Dyshime për falsifikim votash në Kosovë në zgjedhjet e Serbisë

Votimi në Mitrovicë të Veriut më 21 qershor, 2020.

Ish-politikani nga Mitrovica e Veriut, Marko Jakshiq thotë se nuk ka votuar në zgjedhjet për Parlamentin e Serbisë, të mbajtura më 21 qershor, 2020. Por, Komisioni i Zgjedhjeve të Republikës së Serbisë i ka dërguar njoftim se vota e tij është evidentuar në një vendvotim në Mitrovicë të Veriut. Derisa Jakshiq dyshon se dikush ka falsifikuar votën e tij dhe për këtë parregullsi ai e akuzon Listën Serbe, subjekt i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, një komisioner zgjedhor, që kishte punuar atë ditë në vendvotimin e tij, pretendimet e Jakshiqit i quan “budallallëk total”.

Komisioni i Zgjedhjeve i Serbisë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se pohimet e Jakshiqit që vota e tij është evidentuar “assesi nuk mund të vënë në pikëpyetje rregullsinë e zgjedhjeve, të cilat tashmë, ligjërisht kanë përfunduar”.

Çfarë thotë Marko Jakshiq?

Në ditën kur u mbajtën zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, më 21 qershor, 2020, Marko Jakshiq ishte në piknik në Liqenin e Ujmanit (Gazivoda), 50 kilometra nga Mitrovica.

Jakshiq, i cili më herët ka qenë pjesë e partisë së Oliver Ivanoviqit, “Liria, Demokracia, Drejtësia”, ka mbështetur thirrjet e opozitës në Serbinë, që të bojkotoheshin këto zgjedhje.

Opozita në Serbi mori vendim për bojkot, duke thënë se nuk ishin krijuar kushtet minimale për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Për shkak të dyshimeve se ky proces zgjedhor nuk është zhvilluar sipas rregullave, Jakshiq ka vendosur t’i drejtohet Komisionit Zgjedhor të Serbisë, për të kontrolluar se a e ka keqpërdorur dikush votën e tij. Pas disa kërkesash të dërguara në këtë institucion me pyetjen se a është evidentuar vota e tij në këto zgjedhje, më 25 mars, 2021, atij i është kthyer përgjigja:

“Ju njoftojmë se në nr.230, ku është shënuar emri juaj, ekziston nënshkrimi i votuesit, që do të thotë se është evidentuar se keni votuar”, thuhet në dokumentin të cilin Jakshiq e ka publikuar në rrjetet sociale, duke thënë se ka të bëjë me përgjigjen e Komisionit.

“Nuk kam mundur ta besoj”, ishte reagimi i parë i Jakshiqit, pasi mori përgjigjen e Komisionit.

Marko Jakshiq.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se “makineria e cila me vite po i keqpërdor votat e serbëve në veri të Kosovës”, ekziston nga viti 2013. Në atë vit është nënshkruar Marrëveshja e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kur edhe është vendosur për zbatimin e procesit zgjedhor edhe në veri, me ç’rast është formuar edhe partia Lista Serbe.

“Në rast, ishin aq të ligë, që duke e ditur qëndrimin tim lidhur me zgjedhjet, duke e ditur qëndrimin tim lidhur me politikën e tyre, ata votuan në emrin tim dhe u nënshkruan”, thotë Jakshiq për Radion Evropa e Lirë.

Bindjen e tij se prapa parregullsive të pretenduara është Lista Serbe dhe Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit, Jakshiqi e bazon në atë “se ata lavdërohen se kanë mbështetjen absolute prej 99.14 për qind në Mitrovicë dhe se ata 0.86 për qind me siguri nuk janë në gjendje që ta bëjnë një gjë të tillë”.

Komisioni Zgjedhor i Serbisë: Deklarimet e Jakshiqit nuk e vënë në pikëpyetje rregullsinë e zgjedhjeve

Nga Komisioni i Zgjedhjeve të Serbisë kanë konfirmuar se e kanë njoftuar Jakshiqin lidhur me evidentimin e votës së tij. Nga ky institucion thonë se me këtë njoftim janë shfrytëzuar të gjitha detyrimet ligjore karshi Jakshiqit, i cili ka bërë kërkesë për një gjë të tillë.

