Dy gra zyrtarizojnë martesën në Mal të Zi

Ilustrim.

Dy gra kanë zyrtarizuar, edhe para ligjit, bashkimin e tyre në Mal të Zi, duke shënuar herën e parë që ndodh një gjë e tillë në historinë e këtij shteti.

Gratë, që kanë dashur të mbesin anonime, janë martuar në qytetin e Budvës më 25 korrik, sipas mediave lokale.

Një zyrtare e Budvës, Milijana Vukotiq Jellushiq, ka thënë se të dyja gratë janë nga Ballkani, mirëpo punojnë dhe jetojnë jashtë këtij territori.

Çështjet e preferencave seksuale dhe identitetit gjinor, vazhdojnë të jenë problematike në Mal të Zi dhe rajon, ku Kisha Ortodokse dhe shoqëria konservatore kanë ndikim të konsiderueshëm.

Ligji i Malit të Zi për “partneritet jetësor mes personave të gjinisë së njëjtë”, është miratuar vitin e kaluar.

Qeveria ka pasur kohë deri më 15 korrik, për të bërë ndryshimet e nevojshme për të mundësuar bashkime të tilla ligjore.

SHIKONI EDHE: Riaktualizohet çështja e martesave të gjinisë së njëjtë

Ish-partia në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve, ka drejtuar përpjekjet për të miratuar këtë ligj, pavarësisht kundërshtimeve të disa aleatëve të koalicionit.

Kjo parti nuk është më në pushtet.

Blloku i partive që tashmë janë në pushtet, Fronti Demokratik, ka kundërshtuar ligjin.

“Ndonëse Ligji për Partneritet Jetësor për personat e gjinisë së njëjtë, është miratuar një vit më parë, ende mbetet shumë për t’u bërë, që ai të zbatohet në tërësi”, ka thënë ministrja për Administratë Publike, Shoqëri dhe Media Digjitale Tamara Sërzentiq, përmes një postimi në Twitter.

Parada e parë e komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor) në Mal të Zi, është mbajtur në Budvë më 2013, pavarësisht atmosferës së dhunshme.