Publikohet raporti fillestar pas testimit të urës së Ibrit

Dy kamionë duke e testuar urën mbi lumin Iber në Mitrovicë, e cila ndan shqiptarët në jug dhe serbët në veri, 9 gusht 2024

Zëvendësministri i Infrastrukturës i Kosovës, Hysen Durmishi, tha të martën se, sipas një raporti fillestar, ura mbi lumin Ibër në veri është e “qëndrushme dhe funksionale” dhe se ajo mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim ngarkese.

Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë e kanë bërë testimin e urës mbi Ibër në Mitrovicë, e cila ndan shqiptarët në jug dhe serbët në veri, pasi synojnë ta rihapin atë për qarkullim të automjeteve, me gjithë kundërshtimin nga bashkëshia ndërkombëtarë dhe serbët lokalë.

SHIKONI EDHE: Hovenier: Hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të rrezikojë ushtarët amerikanë

“Sapo kemi pranuar raportin nga testimi i kapacitetit të mbajtjes së strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër. Raporti konkludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë”, tha Durmishi në Facebook.

Ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.

“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t'i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.

Por, me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ura duhet të hapet dhe se “nuk është kundër askujt”.

Durmishi tha se autoritetet do ta presin një raport përfundimtar “për të pasur edhe rezultatet përfundimtare mbi funksionalitetin e urës së Ibrit sa i përket aspektit teknik”.

Pjesëtarët e komunitetit serb protestuan javën e kaluar kundër rihapjes së urës mbi Ibër.

SHIKONI EDHE: KFOR-i ripërsërit se s’do të ngurrojë të ndërmarrë masa, pas zhvillimeve në veri

Ndërkohë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, paralajmëroi disa herë se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t'i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.