Inspektimi i anijes së parë që transportonte drithin ukrainas ka përfunduar dhe ajo së shpejti pritet të kalojë përmes ngushticës së Bosforit për në destinacionin e saj përfundimtar në Liban.
Kjo po bëhet sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja për të rifilluar eksportet e grurit nga vendi i shkatërruar nga lufta.
Anija transportuese, Razoni, që është e regjistruar në Sierra Leone ka arritur në brigjet turke paraditen e 3 gushtit. Ajo po transporton “mbi 26.000 tonë metrikë” misër.
Ministria turke e Mbrojtjes tha më 3 gusht se inspektimi u krye nga një ekip prej 20 personash.
Sipas marrëveshjes, inspektimi i drithit bëhet nga një qendër e posaçme e përbashkët koordinimi, e përbërë nga zyrtarë civilë dhe ushtarakë nga Ukraina dhe Rusia, si dhe delegatë nga Turqia dhe OKB-ja.
Në përputhje me procedurën që palët kanë rënë dakord, inspektimet nuk do të bëhen në vetë portin e Stambollit, por në det, në ngushticën e Bosforit që lidh Detin e Zi me Deti Marmara dhe në detin Egje.
Mediat janë paralajmëruar të qëndrojnë larg anijes.
Admirali turk, Ozcan Altunbulak, koordinator në qendrën e përbashkët, tha se "përgatitjet dhe planifikimi" po vazhdojnë për anijet e tjera që pritet të largohen nga portet e Ukrainës.
Një zyrtar i lartë turk i paidentifikuar i tha Reutersit më herët më 2 gusht se Ankaraja pret që afërsisht një anije me drithë të largohet çdo ditë nga portet ukrainase për aq kohë sa ekziston marrëveshja e ndërmjetësuar nga OKB-ja.
SHIKONI EDHE: Turqia thotë se dërgesa e parë e grurit ukrainas pritet të arrijë në Stamboll “pas mesnate”Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, eksportet e grurit ukrainas nga tri porte të Detit të Zi do të rikthehen në nivelet e paraluftës, prej rreth 5 milionë tonë në muaj.
Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të grurit, misrit dhe vajit të lulediellit, por pushtimi i vendit nga Rusia dhe bllokada e saj detare e porteve të Ukrainës i kanë ndaluar dërgesat.