Institucionet kompetente të Kosovës e kanë pranuar ankesën e MTS d.o.o.,kundër vendimit të mëparshëm për heqjen e licencës së punës, tha të premten Vladimir Luçiq, drejtor i përgjithshëm i Telekom Srbija.
Ai nuk ka saktësuar se cili institucion kosovar ia ka pranuar ankesën kompanisë.
“Telekom Serbia” zotëron 100 për qind të aksioneve në MTS d.o.o.
Sipas një njoftimi të kompanisë të premten vonë, MTS d.o.o.,vazhdon të jetë e regjistruar siç duhet dhe vazhdon të funksionojë normalisht në Kosovë.
SHIKONI EDHE: Çfarë do të thotë për serbët në Kosovë heqja e lejes së punës për kompaninë MTS?“Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) është urdhëruar që t’i shqyrtojë të gjitha ndryshimet dhe të dhënat në regjistër në përputhje të plotë me Marrëveshjen e Brukselit dhe rregulloreve tjera relevante”, thuhet në njoftimin e MTS d.o.o.
“Pas një lufte të madhe dhe të vështirë, tash për tash ka fituar e vërteta, e cila ka rëndësi të madhe për punëtorët, përdoruesit dhe njerëzit tanë që jetojnë në Kosovë”, tha Luçiq.
Autoritetet në Kosovë nuk e kanë konfirmuar apo komentuar këtë deri në publikimin e këtij lajmi.
MTS d.o.o. është kompani e themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për Telekomunikacionin e Kosovës dhe Serbisë nga viti 2015, si pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Në fund të vitit 2016, kjo kompani mori licencën për të operuar sipas ligjeve të Kosovës.
SHIKONI EDHE: BE kërkon informacion shtesë për revokimin e licencës për MTS-nëMirëpo, Qeveria e Kosovës pretendon se kjo kompani, sikurse edhe dhjetëra kompani të tjera, shkelin rendin kushtetues të Kosovës për shkak se dosjet e tyre përmbajnë dokumente, në të cilat qytetet e Kosovës përmenden si pjesë e Serbisë.
Në dy-tre vjetët e fundit, MTS-ja në Kosovë ka blerë pothuajse të gjithë operatorët kryesorë kabllorë në komunat e banuara me shumicë serbe në veri dhe në jug të lumit Ibër. Kjo është arsyeja pse autoriteti për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë ka nisur një hetim ex-officio në fund të nëntorit 2022.
Dyshohet se MTS d.o.o. nuk i ka raportuar transaksionet e tij, siç kërkohet me ligj në Kosovë.