Letra që Marko Jakshiq ka pranuar nga Komisioni i Zgjedhjeve të Serbisë ku thuhet se vota e tij është evidentuar në zgjedhjet e 21 qershorit, 2020.

Nga ky Komision shtojnë se nuk parashihet asnjë veprim tjetër nga ky institucion.

Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, siç ka qenë edhe viteve të tjera, u mbajtën me ndihmën e Organizatës për Siguri dhe bashkëpunim në Evrope (OSBE), e cila ka grumbulluar votat për t’i dërguar për numërim në vende të ndryshme në Serbi. Nga ky mision thanë për REL se nuk kanë marrë ndonjë ankesë lidhur me procesin zgjedhor.

Komisioneri demanton Jakshiqin

Në pyetjet e REL-it nuk është përgjigjur as Lista Serbe. Drashko Banjac nga Mitrovica e Veriut, i cili ishte komisioner në vendvotimin ku është i regjistruar Jakshiqi, shkurtimisht ka thënë se deklaratat e Jashiqit janë “budallallëk total”.

“Kjo nuk mund të ndodhë, askush nuk mund të hy (në vendvotim) pa letërnjoftim dhe të votojë pa letërnjoftim. Mund të ndodhë që ka ngjarë ndonjë lëshim, gjithçka është e mundur, 12 orë ishim aty. Por, që dikush ka bërë manipulime është budallallëk total”, tha Banjac.

Në ueb-faqen e Komisionit Zgjedhor të Serbisë, në njërin nga raportet zgjedhore thuhet se votimin numër 4, në Mitrovicë të Veriut, ishin 622 votues të regjistruar dhe kishin votuar 592 persona. Partia e Vuçiqit, në këtë vendvotim fitoi 514 vota. Në të njëjtin raport thuhet se komisionerët “nuk kishin vërejtje në procesin e votimit në këtë vendvotim”.

Çka tutje?

Marko Jakshiq thotë se do të kërkojë nga Komisioni Zgjedhor kopjen e nënshkrimit të tij dhe se do të ngrehë kallëzim penal te Prokuroria e Republikës së Serbisë kundër komisionerëve.

“Është koha të ballafaqohen me pasojat e veprave të tyre. Ndoshta ata nuk kanë futur vota në kuti, por e kanë mundësuar këtë gjë sepse nuk kanë verifikuar identitetin tim”.

Pas Jakshiqit, edhe qytetarë të tjerë nga veri i Kosovës kanë vendosur të kërkojnë dëshmi lidhur me evidentimin e votës së tyre. Njëri nga ta është edhe Dejan Nedelkoviq nga Zveçani.

“Kjo na ka dhënë një shtytje të gjithëve që t’i adresohemi Komisionit të Zgjedhjeve, për të parë a ka votuar dikush për ne”, thotë Nedelkoviq.

Ndryshe, në ueb-faqen e Komisionit Zgjedhor të Serbisë, ekziston mundësia që qytetarët të verifikojnë se a ka votuar dikush në vend të tyre. Këtë ata mund ta bëjnë përmes një kërkesë në mënyrë elektronike ose të kërkojnë që të kenë qasje në listën e votuesve.

SHIKONI EDHE: Markoviq: E humba punën sepse nuk e votova Adrijana Hoxhiqin

Pavlle Dimitrijeviq nga organizata joqeveritare “CRTA”, e cila ka vëzhguar zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit 2020, tha se deri më tani nuk kanë parë një rast si i Marko Jakshiqit, i cili ka thënë se nuk ka votuar, por ka marr konfirmim se ka bërë një gjë të tillë.

Ai thotë se nëse qytetari dyshon se dikush ka votuar në vend të tij, mund të ngrehë kallëzim penal kundër personit NN. Sipas ligjit në Serbi, për falsifikim të votës parashihet gjoba ose burgim deri në një vit.

Dënim nga tre muaj deri në tri vjet parashihet nëse këtë shkelje e ka bërë komisioneri zgjedhor.

Dimitrijeviq thotë se në këtë moment kjo nuk mund të ndikojë në procesin zgjedhor sepse kanë kaluar të gjitha afatet për ankesa lidhur me rezultatin zgjedhor.