Abazoviq mohon se Mali i Zi po i bashkohet “Ballkanit të Hapur”

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, pas arritjes në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 7 qershor 2022.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, mohoi se shteti i tij po i bashkohet nismës rajonale, “Ballkani i Hapur”.

Abazoviq po merr pjesë për herë të parë në takimet e kësaj nisme, që po mbahen në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, prania e tij në këto takime është thënë se është në cilësinë e vëzhguesit.

“Nuk po shkojmë në Ohër për t’iu bashkëngjitur ‘Ballkanit të Hapur’, por për të shprehur, së bashku me partnerët e BE-së dhe aleatët e NATO-s, qëndrimin ndaj një nisme rajonale, në mënyrë që në fund të fundit të kemi më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim të mirë”, tha Abazoviq përmes një postimi në kanalin e tij në rrjetin social, Telegram.

Ky reagim i Abazoviqit u bë pasi më 7 qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas një takimi joformal në Ohër, deklaroi se pjesëmarrja e Abazoviqit në takimet në Ohër, “fut zyrtarisht Malin e Zi në ‘Ballkanin e Hapur’”.

Ndërkaq, gjatë një paraqitjeje para gazetarëve në Ohër, Abazoviq tha se pjesëmarrja e tij në takimin e kësaj nisje është një akt simbolik në mbështetje të nismave rajonale që promovojnë bashkëpunimin ekonomik dhe pajtimin pavarësisht se ne vendin e tij, siç tha, ka forca që nuk pajtohen apo kundërshtojnë nisma të tilla rajonale.

Abazoviq tha se Qeveria që ai drejton do të ketë një debat të hapur dhe shumë shpejt do të vendosë nëse do të bëhet pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

“Mali i Zi do të bëjë përpjekje, apo do të ketë një diskutim dhe shpresoj në një periudhë jo shumë të gjatë do të vendosim për statusin tonë. Qeveria që drejtoj ka 30 ditë që është në detyrë dhe nuk mund të marrë të gjitha gjërat me prioritet. Pjesëmarrja ime këtu ishte më tepër simbolikë në mbështetje të nismave rajonale që promovojnë bashkëpunim dhe pajatimin”, tha Abazoviq.

Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut - jashtë saj janë ende: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Megjithatë, në Ohër po marrin pjesë përfaqësuesit e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, të prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

SHIKONI EDHE: “Ballkanit të Hapur” i shtohen marrëveshjet

Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale.

Megjithatë Abazoviq, ka dhënë sinjale se vendi i tij mund të përfshihet në “Ballkanin e Hapur”.