Dyshime për cilësinë e ushqimit në Maqedoninë e V.

Qytetarët duke blerë gjëra ushqimore në një treg në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Mars, 2020.

Pandemia e koronavirusit ka bërë që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të tregon më të kujdesshëm sa i përket cilësisë së ushqimit.

Qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë pas informacioneve që kanë marrë nga rrjetet sociale se në një rrjet të dyqaneve ushqimore është gjetur një mi i ngordhur në pjesën ku shiten perimet e ngrira, ata tashmë janë më të orientuar që të blejnë produkte të freskëta në tregun e gjelbër. Ndërkaq, nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari kanë thënë se pas publikimit të informacioneve në rrjetet sociale, kanë urdhëruar që produktet që janë shitur në atë pjesë të dyqanit, të tërhiqen nga shitja.

Elena nga Shkupi, thotë se gjatë pandemisë është kujdesur më shumë për cilësinë e ushqimeve që konsumon.

“Praktikoj që me ushqim të furnizohem në treg, ku mendoj se ushqimi është i freskët, por edhe më i sigurt dhe mund të zgjedh atë që është më cilësor. Pandemia na mësoi se nuk është aq e vështirë të përgatisësh vetë ushqim dhe se nuk kemi edhe aq nevojë për ushqime të konservuara apo perime të ngrira, kështu që tani kryesisht përgatis në shtëpi”, thotë Elena.

SHIKONI EDHE: Pandemia ndryshon mënyrën e të ushqyerit

Qytetarët thonë se duhet të veprojë Inspektorati për kontrollin e ushqimit edhe gjatë pandemisë dhe jo të reduktojë kontrollet.

“Unë mendoj se duhet të vihen në punë ekipet e inspektorëve sa i përket kontrollit të ushqimit, pasi është e papranueshme që të gjenden minj në perimet e ngrira. Duhet të bëhen kontrolle rigoroze edhe të vendit prej ku importohen produkte të caktuara, por gjithsesi edhe të kushteve ku ruhen ushqimet”, thotë Emilija Nikolla.

Ndërkaq, Qemale Ganiu thotë se së fundmi ka hasur në shumë produkte me afat të skaduar dhe për këtë gjë, ajo thotë se ka ndikuar pandemia, duke ulur konsumin e produkteve të konservuara.

“Dyqani në mëhallën time, gjatë izolimit me ditë të tëra ka qenë i mbyllur. Shumë produkte i mbuloi pluhuri. Askush për asgjë nuk interesohej. Të kesh frikë të prekësh ndonjë produkt”, thotë Ganiu.

Nga Shoqata për mbrojtjen e konsumatorëve thonë se qytetarët janë më të prirë që vërejtjet t’i paraqesin në rrjetet sociale sesa t’i raportojnë në institucionet kompetente.

Marijana Llonçar-Vellkova nga kjo shoqatë, thotë për Radion Evropa e Lirë tregon një rast që kur një konsumator ka sjell një bukë të mbushur me copëza xhami, i është thënë që rastin ta denoncojë në Inspektoratin për kontrollin e ushqimit, por i njëjti, sipas saj, ka hezituar që ta bëjë një gjë të tillë.

“Ne në vazhdimësi u kemi bërë thirrje qytetarëve që gjithçka që u duket se është me cilësi të dyshimtë, siç është afati i skaduar, mënyra jo e duhur e ruajtjes së një produkti të caktuar ushqimor, t’i ruajnë llogaritë fiskale të produktit të blerë. Nëse produkti me cilësi të dyshimtë lajmërohet tek organet kompetente, qytetari do ta mbrojë veten dhe të tjerët që të mos dëmtohen”, thotë Llonçar-Vellkova.

Ajo shton se konsumatorët kanë pasur ankesa sepse disa produkte kanë pasur mungesë të deklaratës për përmbajtjen e tyre ose nuk ka pasur përkthim adekuat të përmbajtjes së produkteve të caktuara që importohen nga jashtë.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Nikollçe Babovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se rasti që është bërë publik në rrjetet sociale lidhur me gjetjen e një miu të ngordhur në një dyqan ushqimor, nuk është raportuar në asnjë institucion kompetent.

“Në rrjedhë janë kontrollet e shërbimeve të inspektimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, përkatësisht nëse marketet veprojnë sipas urdhërit të lëshuar nga Agjencia për tërheqjen e menjëhershme nga shitja e perimeve të ngrira, të produktit ‘Sani Fantazi-Imperial Mix’ me origjinë nga Republika e Serbisë, për të cilën ekziston dyshimi për praninë një trupi të huaj- miut”, thotë Babovski.

SHIKONI EDHE: Pandemia solli edhe shtrenjtimin e ushqimit 

Ai shton se cilësia e ushqimit në Maqedoninë e Veriut mbetet në nivel të lartë, me përjashtim në disa raste të caktuara.

“Në pjesën më të madhe, pra kryesisht ata që operojnë me tregtinë e ushqimit, i respektojnë kriteret e definuara sa i përket sigurisë së produkteve ushqimore. Unë mund të them se kemi ushqim të sigurt në treg, megjithëse gjithmonë ka përjashtime”, shton ai.

Shqetësime për cilësinë e ushqimit kishte edhe gjatë muajit mars, kur nga dyqanet në Maqedoninë e Veriut, u tërhoqën mbi 4.000 kilogramë gjalpë, me afat të skaduar. Gjalpi ishte importuar nga qumështorja “Euro Mlekara”, me seli në Shkup.

Babovski nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se nga kontrollet ishte konfirmuar se kompania “Euro Mlekara” kishte manipuluar dokumentacionin për import dhe produktin nuk e kishte ruajtur në objekte adekuate. Gjithashtu, kjo kompani, sipas tij, ishte manipuluar edhe dokumentacioni, pasi gjalpi ishte Turqia dhe jo Gjermania, siç shkruante në dokumentacion.

Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari po ashtu bëjnë të ditur se gjatë vitit 2020 janë realizuar mbi 54.000 kontrolle në objektet ku shiten produkte ushqimore. Edhe pse janë ngritur 290 kallëzime për kundërvajtje sa i përket cilësisë së ushqimit, deri më tani nuk është ngritur asnjë kallëzim penalë ndaj personave juridikë për këto dyshime.