Dronët e lirë bëjnë dallimin gjatë luftimeve në Ukrainë
Një pjesëtar i një njësiti ukrainas dronësh, në një vend të panjohur pranë vijës së frontit, në rajonin e Donjeckut, më 28 qershor.
Edhe Ukraina, edhe Rusia, po e ripërcaktojnë luftimin modern, me përdorimin e dronëve ekonomikë, në atë që disa po e quajnë lufta e parë e plotë e dronëve.
Ukraina po përdor ekipe të vogla të operatorëve të dronëve, të cilat janë të shpërndara përgjatë vijës së frontit, për vëzhgim dhe mbledhje të informatave në kohë reale, dhe, herë pas here, për sulme ndaj pozicioneve ruse, duke lëshuar bomba të vogla.
Një dron i drejtuar nga Forcat e Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës shihet në këtë fotografi nga arkivi, duke bartur një koktej molotovi.
Përdorimi i dronëve në qiellin mbi Ukrainën është aq i zakonshëm, saqë një vlerësim i bërë së voni nga një qendër analitike britanike llogarit se Kievi humb çdo muaj rreth 10.000 dronë.
Një operator droni duke shikuar fluturimin e një droni në një ekran të vogël, në një vend të panjohur, më 28 qershor.
Teksa dronët jo të kushtueshëm po bëhen më të avancuar, ata po integrohen gjithnjë e më shumë në strukturën e përgjithshme ushtarake në të dyja anët.
Rëndësia e këtyre dronëve në ofrimin e të dhënave të sakta dhe të fundit për pozicionet dhe lëvizjet e armikut është thelbësore për planifikimin dhe ekzekutimin e operacioneve ushtarake.
Një operator ukrainas droni afër vijës së frontit, duke përgatitur një dron për fluturim.
Dronët mund të operojnë në mjedise me rrezik të lartë dhe të kryejnë misione që do të ishin shumë të rrezikshme apo të vështira për forcat tokësore apo aeroplanët me pilotë. Sensorët dhe kamerat e avancuara, po ashtu, u mundësojnë dronëve të operojnë gjatë natës. Megjithatë, aftësia e tyre për të fluturuar në mot me shi, borë dhe mjegull është ende problem.
Një operator droni duke shikuar teksa shtëllungat e tymit ngriheshin mbi objektivat e djegura ruse, afër qytetit lindor të Bahmutit, më 16 prill.
Videot që shfaqin operatorët ukrainas të dronëve duke hedhur granata mbi ushtarët rusë apo edhe mbi automjetet e tyre të blinduara kanë qarkulluar me të madhe në rrjetet sociale.
Që të dyja palët po përdorin teknika të reja për të minimizuar efektivitetin e dronëve, përfshirë luftimin elektronik për të penguar sistemet e tyre të navigacionit, GPS.
Një dron i vogël duke u nisur në një mision për mbledhjen e informatave, përgjatë vijës së frontit, në rajonin e Donjeckut.
Teksa dronët e vegjël dhe ekonomikë mundësojnë kursime të konsiderueshme krahasuar me mjetet tradicionale ushtarake, përdorimi i këtyre dronëve pritet të evoluojë, teksa ata po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në luftën moderne.