rëndë, si pasojë e dy sulmeve terroriste në dy xhami në qytetin, Kristçërç.
Ajo e ka përshkruar këtë ngjarje si sulm terrorist dhe një nga “ditët më të rënda” për këtë vend.
Policia ka konfirmuar se një burrë është akuzuar për vrasje dhe do të paraqitet para gjykatës mëngjesin e së shtunës.
Autoritetet kanë ndaluar edhe dy burra të tjerë dhe një grua, afër zonës ku janë konfiskuar armët e zjarrit, ka thënë komisionari policor, Mike Bush.
Për njërin prej tyre thuhet se mund të mos jetë përfshirë në incident, kurse për dy të tjerët hetimet janë ende duke vazhduar.
Një pjesë e sulmit është transmetuar direkt në rrjete sociale, në profilin e njërit nga sulmuesit. Në video, të cilën Radio Evropa e Lirë nuk do ta transmetojë, dëgjohen tinguj të një kënge serbe, e cila madhëron 'kasapin e Bosnjës', të dënuarin për krime lufte Radovan Karaxhiq.
Policia në Zelandë të Re i ka bërë thirrje publikut që të mos i shpërndajë këto pamje “jashtëzakonisht shqetësuese”.
Rrjeti social, Facebook, ka thënë se ka bllokuar llogaritë e sulmuesit të dyshuar në Facebook dhe Instagram dhe se është duke punuar që të largojë të gjitha pamjet që kanë rrjedhur nga ai postim.
Your browser doesn’t support HTML5
Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, ka thënë se një nga të arrestuarit është qytetar australian.
Ai e ka përshkruar të dyshuarin e sulmit si “terrorist të dhunshëm të ekstremit të djathtë”.
I dyshuari australian besohet të ketë publikuar një manifest, në të cilin ka bërë të ditura qëllimet e tij, të bazuara në ideologji anti-imigrante dhe të ekstremit të djathtë.
Dëshmitarët u kanë thënë mediave lokale se kanë vrapuar kur kanë parë njerëz që janë përgjakur jashtë xhamisë, Al Noor.
Një burrë ka thënë të ketë qenë në xhaminë Al Noor dhe ka përshkruar sulmuesin si njeri të bardhë, që ka pasur të veshur një jelek antiplumb.
Ai ka thënë se ky person ka nisur sulmin në xhami, derisa besimtarët kanë qenë duke u lutur.
“Ai ka pasur armë të madhe, ka hyrë dhe ka nisur sulmin ndaj secilit në xhami, gjithandej”, ka thënë Ahmad Al-Mahmoud. Ai ka thënë se bashkë me shumë persona të tjerë kanë ikur përmes një xhami të thyer.
Një xhami e dytë në lagjen Lajnvud, është evakuuar derisa komisionari Bush ka thënë se dhjetëra viktima janë raportuar në të dyja vendet.
Autoritetet kanë këshilluar mbylljen e të gjitha xhamive deri në njoftimin e radhës, duke thënë se ngjarja e së premtes ka qenë e pashembullt.
Kryeministri australian, Scott Morrison ka kërkuar që në shenjë respekti për të gjithë të vrarët, flamujt të vendosen në gjysmë-shtizë.
Pas lajmit për sulme terroriste, liderë botërorë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjarët e viktimave dhe gjithë Zelandën e Re.
Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë se “është bashkë me gjithë të prekurit e këtij sulmi”.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk e ka cilësuar këtë sulm “brutal” dhe ka thënë se as ky incident nuk do të “zvogëlojë kurrë tolerancën për të cilën njihet Zelanda e Re”.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u ka bërë thirrje vendeve perëndimore që të marrin masa për të zvogëluar rritjen e racizmit kundër Islamit dhe myslimanëve, pasi sipas tij sulmet sikurse ky në Zelandën e Re, mund të jenë më pas të “pashmangshme”.
Kryeministri pakistanez, Imran Khan ka fajësuar atë që e ka cilësuar si islamofobi në rritje për incidentin në Zelandën e Re.
Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se “terrorizmi nuk ka fe”.
Ministria e Jashtme e Kosovës, ka konfirmuar se asnjë kosovar nuk është prekur nga ky sulm terrorist.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se “Republika e Kosovës e dënon ashpër aktin terrorist” në Zelandën e Re.
Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe institucioneve të Zelandës së Re.
“Terrorizmi, pa marrë parasyshë nga kush vjen, është e keqja më madhore me të cilën duhet të përballemi të gjithë së bashku. Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj përkrah aleatëve strategjikë për sigurinë globale”, është shprehur ai.